Afera Rama-McGonigal/ ‘E gjithë bota po qesh se sa lirë blihen amerikanët’

Afera Rama-McGonigal/ ‘E gjithë bota po qesh se sa lirë blihen amerikanët’

10:38, 09/02/2023
A+ Aa A-

Nga Travis Gettys, RAW STORY

E dashura e një agjenti të akuzuar të FBI-së, zbuloi këtë javë sekrete se si ai përdorte një telefon rezervë, mbante kontakte misterioze, shkëmbente zarfa në restorante luksoze apo edhe çanta plot me para.

Allison Guerriero ishte në një lidhje me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, kur ai ishte agjent special në krye të divizionit të kundërzbulimit në Nju Jork. Ajo i tha Insider në një intervistë të gjatë se ai ishte joshur nga përfitimet luksoze që vinin nga një botë e mbushur me spiunë dhe oligarkë.

“Ai nuk ishte i përgatitur për të gjithë këto para, për të gjithë këta lojtarë të fuqishëm. Ai duhej të kishte qëndruar në periferinë e tij të vogël dhe të lezetshme, duke kositur barin dhe duke luajtur softball,” tha Guerriero.

Një aktakuzë pretendon se McGonigal përdori autoritetin e tij për të ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska për të anuluar sanksionet e SHBA me ndihmën e Sergey Shestakov, një ish-diplomat sovjetik i kthyer në përkthyes gjykate. Guerriero tha se ka parë se si McGonigal mori prej tij tre ose katër herë zarfe të mëdhenj nga mesi i vitit 2017 deri në fund të vitit 2018.

“Unë thjesht supozoja se ishte diçka që Sergey e kishte përkthyer nga rusishtja në gjykatë. Ose diçka nga një burim. Mund të kishin qenë plotësisht legjitime,” tha ajo.

Ose mund të ketë qenë diçka më e keqe dhe FBI ende po përpiqet që të zbulojë se sa larg shkon implikimi i tij me oligarkun e sanksionuar.

“Ajo që McGonigal dhe të gjithë këta budallenjtë këtu nuk e kuptojnë është se për Deripaska-t e botës, kjo është sikur të blesh në një supermarket,” tha një burim i brendshëm i Uashingtonit me dekada përvojë në financat ndërkombëtare. “Ata po qeshin se sa lirë është që të blesh amerikanët”.

E djathta, përfshirë Donald Trump, thonë se McGonigal ndikoi në mënyrë të papërshtatshme në hetimin rus ndaj ish-presidentit, ndërsa disa të majtë besojnë se ai ndihmoi në drejtim të zgjedhjes së Trump në vitin 2016, por FBI këmbëngul se është një rast i thjeshtë korrupsioni që nuk ka asnjë ndikim në politikë.

“Ne jemi ata që e këmi vënë në pranga,” tha një zyrtar i lartë i FBI për Insider.

Miqtë dhe fqinjët e përshkruajnë McGonigal si një agjent të zakonshëm të FBI-së në një nivel ekzekutiv, një republikan centrist që lexonte ‘The Economist’ dhe herë pas here shikonte Fox News. Por Guerriero tha se ai kishte thënë se nuk shkoi të votonte në vitin 2016 sepse nuk i pëlqente asnjë nga kandidatët, ndërsa mburrej se luante në fushat luksoze të golfit të Trump, por edhe përçmonte premtimin e Trump për të ‘tharë kënetën’.

Aktualisht nuk ka asnjë provë që McGonigal ka kryer spiunazh, por një burim i FBI-së konfirmoi se një hetim vazhdon dhe Guerriero nuk mund të japë shumë sqarime për motivet e krimeve të supozuara të ish-dashnorit të saj.

“Ai tha se kishte nevojë për të fituar më shumë para,” tha ajo. “Ai kishte dy fëmijë për të dërguar në kolegj”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco