A mundet KLGJ të ndalë reagimin qytetar pas vendimit politik të Apelit?

A mundet KLGJ të ndalë reagimin qytetar pas vendimit politik të Apelit?

22:17, 09/03/2023
A+ Aa A-

Nga Boldnews.al

A ka detyrimin opinion publik që të ketë besim apriori tek vendimet e gjykatave? Gjyqtari i Arkansasit, David J. Sachar thotë se “është detyrë e gjyqësorit që të krijojë besim tek qytetarët” në një analizë të publikuar më herët në faqen zyrtare të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet (UNDOC).

Sërish, a janë të detyruar qytetarët që të besojnë çdo vendimmarrje të Gjykatave? Një sondazh i organizatës “Gallup”, i publikuar në vitin 2022, zbuloi se vetëm 25 përqind e amerikanëve kanë besim tek vendimet e Gjykatës Supreme, duke shënuar një rekord negativ perceptimi. Pra, edhe në “vendin e lirive” nuk përbën mëkat mos-besimi ndaj sistemit të drejtësisë.

A mund të jetë mirëkuptues opinioni publik, ose të paktën një pjesë e rëndësishme e tij, kur një vendim gjykate “as mish, as peshk” rrezikon pjesëmarrjen e rregullt të opozitës në zgjedhje, duke cënuar rëndë edhe demokracinë? 

Në këtë pikë, debati është shumë delikat dhe diskutimet e opinionit publik, ndoshta edhe me emocione të forta, jo vetëm që janë të pranueshme, por edhe të domosdoshme.

Gjyqtari i Arkansasit, Sachar, mban qëndrimin se “vendimet që njerëzit duhet të besojnë kanë ardhur nga zyrtarë gjyqësorë kompetentë, të ligjshëm dhe të pavarur”.

A ishte i pavarur Apeli?
A ishin tre gjyqtarët e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaj, Elona Mihali dhe Irida Kacerja “kompetentë, të ligjshëm dhe të pavarur” kur vendosën në 3 mars 2023 që të mos i jepnin zgjidhje përfundimtare çështjet së legjitimitetit të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike?

Për shumicën e demokratëve, të atashuar pranë ish-kryeministrit Sali Berisha, vendimmarrja e gjykatës së Apelit ishte një goditje e fortë dhe gati asgjësuese për pluralizmin në Shqipëri.

Përfaqësues të spikatur të Partisë Demokratike kanë folur me tone të ashpra për vendimin e trupës gjykuese, duke nxitur reagimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Në një deklaratë me tone mbrojtëse, por diku-diku edhe politike, Këshilli i Lartë Gjyqësor e konsideron “shqetësuese dhe të papranueshme” atë që institucioni e cilëson si “gjuhë urrejteje ndaj gjyqtarëve”.

KLGJ thekson se “Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit”.

Por, në rastin konkret, pakënaqësia nuk është krijuar tek një palë për një vendim në favor të palës tjetër.

Procesi për regjistrimin e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike ishte një proces “pa palë kundërshtare”.

Por, vendimmarrja e gjyqësorit krijoi “një palë kundërshtare” që nuk ekzistonte dhe këtu është gjeneza e kundërshtisë së fortë politike dhe publike.

Gjyqësori shpiku “palë”
Për të kuptuar më së miri “pakënaqësinë e palës humbëse” tek Apeli, duhet të kthehemi në zhvillimet e fund-vitit 2021.

Partia Demokratike, në statusin dhe rregulloret e saj të brendshme organizative, ka parashikuar dy mënyrë për zgjedhjen e strukturave drejtuese;

– Mënyra e parë është ajo më normalja, ku kryetari dhe drejtuesit e tjerë zgjidhen në një proces rutinor që kalon nëpërmjet strukturave në qendër.

– Mënyra e dytë, që mund të përdoret në raste të rralla, është zgjedhja e strukturave drejtuese nga anëtarësia, nëpërmjet rregullave të miratuara nga ajo parti.

Kjo mënyrë e dytë u aplikua për herë të parë në Dhjetor 2021, kur “Grupi i Rithemelimit”, të bashkuar rreth Sali Berishës, angazhuar anëtarësinë dhe vendosën shkarkimin e të gjithë grupit drejtues të Partisë, duke filluar nga kryetari i asaj kohe, Lulzim Basha.

Pas këtij vendimi kolegjial të anëtarësisë, Grupi i Rithemelimit iu drejtua Gjykatës së Tiranës për të kryer regjistrimet përkatëse në Regjistrimin e Partive Politike.

Paralelisht, grupi politik i drejtuar nga Lulzim Basha, i drejtohet Gjykatës për regjistrimin e disa ndryshimeve statutore, të miratuara nga kryesia e partisë në Korrik të atij viti. Pas dorëzimit të kësaj kërkese, Grupi i Rithemelimit kërkoi të përfshihej si palë në këtë proces, ku do të prezantonte kundërshtitë e tij.

Gjyqtarja e çështjes, Blerina Muça, nuk e pranoi këtë kërkesë të Grupit të Rithemelimit, me argumentin se proceset e regjistrimit të ndryshimeve statutore partiake nuk janë “me palë”.

Në raste të tilla, gjykata nuk kryen një proces gjyqësor “standart”. Më shumë, është një lloj noterizimi i vendimmarrjes së partisë politike, ku gjykata vlerëson nëse janë respektuar përcaktimet statutore, si edhe nëse ndryshimet në formacionin politik nuk prekin parimet kushtetuese.

Pra, vendimi i gjyqtares Muça, e cila nuk pranoi “palë” Grupin e Rithemelimit në atë moment ishte i logjikshëm.

Ndërkohë, gjykata e Tiranës, me gjyqtar Agron Zhukrin, po shqyrtonte kërkesën e Grupit të Rithemelimit për regjistrimin e vendimmarrjes së procedurës “së veçantë”, atë të ndryshimit të kuadrit drejtues me vendimmarrje nga anëtarësia.

Në Mars 2022, gjykata pranoi kërkesën e Grupit të Rithemelimit, nëpërmjet të cilit shkarkohej Lulzim Basha dhe e gjithë kryesia e deri-atëhershme e Partisë Demokratike.

Grupimi “Basha”, i cili në atë moment përfaqësohej nga Enkelejd Alibeaj pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, e ankimoi vendimin e Zhukrit, duke pretenduar se duhet të ishte “palë” në procesin e kërkuar nga Grupi i Rithemelimit.

Kërkesa e grupimit që tashmë emërtohej “grupi Alibeaj”, u shqyrtua nga gjyqtarja Blerina Muça, e cila, në kundërshtim të plotë me standartin që kishte vendosur më herët, vendosi të pranojë të rregullt kërkesën e përfaqësuesve të Enkelejd Alibeaj për t’u konsideruar “palë” dhe për t’i njohur të drejtën e ankimit, me një vendim të marrë në Maj 2022.

Pas rreth një viti, ankimi i “Grupit Alibeaj” u shqyrtua në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Treshja gjykuese, Kalaja-Kacerja-Mihali vendosi të pranojë ankimin e “palës Alibeaj” dhe ta rikthejë çështjen e emërimit/zgjedhjes së strukturave drejtuese të Partisë Demokratike në shkallë të parë.

Goditje për pluralizmin
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Gjykata e Apelit nuk e ka zbardhur vendimin e saj. Megjithatë, për aq sa kuptohet nga vendimmarrja, duket qartë se gjykata nuk i ka hyrë themelit të çështjes, por duhet të ketë konstatuar mangësi proceduriale, për sa kohë vendosi ta rikthejë në shkallën e parë.

Por, më e rëndësishmja në vendimmarrjen e Apelit është që grupimi “Alibeaj” u pranua si palë në ankim, ndërkohë që nuk ishte palë në procesin gjyqësor të shkallës së parë.

Dhe, në këtë pikë, rikthehemi në pikën fillestare të diskutimit – kur vendimi i gjykatës shkel disa parime të forta ligjore, siç është edhe ai i legjitimitetit të palëve, a ka të drejtë opinioni publik të reagojë kundër gjyqësorit?

Për më tepër, nëse vendimmarrja “e habitshme” e gjyqësorit cënon pjesëmarrjen e partisë kryesore opozitare në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, a kanë të drejtë të acarohen mbështetësit e Partisë Demokratike?

Për të cituar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Theodore Roosevelt: “Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën të; as nuk kërkojmë leje nga dikush kur i kërkojmë që t’i bindet atij. Bindja ndaj ligjit kërkohet si një e drejtë, nuk kërkohet si favor”.

Dhe bindja ndaj ligjit, në fillim u takon gjyqtarëve. E më tej qytetarëve.

Dhe kur gjyqtarët nuk i binden ligjit, qytetarët kanë të gjithë të drejtën që të reagojnë ndaj vendimmarrjeve gjyqësore, pavarësisht thirrjeve pa brumë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco