SYRI TV/ Inceneratori i Elbasanit djeg vetëm 'paratë', bashkitë paguajnë

12:49, 13/03/2023
A+ Aa A-

Ndërkohë që mbetjet urbane të bashkive të qarkut Elbasan hidhen dhe digjen buzë lumit Shkumbin, këto bashki nuk ndalin milionat për inceneratorin. Në pak ditë, bashkia Elbasan dhe Librazhd kanë paguar plot 150 mijë euro në llogari të inceneratorit. Nga ana tjetër, mjetet e bashkisë Elbasan janë filmuar duke hedhur mbetjet urbane buzë lumit Shkumbin, ndërsa të dielën Syri Televizion solli pamje nga landfilli ilegal ku hidhen dhe digjen këto mbetje 3 km larg inceneratorit. 

Nga SYRI TV

Teksa mbetjet urbane të bashkisë Elbasan depozitohen dhe digjen buzë lumit Shkumbin, inceneratori që u ka kushtuar 26 milionë euro qytetarëve shqiptarë, vijon të djeg vetëm paratë e taksapaguesve.

Inceneratori i Elbasanit është prej javësh jashtë funksionit, pasi ndodhet për remont, ndërsa në landfillin e tij nuk depozitohen më mbetje. Por, ndonëse ky objekt nuk punon, bashkia Elbasan dhe Librazhd, kanë derdhur në llogaritë e inceneratorit plot 150 mijë euro gjatë javës së parë të muajit mars.

Syri Televizion ka zbardhur se nga data 6 deri në datën 10 mars, bashkia Elbasan dhe Librazhd kanë kryer plotë 12 transferta parash në llogari të shoqërisë aksionere ECO-ELB, që drejtohet nga 7 bashkitë e qarkut Elbasan.

Bashkia Elbasan, e cila është bashkia me shumicën e aksioneve të shoqërisë ECO-ELB, ka kryer plot 6 transferta parash në llogari të shoqërisë brenda një dite të vetme, pikërisht datës 10 mars.

Ndërkohë, katër transferta janë kryer midis datës 6 dhe 8 mars. Në total, bashkia Elbasan ka depozituar në llogari të inceneratorit më shumë se 100 mijë euro brenda katër ditëve, pavarësisht se ky objekt nuk funksionon.

Por, këto janë vetëm paratë që bashkitë paguajnë si tarifë për incenerimin e mbetjeve, pasi miliona të tjera nga kjo bashki i paguhen shoqërisë ALKO-IMPEX për grumbullimin dhe dërgimin e tyre në incinerator.

Ndonëse ky objekt është nën sekuestro nga SPAK, kjo nuk i ka penguar bashkitë të financojnë inceneratorin.

Por ajo që e rëndon më shumë këtë situatë, është fakti se financimi i këtij objekti nga bashkitë, vjen në një kohë kur inceneratori është jashtë funksionit dhe mbetjet urbane digjen 3 km larg tij, duke shkaktuar katastrofë mjedisore për qytetin e  Elbasanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco