Këlliçi: Veliaj, kandidat i dobët. Ka bilanc katastrofik për Tiranën. Jam modeli ndryshe në politikë

Këlliçi: Veliaj, kandidat i dobët. Ka bilanc katastrofik për Tiranën. Jam modeli ndryshe në politikë

00:51, 10/03/2023
A+ Aa A-

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka theksuar se rivali i tij, Erion Veliaj është më i dobëti që mund të vendosej përballë.

I ftuar në emisionin “Ditë pas Dite” në RadioTelevizionin Shqiptar, Këlliçi është shprehur se Veliaj ka një bilanc katastrofik për Tiranën. Ndërsa vuri në dukje se ai do të jetë një model ndryshe në politikë.

Sipas Këlliçit, Veliaj ka pasur mundësi për të bërë punë të mira në këto 8 vite, gjë që nuk mund t’i bëjë për mandatin tjetër.

“Jo, është kandidati më i dobët i mundshëm dhe këtë ta them me bindje absolute. Askush tjetër nuk mund të kishte një bilanc tjetër katastrofik për Tiranën. Mund të duket arrogancë. Por unë nuk i trembem së vërtetës. Para se të vija këtu kam qenë në disa fshatra të Tiranës.  Kryebashkiaku aktual e ka pasur mundësinë ta provojë veten me punë. Nuk besoj se ka ngelur diçka pa e bërë në këto 8 vite që duhet ta bëj edhe për 4 vite të tjera. Gjykoj se ka ardhur momenti për të pasur një model ndryshe në politikë, ndaj i jam futur kësaj beteje me bindjen absolute që do t’i dal në krye sepse kështu ia kam dalë edhe herë të tjera”, është shprehur Këlliçi.  

Premtimet
Këlliçi shpjegoi se ai do të premtojë në këtë fushatë elektorale punë që mund të realizohen për Tiranën dhe jo ato që mund të mbeten thjesht në letër.

“Me një qëllim të përcaktuar qartë, në momentin që do të futem në fushatë zyrtare dhe do të shkoj të bëj premtimet konkrete, nuk ka rëndësi që unë do të shkoj dhe të premtoj gjëra që edhe vetë do ta di që nuk do të jenë të realizueshme. Nuk ka pse të jem megaloman. Premtoj me këmbë në tokë. Nuk mund ta fsheh ndjesinë e turpit që kandidati për kryetar bashkie në Tiranë duhet të kërkojë akoma ujë të pijshëm në Tiranë. Turp për të gjithë klasën politike shqiptare”, theksoi Këlliçi.

Hyrja në politikë
Këlliçi rrëfeu ndër të tjera se përveçse ai e ka vokacion të vetin politikën, ai e ka atë edhe traditë familjare.

“E kam pasur vokacion timin personal por edhe e kam traditë familjare. Stërgjyshi im ka qenë deputet i Tiranës, në 5 prill 1921 në parlamentin e parë shqiptar. Jam rritur me këtë frymë nga prindërit e mi që duhet të japësh kontribut për Tiranën, nga babai dhe xhaxhai. Edhe në gjimnaz kam qenë i angazhuar, kam qenë pjesë e Parlamentit rinor. E kisha dëshirë, e kisha prirje dhe nuk ka qenë asnjëherë pikëpyetje për mua pjesëmarrja në politikë”, tha kandidati i djathtë.

Ai u shpreh gjithashtu se bën përjashtim nga rastet e katapultimit në politikë.

“Kam punuar 12 vite për t’u zgjedhur deputet por që edhe pse më ka marrë shumë kohë më ka dhënë një besim te aftësitë e mia, te vetja dhe te mundësitë që kam. Sigurisht mund të jetë rruga më e gjatë por mund të jetë rruga më e sigurtë. Edhe më vjen mirë që nuk jam nga ato rastet e katapultimit dhe mund të më ishin hapur dyert.  Në zgjedhjet e fundit kam qenë deputeti më i votuar i opozitës dhe shtrëngimit të mijëra, mijëra duarve dhe takimeve në terren. Në politikë duhet të jesh i vërtetë, nuk ke pse gënjen. Nuk kam pse them këto historitë e fiqve dhe të kalimit të malit në këmbë”, ka nënvizuar Këlliçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco