Ana personale e konfliktit, Hysenbelliu: Me Lindën në telefon me pseudonime!

Ana personale e konfliktit, Hysenbelliu: Me Lindën në telefon me pseudonime!

20:50, 22/03/2023
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Kur fadromat rrethuan ‘Prestige Resort’ për ta shembur vitin e kaluar, Lapsi i pa me imtësi dokumentet, me të cilat mbrohej Irfan Hysenbelliu. Rezultonte se vetë Rama kishte firmosur lejen e zhvillimit në KKRT-së për ndërtimin e hotelit dhe pishinave, që zaptonin më shumë se 4 mijë metra në bregun e detit. Rezultonte se Dallëndyshe Bici kishte hedhur firmën e saj në dokumentet që konfirmonin se godina ishte me leje.

E megjithatë, me fuqinë që u jep pushteti, të njëjtët vendosen që hoteli të hidhej në erë me dinamit, me pretekstin se nuk ishin paguar taksat. Ashtu ndodhi.

Nga këtu, pronari i News24, Irfan Hysenbelliu shpërtheu në akuza duke nxjerrë në publik disa aspekte personale të marrëdhënies së tij me Ramën, që në ndonjë rast dukeshin vendimtare për të kuptuar mësymjen e shtetit në Golem.

Në fillim nxori fotot e drekës me Ramën në 'Prestige Resort' mes pishave të Golemit, bashkë me Taulant Ballën, Arben Ahmetaj, biznesmenin Behgjet Pacolli dhe ish-vartësin e tij në Kosovë, Mentor Nazarko.

Kuptohej se kur drekonte me Irfanin në bregun e detit, Rama e bënte një sy qorr dhe një vesh shurdh. Nuk ishin problem për të as zaptimi i rërës së plazhit, as taksat e papaguara. Shteti dhe ligji vepronin vetëm tani që personalja ishte bërë e papëlqyeshme.

Mediat e Irfan Hysenbelliut u morën edhe me Taulant Ballën, i cili kishte ngrënë e kishte pirë qyl për dy muaj në suitën presidenciale të ‘Prestige Resort’. Një nga sanitaret e hotelit tregoi se Balla kishte raste që hynte në kuzhinën e restorantit dhe gatuante bashkë me shefat.

‘Taulant Balla ka ndenjur me muaj, dy muaj te dhoma presidenciale, i kam shërbyer si pasha. Turp t’i vijë, Taulant Ballës të parit, Edi Ramës të dytit se ka ngrënë aty’ - tregonte gruaja për mikrofonin e News24, ditën që policia rrethoi hotelin.

Vetë Hysenbelliu foli për bashkëshorten e Edi Ramës, me të cilën kishte pasur njohje të vjetër. I kujtoi se si i ishte gjendur pranë në ditë të vështira, ndërkohë që ajo qante dhe i lutej për punë.

"Për të shoqen e tij kam shumë respekt. Dhe kam pas shumë miqësi me të. E kam çuar unë te Ylli Çabiri në punë. E kam punësuar. E kam çuar, e kam punësuar. Qante në atë kohë. E kam çuar unë te Ylli, se nuk e di a e ka memorien Ylli ta mbajë mend, ta pyesë. Po e kam çuar atje, se më thanë që Ylli Çabiri është. E kam çuar unë te Ylli Çabiri. I kam ndihmuar, e kam përkrahur. Nuk mendoj që nga burri i saj do merrja këtë përgjigje sot. Besoj se edhe ajo s’do jetë shumë e kënaqur," u shpreh Hysenbelliu në dhjetor të vitit të kaluar.

Historia nuk përfundoi këtu, sepse rrethimi i tretë i policisë u bë në festën e Sulltan Novruzit, një ditë e veçantë për besimtarët bektashinj, pjesë e të cilëve është edhe Hysenbelliu. Me kokën e nxehtë nga pamjet e bllokimit të pronës me polici, ai ngacmoi sërish rrëfimin mbi eksperiencat personale me çiftin kryeministror.

Disa ditë më parë familja Hysenbelliu dhe familja Rama ishin shkëmbyer në një hotel në Athinë. Rama nuk e kishte mbajtur dot veten, ndërsa shkëmbeheshin nëpër korridoret e hotelit.

