Berisha nga Kamza: Primaret ishin zgjedhja më e mirë, më dinjitozja, është rruga e lirisë

19:57, 24/03/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi sot në Kamëz kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë", Arjan Hoxha. 

Në fjalën e tij, lideri i opozitës u shpreh se kandidatura e Hoxhës vjen nga primaret dhe i votuar nga anëtarësia. 

Sipas Berishës, primaret ishin zgjedhja më e mirë dhe më dinjitozja. 

"Së pari më lejoni të përulem para jush, për mbështetjen që i keni dhënë PD-së, në këto 30 vite, një mbështetje e një rëndësie jetike për këtë forcë politike, e cila u krijua si forcë e lirisë, pluralizmit, si lokomotivë e interesit kombëtar, integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO.
Mirënjohja ime është e pakufishme, respekti im dhe nderimi më i madh për ju baballarët, paraardhësit tuaj që me lumenj djerse, përkushtimi, me aftësi të mëdha, me ndershmëri, ngritën këtu një nga qytetet më të mëdha, më të bukura të Shqipërisë, Kamzën, si monument madhështor i shpirtit punëtor të banorëve të saj, të atyre që erdhën nga të katër anët për të ndërtuar ëndërrën e bukur të të ardhmes së tyre.

Jemi sot në një fushatë elektorale në të cilën paraqitemi para jush me kandidatë, për herë të parë në 32 vite, të propozuar nga ju, të votuar nga ju, të mbështetur nga ju. Kjo ishte kërkesa juaj në vjeshtën e vitit 2021 dhe kjo u bë realitet në dhjetor të vitit 2022. Sot në Kamzë dhe mbarë Shqipërinë, vijmë para jush si njerëz që kemi mbajtur fjalën, si njerëz të cilët rivendosëm standardet më të mira për zgjedhjen e kandidatëve.

Sot Arjan Hoxha dhe të gjithë kandidatët e PD-së, nuk janë kandidatë të kryetarit të Partisë, apo kryesisë saj, janë kandidatë tuaj, të vullnetit të lirë, të besimit tuaj dhe ju garantoj unë ju se kjo përbën një nga standardet më të mira ku ekziston sot kudo në botë. 

Këto primare, si të parat që ishin absolutisht nuk ishin të përsosura, kishin defekte, të meta të padiskutueshme. Por kjo parti është e tillë, nuk mohon kurrë gabimet që bën, përkundrazi i merr ato i përmirëson, i korrigjon dhe bën gjithçka me besimin më të madh se rruga e nisur është rruga më e mirë, se kjo mënyrë kandidimi dhe zgjedhje është më e mira, më dinjitozja është rruga e lirisë.

Pat nga ata që menduan se ky proces do të na përçajë, ja ku jemi sot, të bashkuar të gjithë, ata që kandiduan, ata që votuan ndryshe, njerëz që i besojnë lirisë, që bashkohen për një qëllim, dua të ju shpreh mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre që i janë bashkuar sot këtu për qëllim, për Kamzën demokratike, për fitoren e lirisë", tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco