Tenderat për rrugët në Kamëz, PL: Fondet publike po trajtohen si kuleta e kryetarit të bashkisë. Më 14 Maj i japim fund grabitjes

Tenderat për rrugët në Kamëz, PL: Fondet publike po trajtohen si kuleta e kryetarit të bashkisë. Më 14 Maj i japim fund grabitjes

13:58, 19/03/2023
A+ Aa A-

Anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Faik Basha ka denoncuar shkeljet me tenderat e rrugëve në Bashkinë e Kamzës.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PL, ai u shpreh se tenderat vazhdojnë t’i jepen klientëve të rilindjes duke shkelur çdo ligj dhe duke i trajtuar taksat e shqiptarëve si plaçkë tregu.

“14 maji do të jetë dita kur do t’i jepet fund grabitjes së fondeve publike që janë djersa dhe mundi i taksave të qytetarëve të ndershëm dhe dita kur Bashkia do t’u kthehet qytetarëve që do të dëgjohen dhe do të kërkojnë llogari”, shprehet ai.

Deklarata e plotë

Grabitja nga rilindja e parave të taksave vazhdon pa u ndalur në Bashkinë e Kamzës. Është fakt skandaloz që tenderat vazhdojnë t’u jepen klientëve të rilindjes duke shkelur çdo ligj duke i trajtuar taksat e shqiptarëve si një plaçkë tregu.

Kjo situatë është parë qartë në 34 prokurime të Bashkisë së Kamzës, që rezultojnë me shkelje ligji. Kryerja e tenderave me shkelje ligjore është bërë një proces i zakonshëm, në Bashkinë e Kamzës, siç dëshmohet edhe nga tenderi më i fundit nga Ujësjellës Kanalizimeve  Kamëz.

Sipas “Openprocurement”, fakti shqetësues për të gjithë tenderat e fituar në këtë bashki, lidhet me skualifikimet e të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit, duke përmendur tenderin me vlerën më të lartë të prokuruar nga Bashkia Kamëz, atë për ndërtimin e rrugës së Frutikulturës, e cila kushton 85 milionë e 270 mijë lekë dhe tenderin e ndërtimit të Rikualifikimit Urban të rrugës “Kujtesa”, i cili kushtoi 78 milionë lekë, për të cilin ndër 12 garues, u skualifikuan të gjithë, përveç fituesit.

Po e njëjta gjë ka ndodhur në tenderin e ndërtimit të rrugës Babrru Shpat, pasi gjithashtu, edhe për të, të gjithë pjesëmarrësit në konkurs u skualifikuan me përjashtim të kompanisë fituese, e cila ka ofruar shërbimin e saj me një vlerë shumë afër limitit të Bashkisë, konkretisht 64 milionë lekë.

Kjo metodologji korruptive dhe e përsëritur, jo vetëm në Bashkinë Kamëz, është batërdi me fondet publike dhe i trajton ato si kuleta e Kryetarit të Bashkisë duke shkelur haptas ligjin.

Qytetarët e Kamzës kanë të drejtë absolute për llogaridhënie dhe transparencë, për të gjitha proceset e prokurimit publik nga Bashkia Kamëz.

Partia e Lirisë, u bën thirrje Institucioneve të drejtësisë të marrin masa të menjëhershme për hetimin e kësaj situate, për të vënë para përgjegjësisë autorët e kësaj masakre financiare, të cilët nëpërmjet taksave të qytetarëve kënaqin orekset e klientëve të rilindjes.

14 maji do të jetë dita kur do t’i jepet fund grabitjes së fondeve publike që janë djersa dhe mundi i taksave të qytetarëve të ndershëm dhe dita kur Bashkia do t’u kthehet qytetarëve që do të dëgjohen dhe do të kërkojnë llogari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco