Një program këshillimi e mentorimi i të rinjve prezantohet në Partinë Demokratike

Një program këshillimi e mentorimi i të rinjve prezantohet në Partinë Demokratike

14:29, 06/02/2023
A+ Aa A-

Nga Bekim Bruka/

Disa muaj më pare në ceremoninë e dhënies së medaljeve për studentët ekselentë të shkollave të mesme, Kryeministri i Shqipërisë dha lajmin se nuk do të ketë më financim për ata që duan të studiojnë jashtë vendit. Tanimë Qeveria shqiptare do të siguronte financim vetëm për ata që vendosin të rrinë e shkollohen në Shqipëri. Arsyetimi i Kryeministrit ishte se moskthimi i të rinjve pas mbarimit të studimeve edhe pse financimi vjen nga taksat e shqiptarëve është i padrejtë. Në parim e në një botë ideale Kryeministri do të kishte të drejtë, ku shpërdorimi i taksave të shqiptarëve do të ishte investim me rrezikshmëri të madhe, një vrimë buxhetore për Shqipërinë. Për çdokënd që do e shihte nga ky prizëm, puna e Qeverise do pasqyrohej si përpjekje për të ndërtuar trurin e vendit në shkollat më në zë te botës, e më pas përmbushjen e misionit me rikthimin e tyre në atdhe. Është shumë ironike se si një administrate e paditur me vite nga publiku si katalizatore e largimit të të rinjve në masë përpiqet të shfaqet misionare me të të tilla lëvizje, si rojtare e parave të shqiptarëve, e si shtytëse e kthimit të të rinjve nga jashte.

E megjithatë, sikur në debat të mos futeshin disa analiza, shumë do e besonin këtë raport të përmbysur. Qeveria jo vetëm nuk tregoi transparencë e shifra rreth këtij vendimi të përqëndruar mbi një supozim statistikor, por as nuk u bazua në mënyre analitike tek gjendja socio-ekonomike, historike e politike e Shqipërisë.

Fillimisht duhet theksuar se rrogat në Shqipëri për ata studentë që kthehen, sidomos në administratë, në krahasim më çka mund të fitohet nga punësimi jashtë vendit, janë në një raport shumë jo të përpjesshëm. Kryeministri gjatë fjalës së tij nuk përmendi në asnjë moment se Shqipëria është vendi me të ardhurat për frymë më të ulëta në kontinent, gati 10 herë më pak se shumë vende të perëndimit. Të fajësosh studentët për dështimet e njëpasnjëshme për ta nxjerrë vendin nga varfëria është e lehtë, por në praktikë aspak e ndershme.

 Së dyti, Shqipëria nuk ofron mundësi shkollimi siç mund të ofrohet jashtë vendit. E kur themi kështu, nuk nënkuptojmë vetëm pjesën financiare por edhe atë akademike. Universitetet shqiptare fillimisht rënditen shumë më poshtë se ato në vendet fqinje nga organizata me traditë si “Times Higher Education.” Universitetet tona nuk ofrojnë në mënyrë të mirëfilltë diploma kërkimorë, duke mos i dhënë mundësinë studentëve për të përparuar interesin e tyre në një fushë të caktuar. E sa i përket diplomava të mësuara, atyre që njihen si “taught degrees,” si shumica e institucioneve universitare në vend, rënditjet, me të gjithë argumentat pro e kundër, pasqyrojnë cilësi të dobët arsimi e përgatitjeje profesionale. Protesta e studentëve nisi nga dëshira për reformim brenda tyre.

Cilësia e arsimit dhe varfëria në vend janë dy nga shuma pikat kundër këtij vendimi të paarsyeshëm të Kryeministrit. Sot ne mund të flasim pafund për këto elemente. Pas Kryeministrit, Ministrja e Arsimit tregonte me krenari se si qëndrimi i studentëvë brenda vendit ishte 7% më i lartë se një vit më parë, edhe njëherë duke injoruar faktorët se pse të rinjtë vendosin të mos shkollohen jashtë, e njëkohësisht duke mbyllur edhe ato pak shtigje të cilat mund të ofronin një mundësi për ta, pra ndalimin e dhënies se bursave të ekselencës për studime jashtë. 

                                                                        II

Edhe pse emri i Departamentit përfaqëson sjelljen e të rinjve dhe trurit nga jashtë në Shqipëri, është jo e logjikshme që të ndërpritet financimi pa paraqitur të dhëna se sa përqind e studentëve kthehen e sa nuk kthehen, pra duke dëmtuar një grupim të madh të rinjsh mbi një vendim individual të studentëve, edhe njëherë i bazuar mbi supozime statistikore. Opozita e kupton se shumë të rinj në Shqipëri nuk kanë mundësi shkollimi jashtë vendi, paçka dëshirave dhe ëndrrave për diçka të tillë.

Prandaj në vazhdën e vendimeve të fundit dhe duke kuptuar gjendjen historike të arsimit e fushave të ndërlidhura me të në Shqipëri, Partia Demokratike, nëpërmjet Departamentit “Brain Gain” çel programin e “Mentorimit dhe Këshillimit” të studentëvë shqiptarë. Ky program do ofrojë këshillim mbi mundësi bursash dhe universitetesh jashtë vendit e njëkohësisht mentorim në procesin e aplikimeve për to. Fillimisht tre vendet e mbuluara nga Departamenti do jenë të Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe, me studentë e ish studentë, pjesë e Departamentit, që do të ofrojnë ekspertizën e tyre të pranimit në Universitetet më prestigjoze në botë dhe fitimit të bursave që për shkak të mungesës se infrastrukturës dhe informacionit, sot janë të panjohura për shumë të rinj shqiptarë.

Programi do te nisë punën bazuar në dy veprimtari kryesore: takime një në një me ekspertët tanë gjatë ditëve të muajit, me një aplikim në faqen online të Departamentit, dhe sesionet informuese që do te zhvillohen nga Departamenti në bashkëpunim me ekspertë të fushës disa herë brenda një viti kalendarik. Departamenti do të ofrojë një process të thjeshtëzuar, pa pagesë, dhe pa dallime politike, për ata studentë që e shohin të vështirë ose kanë nevojë për këshillim mbi studimet jashtë. Programi nuk do jetë i limituar vetëm për studentë të shkollave të mesme, por edhe për ata që duan mundësi në master apo doktoratura jashtë vendit.

E ndonëse në fillimet e veta si program, Departamenti dhe Partia Demokratike synojnë zgjerimin e tij në më shumë vende dhe universitete. Prandaj përpos aplikimit për të marrë këshillim, Departamenti ofron aplikim për të qenë ekspert në këtë program. Pra, çdokush që e sheh të nevojshme se mund të kontriboje e ndihmojë vullnetarisht ata studentë që duan të studiojnë jashtë, është i ftuar të aplikojë pranë Departamentit. Ky program do njihet zyrtarisht nga struktura drejtuese e Partisë Demokratike dhe e Departamentit si eksperience apo stazh, me një afat minimal 6 mujor të dhëniës së kontributit.

Pra sot Partia Demokratike dhe Departamenti “Brain Gain” ofrojnë një mundësi për ata studentë të cilët nuk mund ta gjejnë diçka të tillë tek Ministria e Arsimit dhe shteti shqiptar. Investimi në dije dhe arsim është ndër pikat kyçe të Partisë Demokratike, e për ta bërë këtë, ne do vëmë në punë cdo alternativë të mundshme.      

Bekim Bruka, Columbia University, SHBA.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco