Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Kush e ka fajin për pagat e ulëta?!

Kush e ka fajin për pagat e ulëta?!

18:18, 19/03/2023
A+ Aa A-

Frenimi i emigracionit nuk zgjidhet thjesht dhe vetëm me rritjen e pagave dhe thirrje populiste pragzgjedhore, por me vullnet për të krijuar një mjedis ekonomik të qëndrueshëm, inovativ e konkurrues, rritur standardet e jetesës, forcimin e institucioneve dhe respektimin e individit, lirisë e dinjitetit të tij…

Ditët e fundit jemi bërë dëshmitarë të disa ngjarjeve të rënda, që kanë dominuar lajmet dhe diskutimet në një pjesë të opinionit publik.

Nga vrasja e një gruaje në moshë, si rezultat i një lufte bandash, në humbjet e jetëve në aksidente automobilistike të moshave të reja nga shpejtësia ekstreme, efektivi i RENEA-s, i cili u kap me shuma të pajustifikuara parash, e deri tek arrestimi i një nëne të re, e cila në pamundësi të pagesës së një mase administrative, burgoset, duke u detyruar të ndahej nga foshnja e porsalindur (si për të materializuar legjendën e Rozafës).

Këto ngjarje, në pamje të parë, mund të shikohen si të izoluara dhe incidente që mund të ndodhin kudo dhe duhen lënë të trajtohen si pjesë e kronikave të zeza.

Ndërthurja e tyre në një hark të shkurtër kohor, dhe me ngjarje të tjera të ngjashme të ndodhura në këto vite, të jep një panoramë të zymtë, por të vërtetë, të asaj se si shteti ynë i trajton shtetasit e vet, se si po e humbasim çdo ditë betejën me krimin, ndërkohë, që zbatohen standarde tërësisht të kundërta e deri ekstreme me shtresën më vulnerabël, ata që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë ndershmërisht në këtë vend.

Panorama e zymtë që na shfaqet është varfëria, kriminalizmi i ekonomisë, ku kriminelët kanë lirshëm prona dhe enden të lirë, madje edhe kur janë të dënuar apo në arrest shtëpie, ndëshkimi joproporcional, që ndikon kostot e jetesës si në rastin e nënës, e cila pranon burgun në pamundësi për të paguar gjobën.

Ngjarjet e mësipërme dhe të tjera si këto nuk mund të klasifikohen më si aksidente, në një vend ku institucionet nuk ruajnë ekuilibrin shoqëror, nuk mbrojnë shtresat në nevojë, nuk tregojnë forcën e ligjit kundrejt krimit, me të njëjtin vullnet dhe pasion si në rastin e arrestimit të nënës. Për rrjedhojë, të tilla “aksidente” kanë ardhur në rritje.

Ndërkohë, duket sikur vëmendja apo halli më i madh i qeverisë është si të frenojmë emigracionin masiv, një fenomen, që shumë shpejt mund të jetë shkatërrues për një ekonomi të brishtë si Shqipëria.

Fenomen, të cilin “Monitor” e ka trajtuar në vazhdimësi dhe që është përkthyer në debat ekonomik dhe publik. Si në çdo debat të cekët, ku mungon vullneti për t’u përballur me problemin real, nuk vonoi dhe zgjidhja që Qeveria mendon se do të frenojë largimin masiv të shtetasve – të kalojmë gjithë barrën e fajit te sektori privat, se nuk rrit pagat.

Rritja e pagave, në fakt, ka filluar. Por rritja e pagave është e nevojshme të jetë e shëndetshme dhe e bazuar në produktivitet.

Rritjet e deritanishme, më tepër sesa në rritjen e shëndetshme dhe afatgjatë të produktivitetit, bazohen kryesisht në presionin e ikjes së punonjësve në emigracion dhe nxitimit të qeverisë për të çuar pagën minimale në 40, 45 apo 50 mijë lekë, përpara zgjedhjeve lokale.

Ndërsa kryeministri u kërkon sipërmarrësve të rrisin pagat, “faji” kryesor qëndron në modelin ekonomik të promovuar nën vitet e drejtimit të tij, në të cilin, kapitalet e lira po kanalizohen në sektorin e ndërtimit, çdo politikë ekonomike, sidomos bashkiake, ka në thelb derdhjen e betoneve, ndërsa bizneset e tjera të shërbimit apo prodhuese, po trajtohen si “keqbërëse”, duke u dhënë goditjen e fundit nëpërmjet rritjes së taksave.

Shumë industri përpunuese janë dorëzuar tashmë përballë importeve (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës), që janë bërë relativisht më të lira, edhe si rrjedhojë e zhvlerësimit të vazhdueshëm të Euros në Shqipëri.

Ky zhvlerësim është një dukuri e qartë që nuk vjen nga të ashtuquajturit fondamente ekonomike, por nga hyrja e parave informale, të cilat, në afat të gjatë, nuk i sjellin asnjë të mirë ekonomisë, përkundrazi po shkaktojnë zhbalancime të mëdha në treg!

Në fund të ditës, kosto e këtij modeli të paqëndrueshëm ekonomik i kalon përsëri qytetarit konsumator, duke krijuar spirale pagë-çmim dhe rënie të kërkesës për mallrat vendase, si në tregun e jashtëm, edhe atë të brendshëm, fenomen që po ndodh dukshëm në produktet ushqimore, si industria e përpunimit të qumështit, apo prodhimi i birrës e pijeve alkoolike.

Frenimi i emigracionit nuk zgjidhet thjesht dhe vetëm me rritjen e pagave dhe thirrje populiste pragzgjedhore, por me vullnet për të krijuar një mjedis ekonomik të qëndrueshëm, inovativ e konkurrues, rritur standardet e jetesës, forcimin e institucioneve dhe respektimin e individit, lirisë e dinjitetit të tij.

Emigrimi nuk vjen vetëm nga paga e ulët por, nga kostot e tjera, veçanërisht ato që shkakton keqveprimi dhe paaftësia e administratës shtetërore, e cila përfundon edhe me kosto të vetë jetës së njeriut.

Qeveria duhet të gjejë rrugët dhe mjetet si të rrisë standardet e shtetit ligjor e të krijojë kushtet për funksionimin e një tregu konkurrent e të lirë. Një treg i tillë nuk krijohet me thirrje populiste, por i adreson vetë nevojat për tërheqjen dhe mbajtjen e forcës së punës së kualifikuar.

Edhe rritja e imponuar e pagës minimale po çon në humbjen e avantazhit më të madh konkurrues që kishte vendi, atë të krahut të lirë të fuqisë punëtore, pa krijuar një avantazh të ri, atë të kalimit drejt një ekonomie të orientuar nga inovacioni, por ironikisht po shkohet drejt një ekonomie të orientuar nga betoni! /Monitor/

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco