'Jeni dëshmitarë se si po falimentojnë fermat, si fabrikat nuk marrin qumështin tuaj, por atë pluhur nga Serbia'

'Jeni dëshmitarë se si po falimentojnë fermat, si fabrikat nuk marrin qumështin tuaj, por atë pluhur nga Serbia'

08:02, 21/03/2023
A+ Aa A-

Fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatit Shkëlqim Hoxha për bashkinë e Rrogozhinës.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë, banorë të bashkisë së Rrogozhinës! 

Një përshëndetje të përzemërt dhe vëllazërore për këtë pritje të zjarrtë. 

Vij këtu për të paraqitur para jush kandidatin tonë për qytetar të parë, kryetar bashkie, Shkëlqim Hoxhën. Shkëlqim Hoxha është e theksoj dhe vetë, një demokrat i fillimeve më të para të demokracisë, por është edhe një demokrat, i qëndresës në ditët më të vështira të PD-së, i cili në vitin 1997-98-99, në një kohë kur PD luftonte për mbijetesë bëri gjithçka aty ku ishte në emigracion dhe më vonë erdhi në Shqipëri për të mbështetur atë dhe suksesin e saj.

Në të gjitha detyrat e ngarkuara ai ka treguar aftësi të veçanta, përkushtim të madh në përmbushjen me nder të detyrave që ju ngarkuan gjatë qeverisjes së PD. Unë ju garantoj ju se Shkëlqim Hoxha me aftësitë e tij, përkushtimin e tij, dashurinë dhe respektin që ai ushqen për ju, qytetarët, qytetaret, fermerët, banorët e kësaj bashkie do të bëjë gjithçka që të ua rikthejë ju Bashkinë e Rrogozhinës si shtëpinë tuaj të parë.

Do të bëjë gjithçka që të përmirësojë çdo muaj dhe çdo vit jetën tuaj, infrastrukturën në territorin e kësaj bashkie, suksesin e bizneseve në territorin e kësaj bashkie. Suksesin e bizneseve në territorin e kësaj bashkie, zhvillimin e fermave dhe suksesin e fermerëve të territorit të kësaj bashkie. Zhvillimin e turizmit, një degë për të cilin Rrogozhina ka një potencial të madh për tu zhvilluar edhe më shumë.

Ju garanton se Shkëlqim Hoxha, si njohës i shkëlqyer i ekonomisë dhe biznesit, bashkinë e Rrogozhinës do ta shndërrojë në një bashki model për qytetarët e saj, bashkitëfqinje dhe vendin. 

Dua të ju them këtu se 14 maji vërtetë është një ditë në të cilën jeni të ftuar të ndryshoni me votën tuaj Rrogozhinën, në 14 maji ndryshimi është në duart tuaja, por zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet më të rëndësishme të zhvilluara nga 22 marsi i vitit 1992 e deri më sot. 

Për të realizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve, mjafton që secili nga ne, çdo banor i kësaj bashkie të mendojë për një moment; ç’po ndodh me Rrogozhinën në këto vite, ç’po ndodh me Shqipërinë në këto vite? Po ndodh një braktisje masive, sikur të mos ishte një dhe i bekuar, por sikur të ishte një tokë e mallkuar. 

Ndërkohë që Rrogozhina është një bashki me potenciale të jashtëzakonshme për të begatuar, lumturuar, mëkëmbur të gjithë banorët e saj, për të mbajtur në trojet e veta, bijtë dhe bijat dhe për ti prosperuar ata më shumë se kudo tjetër. Pse atëherë ikin, çfarë ndodh me fëmijët tanë, çfarë ndodh me fqinjin tonë, me miqtë, të afërmit, fisin, kushërinjtë, pse ata ikin? Pse ne sot kemi më shumë se 1/3 e tyre të larguar dhe të tjerë që mendojnë të largohen sa më parë. 

Në pamje të parë ky është një shpopullim i frikshëm. Nëse në 8 vite nga Shqipëria, Rrogozhina dhe çdo zonë e këtij vendi u larguan më shumë se 1/3 e popullatës. 937 mijë shqiptarë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengen, mbi 1 milion në të gjithë botën. 

Imagjinoni për një moment të vazhdojë kështu, të vazhdojë me këtë sistem me këtë qeverisje. Në 8 vitet e ardhshme, më shumë se kaq dhe pas 16 vitesh askush nuk e di sa qytetarë do kenë mbetur në Rrogozhinë, sa shqiptarë do kenë mbetur në Shqipëri.

A nuk është ky një apel, a nuk është ky një kushtrim për të përdorur në 14 maj votën për ndryshimin e madh, për ndryshimin për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike për të marrë kthesën e madhe. Ka nevojë njëlloj si ajri, që zogu ka nevojë për të fluturuar, ka nevojë si i sëmuri për oksigjen. 

Pse ndodh kjo miqtë e mi? Po të mos vinim nga diktatura këtë shpjegim ndofta dhe nuk do ta bëja, por ne e dimë mirë, më mirë se kushdo tjetër në Europë, se ç’do të thotë monizëm, sundim i një partie shtet, se ç’do të thotë kur të gjitha pushtetet merren në një dorë.

Monizmin e parë e kaluam në diktaturë komuniste. Ai bazohej në ideologjinë marksiste-leliniste dhe varfëroi shqiptarët si asnjë vend në botë.

Monizmi i dytë, ky i sotmi është një tragjedi kombëtare. Të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeri i cili edhe presidentin e Republikës, e tall dhe përqesh sikur ta kishte një shërbëtor të vetin dhe jo përfaqësues. Një despot që nuk njeh ligj, që s’ka ligj, s’ka rregull, normë, standard, nuk ka flamur, s’ka nder, nuk ka asgjë. 

Një despot që vjedh nga mëngjesi në darkë ju, qytetarët e Rrogozhinës, qytetarët shqiptarë. Një njeri që sheh Alabarin e Dubait një miliarder dhe do të bëhen edhe unë si ky thotë dhe shkojnë e ndajnë Portin e Durrësit, pasurinë më të madhe përrallore të shqiptarëve, 820 mijë metra katrorë marrin për pallate. 

Një i pamëshirë që udhëton për vete me aeroplan me dhomë gjumi, shpenzon 22 mln euro, vetëm udhëtime me aeroplan në dispozicion. Kurse ju, pensionistëve, rrogëtarëve nuk i rrit as rrogat e pensionet. Përkundrazi sot pas 9 vitesh po të llogaritim rritjen e çmimeve, çdo shqiptar merr të paktën 30% më pak se në 2013. Kjo është e vërrteta. 

Po si ka mundësi që ky njeri të mos mendojë për qytetarët. Çdo qindarkë që mblidhet është e juaja, çdo borxh që merret do të paguhet nga djersa juaj. Pra duhet të ju kthehet ju në një mënyrë apo në një tjetër.

Çfarë ndodh? Paratë që merren borxh, që u vilen ju me taksa, që u grabiten me gjoba, që të gjitha në masën 80-90% vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen. Vidhen të dashur qytetarë sepse për ndërtimin e një kilometri rrugë në fushë, e cila në vendet më të pasura në Europë kushton maksimumi 2-3 mln euro. Në Shqipëri 24 mln euro, në Shqipëri kushton kaq sepse vidhen në çdo kilometër 20 mln euro, pra vidhet 8 fishi i çmimit me të cilin ndërtohet. 

Kjo ndodh përsëri me shkollat. Kjo ndodh me çdo punë publike që kryhet me paratë tuaja. Rrugët anësore Lekaj-Fier, ndërtohen me 2 herë gjysëm më shtrenjtë seç është ndërtuar rruga kryesore autostrada. Po pse kjo? Vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen. 

Miqtë e mi! 

Nëqoftëse kjo qeveri nuk do të kryente punë publike me çmime 6-10 herë në të larta rrogat tuaja do të ishin më të së paku trefishuar. Ju jeni dëshmitarë. Ne në vitin 2005-2013, rrogat, pensionet i dyfishuam, por ndërkohë ndërtuam 11 mijë kilometra rrugë, sepse ne nuk ndërtonim rrugë në fushë me 24 mln euro. Rrugën në fushë ne e ndërtonim me 1-2 mln euro dhe këto janë të vërtetueshme. 

Ne nuk ndërtonim një shkollë me 6 mln euro, sepse në të gjitha manualet e ndërtimit në SHBA dhe botë, shkolla ndërtohet me 700 mijë euro. Dhe nëse shkolla ndërton siç bën zdromsi i Tiranës, ndërton shkollën me 6 mln euro, ai vjedh aty të paktën 80% të fondit.

Si ka mundësi, a duhet të ishte qëllim kryesor, a duhet të jetë qëllim kryesor i një njeriu të votuar nga ju, një njeriu që i keni dhënë besimin, i një deputeti, i një kryebashkiaku, i një ministri i një kryeministri, mëkëmbja juaj, mirëqenia juaj, përmirësimi i jetës tuaj. Nëse ai ka ndjenjat minimale njerëzore ky dhe vetëm ky duhet të jetë qëllimi kryesor i tij dhe i ka të gjitha mjetet për të ju përmbajtur asaj.

Kurse këta jo. Për këta ju jeni qenie inferiore, të përçmuara. Po pse ju konsiderojnë të tillë ata. Vetëm e vetëm se ju vjedhin. Është raporti. Këta qeveritarë kanë me ju, raportin që ka hajduti me viktimën. Mos e harroni këtë. Se vetëm një njeri që ka një raport të tillë, mund ti lejojë vetes të udhëtojë me çarter me dhomë gjumi, 22 mln euro, pavarësisht se e di që ai pensionisti nuk arrin të marrë as gjysmën e ilaçeve që i duhen. 

Një njeri që ka përçmim për qytetarët dhe thotë ata kështu janë mirë, mirë e kanë. Blen vazo për oborrin e tij 4 mln euro. Nuk kam dëgjuar kurrë një kryeministër që të bëjë një gjë të tillë. Sepse në ato 4 mln, 3 të paktën i vjedh dhe vetëm i vjedh. 

Ju jeni zonë me ferma, toka, ku janë investimet, ku është subvencioni. Subvencioni për fermerët në Shqipëri është 5 herë më i ulët se në Kosovë. 6 herë më i ulët se në Maqedoni. Subvencionet para se të shkojnë tek fermeri, përfundojnë në xhepat e zyrtarëve.

Ju jeni dëshmitarë se si falimentojnë fermat njëra pas tjetrës, se si bie prodhimi, se si fabrikat nuk marrin qumështin tuaj, por marrin qumështin pluhur që vjen nga Serbia, apo autobotet. 

Pse ju detyroheni të therni lopët e racës të cilat në vetvete janë një pasuri e madhe. Sepse dengu i barit për shkak të të gjithë imputeve nuk ja vlen më çmimin e qumështit me koston e lartë që ka.

Çfarë mbështetje ka për fermerët? Asgjë po thuajse. 

A është kjo një politikë e një qeverie të përgjegjshme? Kjo politika e një qeverie më të papërgjegjshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ju garantoj gjer sot qeveri më të papërgjegjshme se kjo nuk ka pasur.

Ne kërkojmë votën me datën 14 maj për Shkëlqim Hoxhën, sepse ju jo vetëm zgjidhni, njërin prej jush, një specialist, një demokrat, një qytetar të aftë të zotin, të përkushtuar, një menaxher të shkëlqyer të bashkisë tuaj, por me dërgimin e Shkëlqim Hoxhës si qytetar të parë në bashki, ju ktheni bashkinënë shtëpi të parë dhe ju jepni një goditje të merituar, një goditje të rëndë monizmit që ka vendosur Edi Rama. 

Demokratë e demokrate të Rrogozhinës dhe mbarë Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë se në monizmin e Edi Ramës, PD ka përgjegjësinë e vete. Sepse PD ja dorëzoi zgjedhjet lokale atij.

Ne jemi ata që njohim gabimet tona. Ne nuk themi nuk gabojmë, ne gabojmë por korrigjojmë gabimet. 

Sot çdo demokrate dhe demokrat në Rrogozhinë dhe në mbarë Shqipërinë duhet të votojnë kandidatët e primareve dhe nuk duhet të bëjnë kurrë lojën e Edi Ramës. kandidatët e primareve janë kandidatët e lirisë, janë kandidatët tuaj, janë kandidatët që ju i votuar, i përzgjodhët, i besuat, ata guxuan, ai guxoi erdhi para jush, ju tha unë jam Shkëlqim Hoxha, ky që më njihni. Më besoni se unë besimin tuaj do ta kthej në shërbime ndaj jush.

Ku është kandidati tjetër? Çfarë ndodh me kandidatin tjetër? Ku ti kapësh për burg janë. Apo them ndonjë gjë të pavërtetë këtu. 

Merrni me radhë. Atë e burgosin, tjetrin e thërrasin dhe i thonë, je në paraburgim. Absolutisht ju garantoj ju se si ai i Bulqizësdhe disa herë më shumë janë papërjashtim të gjithë bashkiakët e sektit të rilindjes. 

Po pse, mund të më thoni ju mua. Miqtë e mi, po vodhi kryeministri vjedhin me radhë vartësit e tij dhe nuk pyesin fare.

Pra a duhet të pyesim veten ne. A mund të votojmë ne ata të cilët ndërtojnë rrugën me 24 mln euro kilometrin, ndërtojnë shkollën me 6 mln euro. A mund të votojmë ne ata të cilët bëjnë 250 tendera sekrete të paparë. A mund të votojmë ne atë të cilin firmos për 420 mln euro për djegësa të cilët nuk ekzistojnë kërkund. 

A mund të votojmë ne për kryetar bashkie si ai i Tiranës që për çdo ton plehrash që depozitojmë në Sharrë vjedh 18 euro dhe i ndan me Edi Ramën.

Kontrata thotë 11 euro për ton, kurse ai u merr qytetarëve 29 euro për ton. I merr sikur po i djeg dhe nuk djeg 1 kg. A mund të votojmë njerëz si puna e tij i cili u vë qytetarëve taksë për ndërtimin e shkollave. E ndaluar me Kushtetutë, kushtetuta e këtij vendi u garanton ju shkollimin falas për fëmijët tuaj. Ai nuk ka kushtetutë, hajduti nuk ka kushtetutë, ligj e moral. 

A mund të votojmë ne këtë sekt për tu vjedhur më tej, që shqiptarët të ikin dhe vetëm të ikin. Mos bëhemi bashkëfajtor më tutje në këtë dramë kombëtare.

A mund të votohet kryetari i Kavajës, që merr përsipër vetëm pronat dhe pasurimin e tij. Po kështu edhe i Rrogozhinës, i Fierit i cili ka të gjithë në burg. Po pse i ka në burg, thoni ju; për djegësin e Fierit, sepse tokën bujqësore e kanë vlerësuar si truall për të mbushur xhepat me paratë e vjedhura tuaja, por kryetarit nuk i hyn gjembi në këmbë, nënpunësit futen në burg, kur në burg duhej të ishte i pari kryetari që do të kandidojë prap.

A mund të vazhdojmë ne kështu. A nuk duket se duke votuar këta ne meritojmë të na vjedhin, por ne nuk meritojmë kurrë të na vjedhin këta. Ne meritojmë që paratë tona të përdoren për rrugët, rrugicat, fermat, bizneset, rroga, pensione, për të jetuar si njerëz, për të përmirësuar Rrogozhinën, për ta bërë një vend të jetueshëm, për të përmirësuar Shqipërinë, për ta bërë një tokë të jetueshme siç është. 

Pra 14 maji është një thirrje e thellë për ndërgjegjen tonë njerëzore, është një thirrje e thellë për ndjenjat tonë njerëzore, për dhembshurinë ndaj njëri-tjetrit, për dhembshurinë për fëmijët tanë, për dhembshurinë për këtë tokë, që po e braktisin sikur të ishte tokë e mallkuar për shkak të këtyre hajdutëve. 

Ndaj dhe me lutjen time, të bashkohemi, të bashkohemi të gjithë. Pse, mos po i vuajnë vetëm demokratët këto? Jo mo jo, po i vuajnë edhe socialistët, ata pa parti dhe që të gjithë. Këtu nuk është problemi i pushtetit të këtij apo atij, por kemi të bëjmë me të ardhmen e çdo shqiptari, fatin e çdo shqiptari që nëpërkëmbët dhe shkelmohet sikur të mos ishte qenie njerëzore, nga një kastë, grup që plaçkit si shushunja pasuritë e shqiptarëve. 

Ne qëndrojmë dhe u garantojmë se PD-ja në pushtet dhe vendimtare për këtë është kthesa e 14 majit, do të bëjë gjithçka që biznesi në Shqipëri të 2-3 fishohet. Do të ulim taksat sepse ne besojmë se paratë në xhepat tuaj janë më të vlefshme se në arkën e qeverisë, se ju i administroni më mirë.

