‘Mes Edi Ramës dhe McGonigal ka patur vetëm një aferë mafioze e politike’/ PL: Më 11 shkurt para Kryeministrisë, ta shkulim nga rrënjët regjimin mafioz

‘Mes Edi Ramës dhe McGonigal ka patur vetëm një aferë mafioze e politike’/ PL: Më 11 shkurt para Kryeministrisë, ta shkulim nga rrënjët regjimin mafioz

14:26, 07/02/2023
A+ Aa A-

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se “është sot nën akuzë dhe i faktuar botërisht për implikimin e tij të drejtpërdrejtë në aferën korruptive shtetërore “McGonigal”.

“Në dritën edhe të fakteve të reja të pakundërshtueshme dhe shokuese të publikuara çdo ditë nga mediat amerikane, në veçanti nga prestigjozet Neë York Times dhe CNN, është tashmë e provuar se mes Edi Ramës dhe McGonigal nuk ka patur kurrë një bashkëpunim për çështje rajonale siç gënjen publikisht Kryeministri, por vetëm një aferë të zezë mafioze, personale dhe politike, për të asgjësuar, me paratë e korrupsionit qeveritar, demokracinë, pluralizmin politik dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Një biznes i vërtetë, prapa të cilit fshihen edhe liçenca për shpime nafte për subjekte të lidhura me çështjen, që fakton një tjetër akuzë, të bërë më herët edhe nga opozita, për trajtimin e Shqipërisë dhe pasurive publike të shqiptarëve, si plaçkë trafiku dhe pronë private të Edi Ramës”, tha Blushi.

Ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme që të nisë hetimet ndaj Ramës, Blushi tha se “është detyrim kushtetues i Kuvendit të Shqipërisë, të pranojë kërkesën e opozitës me 13 pyetje për interpelancë me Kryeministrin dhe për të nisur pa vonesë pranimin e kërkesës tjetër për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë veprimtarinë antikushtetuese dhe të paligjshme të Edi Ramës, që prej kohësh e ka kthyer institucionin të cilin drejton në një çerdhe korrupsioni, nepotizmi, manipulimi dhe trafikimi mafioz të influencave”.

“Ndaj në 11 shkurt, ora 12:00 i gjithë populli shqiptar do të jetë në këmbë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, në protestën kombëtare të thirrur nga opozita kundër këtij regjimi mafioz, që shqiptarët janë të vendosur ta shkulin nga rrënjët në zyrën e Kryeministrit”.

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi

Edi Rama është sot nën akuzë dhe i faktuar botërisht për implikimin e tij të drejtpërdrejtë në aferën korruptive shtetërore “McGonigal”.

Akuzat e ngritura nga drejtësia amerikane për:
– Shpërdorim të detyrës;
– Ndikim të paligjshëm të zyrtarëve publikë;
– Minimin mafioz të pluralizmit politik;
– Trafik të paligjshëm influencash;
– Korrupsion aktiv;
i vënë vulën rolit mafioz të Edi Ramës në këtë superskandal, që meriton të hetohet sa më parë nga SPAK, e ngritur posaçërisht për të ndëshkuar korrupsionin në nivelet më të larta shtetërore.

Në dritën edhe të fakteve të reja të pakundërshtueshme dhe shokuese të publikuara çdo ditë nga mediat amerikane, në veçanti nga prestigjozet New York Times dhe CNN, është tashmë e provuar se mes Edi Ramës dhe McGonigal nuk ka patur kurrë një bashkëpunim për çështje rajonale siç gënjen publikisht Kryeministri, por vetëm një aferë të zezë mafioze, personale dhe politike, për të asgjësuar, me paratë e korrupsionit qeveritar, demokracinë, pluralizmin politik dhe shtetin ligjor në Shqipëri.

Një biznes i vërtetë, prapa të cilit fshihen edhe liçenca për shpime nafte për subjekte të lidhura me çështjen, që fakton një tjetër akuzë, të bërë më herët edhe nga opozita, për trajtimin e Shqipërisë dhe pasurive publike të shqiptarëve, si plaçkë trafiku dhe pronë private të Edi Ramës.

Në kushtet kur edhe Senati dhe Kongresi në SHBA po kërkojnë me forcë hetimin e gjithëanshëm të aferës ku është implikuar një ish-zyrtar i lartë i FBI, i bëjmë thirrje SPAK të nisë menjëherë hetimet për Kryeministrin Rama, i cili po përpiqet në këtë periudhë të shkatërrojë provat, të intimidojë dhe shantazhojë dëshmitarët dhe të pengojë me çdo mjet antidemokratik kërkesën kushtetuese të opozitës për transparencë dhe llogaridhënie para Kuvendit, nëpërmjet interpelancës dhe një komisioni hetimor parlamentar për zbardhjen e kësaj afere mafioze, me dimensione të mëdha, që rrezikon rëndë Sigurinë Kombëtare dhe ka cenuar si kurrë më parë marrëdhëniet miqësore dhe aleancën strategjike me SHBA.

Është detyrim kushtetues i Kuvendit të Shqipërisë, të pranojë kërkesën e opozitës me 13 pyetje për interpelancë me Kryeministrin dhe për të nisur pa vonesë pranimin e kërkesës tjetër për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë veprimtarinë antikushtetuese dhe të paligjshme të Edi Ramës, që prej kohësh e ka kthyer institucionin të cilin drejton në një çerdhe korrupsioni, nepotizmi, manipulimi dhe trafikimi mafioz të influencave.

Për çdo shqiptar të ndershëm është e qartë se Edi Rama dhe Qeveria e tij përfaqësojnë thjesht dhe vetëm një sekt të dekompozuar në çdo qelizë nga krimi dhe korrupsioni, trafiqet dhe pastrimi i parave të pista të gjeneruara prej tyre.

Ndaj në 11 shkurt, ora 12:00 i gjithë populli shqiptar do të jetë në këmbë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, në protestën kombëtare të thirrur nga opozita kundër këtij regjimi mafioz, që shqiptarët janë të vendosur ta shkulin nga rrënjët në zyrën e Kryeministrit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco