Zhupa: Skandali me vjedhjet në Vaun e Dejës: 100 kg kafe për nxënësit e mitur

Zhupa: Skandali me vjedhjet në Vaun e Dejës: 100 kg kafe për nxënësit e mitur

11:43, 25/03/2023
A+ Aa A-

Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka denoncuar sot abuzimet e bashkisë së Vaut të Dejës, vjedhjet e fondeve për nxënësit e konviktit 'Ndre Mjeda", adoleshentë që figurojnë sikur kanë pirë 100 kg kafe dhe deri kryeshpërdoruesin Elvis Prençi, që e gradojnë si drejtor të Shërbimeve Publike.

"Si anëtare e Komisionit të Arsimit, por edhe si nënkryetare e Grupit ‘Miqtë e fëmijëve’ kam ardhur në bashkinë e Vaut të Dejës, - tha Zhupa, -  për të denoncuar abuzimet që bëhen me fondet publike, dhe abuzimet që bëhen me shëndetin dhe mirërritjen e nxënësve të Konviktit ‘Ndre Mjeda’ në këtë Bashki.

Rasti është flagrant dhe i denoncuar disa herë nga PD dega Vau i Dejës, por edhe nga emisioni investigativ ‘Piranjat’. Bëhet fjalë për abuzime me punësime fiktive, duke përdorur dhe keqpërdorur në këtë rast fondet publike.

Në shtator të vitit 2019, ky konvikt shërbehej me katering, që do të thotë se ushqimet vinin të gatshme, të paketuar dhe nuk kishte nevojë për staf për të gatuar, apo për të ofruar shërbime në kuzhinë. Por kundrejt kësaj ata kanë punësuar në shtator të vitit 2019, një ndihmës kuzhiniere, që nuk kuptohet se çfarë funksioni kryen, ndërkohë që nuk ofrohet shërbim dhe nuk kishte kuzhinë funksionale në këtë konvikt.

Ndihmës kuzhinierja nga shtatori i vitit 2019 e deri në janar të vitit 2020, vazhdoi në këtë funksion dhe bile në janar të vitit 2020 u shtua edhe një kuzhiniere. Më pas u shtua edhe një punonjës tjetër për mirëmbajtjen e institucionit. Mbasi më pas e kuptuan se duke u bërë shumë punonjës që ishin për kuzhinën, u vendos që të tre këta ti kalonin si punonjës mirëmbajtje.

Dua të theksoj se në qoftëse do të kishte kuzhiniere, apo ndihmës kuzhiniere, këto duhet jenë të certifikuara, duhet të kenë certifikata dhe duhet të jenë garante për shëndetin e fëmijëve, edhe në rastin kur kryhen funksione.

Në këtë moment kaluan të tre në sektorin e mirëmbajtjes. Në shkurt të vitit 2020, bashkia e Vaut të Dejës, vendosi që nga katering ta kthente me një shërbim që do të kryhej brenda konviktit ‘Ndre Mjeda’ në Vaun e Dejës. Në këtë moment, përsëri dy zonjat kalojnë nga mirëmbajtja në kuzhinë, si kuzhiniere dhe ndihmëskuzhiniere.

Skandali vazhdon me abuzime të tjera.

Në momentin që bëhen dokumentet e tenderit për ushqimet që duhet të blenin dhe këtu kemi marrëveshjet, për ushqimet që duhet të blinin në funksion të nxënësve, kujtojmë se nxënësit kanë moshën 15-16 vjeç, pra janë nën 18 vjeç, ata menduan që të abuzonin përsëri dhe të fusnin një produkt siç është kafeja tek lista e tenderit.

Jo pak por 100 kilogramë kafe të blerë me idenë se do të konsumoheshin nga nxënësit e konviktit ‘Ndre Mjeda’ rreth 800 mijë lekë të abuzuara, sepse siç e dini as ligji nuk e lejon të konsumohen kjo gjë, por edhe vetë ish-përgjegjësi i konviktit, Elvis Prençi në intervistë që dha për ‘Piranjat’ thotë se nuk është konsumuar kafe nga nxënësit.

Pavarësisht kësaj, vendosën ta ndryshonin përsëri, nga shërbim të rikthenin përsëri kateringun dhe në 21 qershor 2021, hapën përsëri një thirrje për të ofruar katering në këtë konvikt.

Prap në dokumentet e tenderit, rezulton kafja si një produkt që do të blihej për nxënësit e këtij konvikti. Absurde dhe totalisht abuzim me fonde publike.

Të gjitha këto kishin një emër, një përgjegjës të konviktit i cili ishte Elvis Prençi. Për këtë abuzim me fondet publike, ai sot është graduar në një pozicion edhe më të lartë, duke i dhënë edhe më shumë përgjegjësi nga administrata e bashkisë së Vaut të Dejës. E kanë bërë drejtor të Shërbimeve Publike, për të gjithë bashkinë.

Pra ky person, që keqmenaxhoi konviktin, që sot janë në prokurori, është bërë drejtor i shërbimeve publike. E sigurisht që vazhdon me të njëjtat metoda të menaxhimit, metoda që i njeh shumë mirë, e ku mjafton të përmenden disa raste kur qytetarët i dinë sepse i njohin çdo ditë.

Kemi rastin e shoferëve pa mjete, shoferëve pa patentë, të cilët nuk kanë qenë një ditë të vetme në punë. Por ky është një nga rastet e punonjësve fiktivë. Kemi rastin tjetër, çudinë më të madhe, të menaxhimit të mbetjeve në njësinë administrative Shllak. Atje është e pamundur të hysh me mjete të tonazhit për shkak të infrastrukturës rrugore, por sipas dokumenteve makinat e këtij tonazhi, hyjnë për të mbledhur mbetjet. Pra totalisht abuzim.

Dhe arsyeja pse lejohet dhe pse ndodh ky abuzim, është shumë e thjeshtë. Sepse zotëria është kryetari i PS-së për njësinë administrative Hajmel dhe ka bekimin dhe mbrojtjen partiake. Të gjitha këto bëhen në funksion të blerjes së votës dhe në funksion të manipulimit të zgjedhjeve.

Me këtë rasti i bëj thirrje të gjithë institucioneve publike, duke filluar që nga kryeministri, ministria e Arsimit dhe Financave që janë përgjegjës për konviktet dhe për arsimin, që të kthejnë sytë nga ky abuzim, që po bëhet në emër të  nxënësve, në emër të shëndetit, mirërritjes së tyre dhe të kuptojnë arsyen e vërtetë se, pse sot po braktisin të rinjtë Shqipërinë, sepse sot sistemi arsimor braktiset për të ikur jashtë vendit, pikërisht nga këto metoda keqmenaxhimi dhe abuzimi.

I bëj thirrje gjithashtu ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, që të jetë në dijeni dhe të kontrollojë policët që sot janë vënë në funksion të këtyre individëve dhe strukturave të PS-së me qëllim intimidimin e qytetarëve të thjeshtë dhe manipulimin e votës së tyre në zgjedhjet e 14 majit."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco