Këlliçi me banorët te Rruga e Kavajës: Votat do i ruajmë, vetëm çojini në kuti

Këlliçi me banorët te Rruga e Kavajës: Votat do i ruajmë, vetëm çojini në kuti

10:15, 21/03/2023
A+ Aa A-

“Votat do t`i ruajmë”! 

Këtë premtim u dha qytetarëve në kryeqytet, kandidati i  opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. 

Gjatë ecjes që zhvilloi në zonën e “Rrugës së Kavajës”, Këlliçi shtrëngoi duart me dhjetra qytetarë dhe intelektualë të Tiranës, të cilët i uruan fitoren në 14 Maj. Një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve është vjedhja e votës gjatë procesit të numërimit. Por, Belind Këlliçi garantoi qytetarët se vota e tyre do të mbrohet dhe garantohet, ndërsa u bëri thirrje të gjithë banorëve të kryeqytetit të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit.  

“Gëzohem njëherë të shihemi personalisht. Kemi shpresa te ju rinia, por këta vjedhin votat”,- u shpreh një qytetar i Tiranës.

Belind Këlliçi i shprehu garancinë qytetarit, se vota në 14 maj do të mbrohet nga vetë ai. 

“Votat do t`i ruajmë dhe garantojmë. Vetëm duhet me shku vota te kutia. Vetëm kaq, ju çojeni në kuti, pjesën tjetër do duhet ta bëj unë. Jam aktualisht deputet i Tiranës, po i lë të gjitha për t'u futur në këtë garë që mendoj se duhet një model ndryshe. Përballë Erion Velisë jam unë”, u shpreh kandidati i opozitës. 

Shpopullimi i vendit dhe largimi i të rinjve ishte tjetër temë, të cilën qytetarët e Tiranës e diskutuan gjatë takimeve me Belind Këlliçin. 

“Unë jam këtu, fëmijët ikën. Në Angli është goca, thonë shyqyr që ikëm. Por jo shyqyr që ikën, se s`po pijmë dot një gotë ujë. Ne jemi çuna Tirane. Turp”, tha një qytetar i Tiranës gjatë takimit me Belind Këlliçin. Një zonjë teksa i uroi fitoren kandidatit të opozitës në zgjedhjet e 14 majit, u shpreh se duhet ndryshim për të ndalur shpopullimin. 

“Më vjen mirë që je në kyre. Me thënë të vërtetën duhet një ndryshim që të mos na ikin të rinjtë, mos të na ikin fëmijët tanë. Do Zoti të bëhet një ndryshim, që të jemi dhe më mirë”, u shpreh zonja. 

Kandidati i opozitës, Belind Këlliçi u kërkoi mbështetje qytetarëve për të larguar Erion Veliajn nga drejtimi i bashkisë dhe për t`i hapur rrugë ndryshimit. 

“Këtë e ke parë se çfarë është. Me thënë të drejtën, ai fakti që ti thua që je çun Tirone, më detyron me më mbajtë me këmbë në tokë dhe mos me e nxi e me e skuq faqen. Mos me bë me turp as nonën, as babën tim as familjen. Se kë po takoj gjatë gjithë rrugës, i kanë ikur fëmijët jashtë të gjithëve. Patjetër. Duke vazhduar me këtë lloj ritmi të largimit të të rinjve është një problem i tmerrshëm, kush ka ngel, kush do e çojë para”, tha Këlliçi. 

Gjatë ecjes në rrugë, Belind Këlliç takoi edhe familjarë të emrave të ndritur të artit shqiptar apo dhe intelektualë të Tiranës, të cilët bashkë me qytetarë të tjerë, i kanë shprehur mbështetjen për zgjedhjete 14 majit.

“Ke të fala shumë nga Hysni Zela. Gjithë familja Zela jemi me ju. Ti je krenaria e rinisë dhe e gjithë Shqipërisë, kemi besim tek ju”, u shpreh një zonj, e familjare e artistit të shquar Hysni Zela. 

Belind Këlliçi u ndal edhe te problemet e biznesit, ku një taksist tregoi sesi ky sektor po shkon drejt rrënimit për shkak të mungesës së klientëve.  

“Shumë dobët. S`ka njerëz, se po të ketë njerëz. Kam dalë prej orës 7 në mëngjes dhe kam bërë vetëm një rrugë”, u shpreh taksisti.  

Belind Këlliçi u tha qytetarëve se largimi i Erion Veliajt është në dorën e tyre, duke u bërë ftesë që të bashkohen në fushatë për të dhënë secili kontribut në fitoren e 14 majit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco