Çështja 'Geron Xhafaj'/ Argumentet e plota për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri

Çështja 'Geron Xhafaj'/ Argumentet e plota për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri

19:02, 07/03/2023
A+ Aa A-

Nga Boldnews.al

Procesi i Vetingut për bashkëshortët Sokol Sadushi e Edlira Petri, njëri kryetar në detyrë i Gjykatës së Lartë dhe tjetra gjyqtare në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, është shoqëruar me pikëpyetje të shumta për favorizim të subjekteve të rivlerësimit.

“Boldnews.al”, nën administrimin e gazetarit Jetmir Olldashi, në një seri shkrimesh të publikuar në periudhën Korrik-Gusht 2020, ka identifikuar një seri handikapesh, në procedurat e verifikimit të kryera nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për kandidaturën e Sadushit dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për rivlerësimin e Petrit.

Image

Rreth 6 muaj më pas, në Janar të vitit 2021, Edlira Petri shortohet si relatore në procesin gjyqësor, të iniciuar nga gazetari Olldashi dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, të cilët kundërshtojnë vendimin e gjyqtarit të Tiranës, Artan Gjermeni, i cili i shpalli fajtor për “kallëzim të rremë” ndaj Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Procesi në Apel është vonuar për shkak të problemeve të Gjykatës dhe për çështje të tjera proceduriale.

Këtë të Martë (7 Mars 2023), gjykata e Apelit, me trupë Edlira Petrin si relatore dhe anëtarë Elona Toro e Genti Shala, nisi shqyrtimin e ankimit.

Avokatët mbrojtës të gazetarit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në fillim të seancës, paraqitën kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Petri, duke paraqitur argumentat e tyre se përse vlerësojnë që ajo nuk do të jetë e paanshme në gjykim.

Argumentet e Olldashit
Përfaqësuesi ligjor i gazetarit Olldashi, në kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Petri, u mbështet në të paktën dy argumenta kryesorë.

1.Mbrojtja solli në vëmendje të gjykatës se agjencia mediatike on-line “Boldnews.al”, e drejtuar nga Jetmir Olldashi, në përmbushje të misionit për informim dhe kontroll të aktivitetit të institucioneve publike, ka raportuar për problematikat në procesin e rivlerësimit të gjyqtares Edlira Petri, dhe bashkëshortit të saj, Sokol Sadushi.

“Në këto artikuj kritika dhe dyshime në lidhje më vlerësimin dhe konfirmimin në detyrë të magjistratëve Edlira Petri dhe Sokol Sadushi të cilët janë bashkëshort duke përmendur në mënyrë të vazhdueshme cënimin e standarteve të krijuara më parë nga ana e trupës së KPK-së për vlerësimin e magjistratëve.

Qëndrimi kritik dhe dyshimet e ngritura në lidhje me pasurinë e bashkëshortëve dhe të magjistratëve Petri dhe Sadushi ka qënë konstant dhe i vazhdueshëm dhe ky investigim gazetaresk ka filluar shumë kohë më pare se i pandehuri të kishte dijeni në lidhje me caktimin e relatorit që do të gjykonte çështjen e tij penale në Gjykatën e Apelit Tiranë”, citohet në kërkesën për përjashtimin e gjyqtares relatore, Edlira Petri.

Image

2. Po ashtu, në kërkesë përmendet gjithashtu fakti se bashkëshorti i Edlira Petrit, gjyqtari Sokol Sadushi, ka shqyrtuar më herët një kërkesë proceduriale të Jetmir Olldashit, e cila lidhet me çështjen “Geron”.

Kërkesa e Olldashit drejtuar Gjykatës së Lartë ishte përjashtimi i gjyqtarit Artan Gjermëni nga shqyrtimi i çështjes së themelit në shkallë të parë, për shkak të konfliktit të interesit.

Avokati mbrojtës i Olldashit kishte njohje dhe lidhje me gjyqtarin Gjermëni. Për këtë shkak, në një proces të mëparshëm, gjyqtari Gjermëni kishte paraqitur dorëheqjen, e cila i ishte pranuar.

Por, kur u shortua për të shqyrtuar çështjen “Geron”, me të pandehur Jetmir Olldashin e Ervin Salianjin, gjyqtari Gjermëni jo vetëm që nuk paraqiti dorëheqjen për shkak të njohjes me avokatin e gazetarit, siç kishte vepruar më parë, por e vijoi procesin penal rregullisht.

Gazetari Olldashi u ankua në Gjykatën e Lartë, ku kërkonte përjashtimin e Artan Gjermënit. Kolegji i Gjykatës së Lartë, nën drejtimin e Sokol Sadushit, e konsideroi të papranueshme kërkesën e Jetmir Olldashit në vitin 2020.

Image

Për këto dy arsye thelbësore, mbrojtja e Jetmir Olldashit kërkoi përjashtimin e relatores Edlira Petri nga shqyrtimi i themelit të çështjes në Apel, për shkak të bindjes se gjyqtarja nuk do të jetë e paanshme.

Argumentet e Salianjit
Një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri u dorëzua në seancën e së Martës edhe nga përfaqësuesi ligjor i deputetit demokrat, Ervin Salianji.

Avokati i politikanit ritheksoi faktin se bashkëshorti i gjyqtares Petri, Sokol Sadushi, ka shqyrtuar kërkesën proceduriale në Gjykatën e Lartë, që lidhej me përjashtimin e gjyqtarit të shkallës së parë, Artan Gjermëni nga shqyrtimi në themel i çështjes “Geron”.

Po ashtu, mbrojtja e Salianjit ka konstatuar edhe disa qëndrime e sjellje të gjyqtares relatore, të cilat krijojnë dyshime të forta se zonja Petri ka bërë gjithçka që ta mbante në dorën e saj çështjen “Geron”, duke shkelur ligjin dhe aktet nënligjore që lidhen me paanshmërinë e gjyqtarit dhe shortimin e çështjeve në Gjykatën e Apelit.

Image

Përfaqësuesi i Salianjit konstaton se Edlira Petri, në cilësinë e gjyqtares së ngarkuar për marrëdhëniet me median në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, ka mbajtur qëndrime për çështjen “Geron”, të cilat shkojnë përtej komunikimit institucional, duke shprehur terma me ngarkesë qartazi politike.

Për të mbështetur këtë qëndrim, avokati i Salianjit citon Deklaratën për Media, datë 17.05.2022, të hartuar nga Edlira Petrit dhe të publikuar në faqen e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila lidhej me reagimin pas deklaratave publike për shqyrtimin gjyqësor të çështjes së lidershipit të Partisë Demokratike.

“Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.

(…)

Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta”.

Image

Për deputetin Salianji, ky qëndrim i gjyqtares Petri tregon, më së paku, mungesë paanshmërie në gjykimin e zyrtarëve opozitarë.

Gjithashtu, përfaqësuesi i Salianjit kërkon përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, pasi konstaton një këmbëngulje të saj për të shqyrtuar çështjen “Geron”, duke shkelur aktet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të vetë Këshillit të Gjykatës së Apelit, për aspekte që lidhen me shortimin dhe ndarjen e çështjeve.

Ankimi i Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit është regjistruar në Gjykatën e Apelit të Tiranës në 19 shkurt 2020 dhe shorti caktoi relator gjyqtarin Shkëlqim Mustafa.

Pas largimit të tij nga detyra, çështja është rishortuar në 19 janar 2021 dhe relator u caktua Edlira Petri.

Në datën 7 qershor 2022, palët janë njoftuar me anë të shkresës “Njoftim” datë 23 maj 2022, se është përcaktuar 4 korriku 2022 si datë për zhvillimin e çështjes gjyqësore në lidhje me këtë çështje.

Image

Pse kanë rëndësi këto data?

Në 1 qershor 2022, Gjykata e Apelit, pasi është shtuar me të paktën tre gjyqtarë, ka rishortuar dosjet që nuk kishin kaluar për gjykim.

Nga këtë short përfshiheshin të gjitha dosjet, për të cilat deri në atë moment nuk u ishte caktuar data e nisjes së procesit gjyqësor.

Nga aktet e vëna në dispozicion palëve, rezulton se gjyqtarja Petri ka vendosur në 23 Maj 2022, pra para 1 Qershorit 2022, datën dhe orën e seancës gjyqësore.

Por, siç konstaton mbrojtja e Salianjit, përcaktimi i datës dhe orës së seancës (e parashikuar për në dt. 4 Korrik 2022), nuk ishin regjistruar në sistemin RIV të Gjykatës në momentin e përcaktimit të tyre. Sipas mbrojtjes së Salianjit, regjistrimi datës dhe orës së seancës gjyqësore është vendosur në Regjistrin e Veprimeve (RiV) rreth 45 ditë më pas.

Mbrojtja e Salianjit konstaton se gjyqtarja Petri e ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim, pa e regjistruar në sistemit RIV, me qëllim që ta përjashtonte nga rishortimi i datës 1 qershor 2022 në Gjykatën e Apelit.

Caktimi i seancës për çështjen “Geron”, pa pasur përparësi, është një tjetër argument që krijon dyshimet e mbrojtjes së Salianjit se gjyqtara Edlira Petri ka bërë gjithçka për ta mbajtur rastin në duart e saj.

“Kjo çështje nuk plotëson asnjë nga kriteret e parashikuara në nenin 426 të K.Pr.Penale për gjykimin e saj me përparësi, pasi së pari nuk ka të bëjë me procedura ekstradimi për jashtë shtetit, së dyti, në momentin e kryerjes së njoftimit, por dhe më parë, nuk ka qenë asnjë i pandehur i paraburgosur dhe së treti nuk është një çështje për të cilën Gjykata e Lartë të ketë vendosur më parë prishjen e saj dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në këtë Gjykatë”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes së Salianjit për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri.

Në vijim, thuhet se: “Në kushtet kur jemi në dijeni që gjyqtarja për të cilën kërkohet përjashtimi ka çështje penale të regjistruara që nga viti 2017 e në vijim për të cilat ende nuk ka caktuar data për zhvillimin e seancave gjyqësore, caktimi i seancës gjyqësore për një çështje penale të regjistruar në shkurt të vitit 2020 kur nuk plotëson asnjë nga kriteret për përparësi në shqyrtim në zbatim të nenit 426 të K.Pr.Penale, na bën të besojmë se caktimi i kësaj seanca gjyqësore në kundërshtim të K.Pr.Penale, është bërë me qëllim mosrishortimin e kësaj çështjeje në zbatim të Vendimit Nr. 7, datë 01.06.2022 të Këshillit të Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Për Salianjin dhe mbrojtësin e tij, “një veprim i tillë, në cënim të nenit 426 të K.Pr.Penale, na bën të dyshojmë se është bërë me qëllim mbajtjen e kësaj çështjeje nga gjyqtarja relatore, çka hedh hije dyshimi mbi paanshmërinë e saj në kuptim të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor, parim ky që po ashtu është i sanksionuar edhe në KEDNj”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco