Nga Veliaj te Subashi, Llatja, Sako, Ismailaj e Artur Bushi/ Emrat që Rama i 'nxori' nga SPAK për t'i rikandiduar

Nga Veliaj te Subashi, Llatja, Sako, Ismailaj e Artur Bushi/ Emrat që Rama i 'nxori' nga SPAK për t'i rikandiduar

22:55, 25/03/2023
A+ Aa A-

Edi Rama rikandidoi për zgjedhjet e 14 majit një mori kryebashkiakësh të cilët kanë probleme të theksuara me ligjin. 

Një pjesë e mirë e tyre kanë shkelë njëherë në SPAK dhe në mos proceduar, janë marrë në pyetje për abuzim me detyrën.

Janë plot 40 kryebashkiakë aktualë të cilët Rama i rikonfirmoi.  

Por kush janë kryebashkiakët e marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK, apo janë kallëzuar njëherë të vetme? 

Mjafton të kujtojmë Armando Subashin për inceneratorin e Fierit dhe Gledian Llatja për djegësin e Elbasanit, dosjet për të cilët tashmë ndodhen në duart e prokurorëve të SPAK dhe nuk është çudi që një ditë ata të kenë fatin e Lefter Kokës apo Alqi Bllakos.  

Edhe Emirjana Sako e bashkisë së Durrësit ndodhet në të njëjtën valle, atë të inceneratorëve, për pagesat e paligjshme që i janë kryer Klodian Zotos. Po ashtu, për Sakon ka akuza të forta edhe lidhur me rindërtimin, proces të cilin qeveria e ktheu në instrument politik dhe votash, teksa sot dhjetëra familje ndodhen ende pa strehë mbi kokë. Tenderat e bashkisë së Durrësit me flamur të kuq janë diçka e zakonshme dhe ndoshta SPAK nuk e ka parë të udhës të shfletojë ndonjë prej tyre, se çfarë bëhet në realitet. 

Për kryetarin e bashkisë së Krujës, Artur Bushi (subjekt i ligjit të dekriminalizimit), në SPAK ka plot 7 kallëzime ndaj tij për një mori shkeljesh në ushtrimin e detyrës, që nga tenderat abuzivë e deri te punësimet në shkelje me ligjin. 

Qerim Ismailaj i Mallakastrës rrezikon të bëjë 1 vit burg, aq sa kërkoi SPAK për fshehje, në formularin e vetëdeklarimit, të dënimit me 3 vite burg në Greqi. Ismaili akuzohet se falsifikoi formularin e dekriminalizimit. Rama e rikandidon për një tjetër mandat. 

Në Pukë, Gjon Gjonaj u denoncua një javë më parë nga emisioni investigativ "Piranjat", në Syri Tv, për abuzim skandaloz me banesat sociale, të cilat i kanë përfituar punonjësit e bashkisë. 

Nuk mbeten jashtë rrjetës së korrupsionit edhe kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai për të cilin SPAK ka një dosje të tërë me përgjime; ai i Matit, Agron Malaj, për tendera klienteliste; Tërmet Peçi, kryetari i bashkisë Tepelenë, për dhënie leje ndërtimi në shkelje me ligjin.

Edi Rama rikandidoi edhe Eduard Duron në bashkinë Devoll, i cili një ditë më parë u kap në flagrancë nga "Piranjat" dhe u denoncua publikisht duke zhvatur 100 mln lekë përmes një tenderi fiktiv.

Dhe "qershia mbi tortë" e emrave të rikandiduar nga Edi Rama është Erion Veliaj. I përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës, por ende SPAK nuk e ka thirrur edhe pse firma e tij ndodhet kudo, në çdo dokument që nga studimi i fizibilitetit, autorizimi, leja e pagesat miliona euro, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, drejt pronarëve fantazmë të inceneratorëve. Ka firmosur mijëra leje ndërtimi duke shpërfillur ligjin, planin urbanistik të kryeqytetit e trashëgiminë kulturore. Ndaj Veliajt ka padi në SPAK edhe për shembjen e Teatrit. Për të mos përmendur qindra tendera fiktivë, ose e thënë ndryshe tendera ku ndahen paratë, që firmosen çdo ditë në tryezën e kryebashkiakut në largim.  

Me sa duket, të vetmit që Edi Rama nuk mundi të kandidojë nga kryebashkiakët që e kanë kthyer SPAK-un në shtëpi të dytë, janë Lefter Alla i Bulqizës dhe Fatos Tushe, për faktin e vetëm se janë prapa hekurave...

Kandidatë që Rama i "nxori" nga SPAK
Bashkia Tiranë - Erion Veliaj
Bashkia Durrës - Emirjana Sako
Bashkia Fier - Armando Subashi
Bashkia Elbasan - Gledjan Llatja
Bashkia Krujë - Artur Bushi
Bashkia Mallakastër - Qerim Ismailaj
Bashkia Kolonjë - Erion Isai
Bashkia Tepelenë - Tërmet Peçi
Bashkia Pukë - Gjon Gjonaj
Bashkia Mat - Agron Malaj
Bashkia Devoll - Eduard Duro 

E PLOTË/ EMRAT E KANDIDATËVE TË PS NË 14 MAJ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco