Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj zyrtarisht është nën hetim nga SPAK për 4 akuza. Prokuroria e posaçme po e heton Ahmetajn për veprat penale që i përkasin dy procedimeve penale, të cilat janë bashkuar në një të vetëm.
Për çështjen e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërsa për një tjetër kallëzim për pasurinë e tij ai po hetohet për “pastrim të parave”, “korrupsion” dhe “fshehja e pasurisë”.
Hetimet për Ahmetajn kanë nisur që në 19 shtator të vitit të kaluar, por ankimimi i kryer në gjykatë nga mbrojtësit e tij për kontrollet e ushtruara në banesat e tij dhe të bashkëjetueses më 8 mars faktoi bashkimin e 2 procedimeve dhe hetimin e tij për 4 vepra penale.
Pas këtij lajmi reagoi edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
"Nuk di të them cilat janë akuzat zyrtare ndaj Arben Ahmetajt, por mesa kuptoj e ka zënë ai mallkimi i "gropës së tjetrit".
Dukshëm ka rënë brenda në atë gropë, që e hapi jo pa mund... E hapi dhe me të tjerë, të cilën nuk ranë me të këtë herë, por do bien në një gropë tjetër të ngjajshme.
Të shohim.
Për standardin e drejtësisë nuk po harxhoj më kohë dhe fjalë," shkruan Manjani.
© SYRI.net