"Këto ditë isha rastësisht me familjen në një nga hotelet më të rëndësishme në Athinë, që nuk mund ta them për shkak të biznesit dhe qëlluam rastësisht, në një kat. Në një kat, rastësisht dhe aty shkëmbeheshim si ata të ‘Nëndetëses 105’. Dhe kur rrija ulur në darkë, rastësisht kemi qenë në tavolinat ngjitur, mimika e tij, i rrotulloheshin sytë dhe surrati, sa u ngrit dhe u largua. Edhe kur dilte në korridor, e humbiste. Vinte vërdallë në korridor. E humbiste. Pse e shqetëson kaq shumë atë njeri? Çfarë e bën të vuajë brenda?" tregoi ai.

Një detaj tjetër interesant, në rrëfimin e Hysenbelliut ishte marrëdhënia që ai kishte pasur në të shkuarën me Linda Ramën. Sipas tij, komunikimet në celular i bënin me pseudonime, ndërsa zonja Rama kishte braktisur miqtë e saj si Ben Malaj, Bashkim Fino etj.

"Si ka mundësi në një hotel kur shkëmbeheshim, si ka mundësi? Mirë mua, po çunit tim? Po nuses time? Po gruaja e vet? Që fëmija e saj është rritur me fëmijët e mi. Po gruaja e vet që më çoi dhe më prezantoi në Athinë me vëllain e vet dhe me vëllain e saj dhe fëmijët bënim pushimet? A ka një edukatë ajo femër? Ku i ka shokët e vet ajo femër? Ku është Ben Malaj që e ka pasur mik dhe e ka bërë të pijë ilaçe sot? Ku është Bashkim Fino, që e ka pasur mik dhe nuk mori post kohët e fundit?

Ku është Bujari (……) që rrinte me të, e di gjithë Blloku që e ka pasur mik dhe sot vjen vërdallë dhe e katandisi psikologjikisht bredh nëpër kazinotë? Ku është? E thashë, e kam çuar unë te Ylli Çabiri, atëherë lutesh, qante e morën e hodhën në rrugë. E morën, e hodhën! Rrinim bashkë. Kemi ndejtur bashkë me orë të tëra, me muaj. Pyesni shoqen e saj Silvën dhe kishim pseudonime që të komunikonim me njëri-tjetrin. Unë e kisha ‘Iliri’. Ai ishte ‘Ladi’, tjetra ‘A….’. Pse ishin pseudonime?

Pse? E kam ndihmuar me shpirt! Pa pikë turpi surrati i saj atje në mes të hotelit as nuses time, asnjeri. Nusja u ngri: ‘Si ka mundësi kjo femër që kemi ngrënë bukë bashkë?’ tha. Si ka mundësi që shkëmbeheshim bashkë në hotel dhe nuk ashtu? Që shkëmbeheshim në hotel dhe nuk ashtu?" fliste i tronditur Hysenbelliu.

Por pronari i News24 nuk u kursye as për një aspekt të panjohur, deri diku pervers të Ramës, i cili i kërkonte Hysenbelliut t’i sulmonte përmes mediave të tij ish-Ministrin e tij të Jashtëm në kohën që ishte vetë kryeministër. Hysenbelliu nuk e tha emrin, por kuptohej se ai iu referua Ditmir Bushatit.

"Mund t’i them që nuk kam qenë nga ata botues që të bëja ato presione që ai do. Po u them vetëm për një ministër të jashtëm. Ai thoshte, merre bëji këtë transparencë. Beji transparencën deri në fund dhe këtë mesazh fshije. Si mund t’i bëja presion për transparencë kur ai bënte detyrën dhe kishte respektin më të madh me shtetet e ndryshme. Po ju them vetëm 0.01% të atyre që di," rrëfeu Hysenbelliu.

Kuptohet se shkaqet e konfliktit mes Ramës dhe Hysenbelliut ndërthurin interesa biznesi, mediatike dhe politike, por ato personale nuk janë për t’u shpërfillur. Një dokument shtetëror e humb rëndësinë para mllefit personal dhe episodeve konfliktuale të së shkuarës, në përpjekjen për të gjetur nëse ka të drejtë njëri apo tjetri.

Ndërsa sot, dy familjet kalojnë heshturazi dhe shihen vëngër nëpër korridoret e urrejtjes, dje këta hanin dhe pinin, kalonin pushimet bashkë dhe përfitonin në mënyrë të ndërsjelltë nga pozitat e fuqishme që kishin në politikë, biznes dhe media. Prandaj dhe konflikti Rama-Hysenbelliu, më shumë se në leximin me lupë të dokumentave dhe me ballafaqimin e hapave të shtetit ligjor, i ngjan përplasjeve që funksionojnë përmes kodeve mafioze të prerjes në besë dhe hakmarrjes për inate personale./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gj23/03/2023 06:48

E, ky është shteti që duam?!!!!!!!!!!!!!

Shto koment

Denonco