Image

Garantoj fermerët se subvencionet do të jenë në nivelin mesatar të rajonit. Se sistemi fiskal armiqësor ndaj tyre, do të anulohet javën e parë të qeverisë. Nuk ka në botë sistem që vendos zero në blerje dhe 20% TVSH në shitje. Se si të favorizojë produktet e importit dhe të lejë në fushë produktet tuaja.

Subvencioni do të 6-fishohet. Pse ata që e japin 6 herë më shumë se ne, budallenj janë ata. Jo nuk janë. Humbasin ata, jo nuk humbasin. Subvencioni në Shqipëri është fitim dhe jo humbje, është fitim për shoqërinë, për shtetin. Dhe këto janë të faktuara. 

Do të bëjmë gjithçka që të dyfishojmë sipërfaqen e vaditjes. Do të bëjmë gjithçka që fermërët të kenë të garantuar nga shteti të gjitha dëmet e paparashikuara që vijnë nga natyra. Kudo në botë fermerëve u paguhen me çmimin dysheme. Edhe në Kosovë, pyesni në Kosovë. Ua prishi moti, e paguan qeveria, pa diskutim. Sepse është forcë madhore. Qeveria e paguan jo veç në Kosovë, por kudo sepse ai do që të mbjellë edhe vitin tjetër, të prodhojë prap. 

A kanë fermerët ndonjë lehtësim për kredi? Zero. Ju garantoj se 80% e interesave do të mbulohen për kreditë e fermerëve. Garantoj të rinjtë se shkollimi i tyre do të jetë përparësi absolute. Se startupet e tyre do të kenë financim falas, se kreditë e tyre për banesën, për hapjen e çerdhes familjare do të jenë kredi të buta. Se ne do të bëjmë gjithçka që të ndërtojnë Shqipërinë që duan me ëndërrat e tyre. 

Por ne prap kemi një kusht të gjithë së bashku, me 14 duhet ti themi këtyre qeveritarëve, koha juaj ka mbaruar. Monizmi do të përfundojë.

Pra, me 14 maj ndryshimi është në duart tuaja, gjithçka është në duart, mendjen tuaj. Të bashkohemi. U bashkuam në 1992, fituam. Sot fitorja mbi monizmin do të ketë pasojat më pozitive, më të shpejta, më shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. 

Të ndalim këtë vale të tmerrshme vjedhje mbi shqiptarët. 

Çfarë bëjnë? Po marr energjinë. Çdo pasuri këta do të ua shndërrojnë ju, të dashur qytetare e qytetarë, jo në bekim, jo në mëkëmbje, jo në të ardhura, por në mallkim. Mbushën digat. Dy vitet e fundit kanë qenë vitet me më shira, të dy verat këta i kanë zbrazur digat në kuotën e vdekjes, në kuotën më minimale, kanë shitur ujin në kulmin e çmimeve, sekserëve të tyre me çmime qesharake, 25-30-35 euro kilovati në një kohë kur në bursë shitej 150-200 euro dhe këtë, biznesmenit ja rrisin çmimin me 220 lekë, sekserët energjinë e blerë e shisnin në bursë 150-200 euro dhe i ndajnë me qeveritarët. 

Pra edhe digat plot, edhe bereqeti, shiu, dhuratë e Zotit nuk bëhen, nuk shndërrohen në mirësi për qytetarët, por shndërrohen vetëm në vjedhje për qeveritarët.

Ndaj edhe njëherë të bashkohemi me 14 maj. Kemi votuar për Shkëlqim Hoxhën, por kemi votuar gjithashtu për të ardhmen që meritojmë.

Edi Rama është i tmerruar. E ka kapur tmerri, sepse e di që qytetarët shqiptarë në 14 maj do ti japin atë që meriton. Ai bëri gjithçka që PD-në, kandidatët tanë të lirisë ti lejë jashtë zgjedhjeve, por ja ku jemi më të vendosur se kurrë për fitore. 

Çdo demokrat, është i ftuar të bashkohet me ne. Të mos ndjekë Edi Ramën, as veglat e tij të shpifura, të turpshme të kapura këmbë e krye si pengje nga Edi Rama. 

Ja ku e ka katandisur veten Edi Rama, duke marrë dy pengje, duke i shndërruar ata në aleatë dhe mendon se do të përballet me ne. Kurrë, është i humbur.

Ne do të fitojmë. 

Rroftë Rrogozhina, rrofshi ju, rroftë Shqipëria! 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco