SYRI TV/ Tërmeti në Turqi, reagon politika shqiptare

13:58, 06/02/2023
A+ Aa A-

Politika shqiptare   ka ndarë mesazhe ngushëllimi  për situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti në Turqi, ndërsa është shprehur e gatshme për t’i ardhur në ndihmë shtetit turk.  Përmes një reagimi në Twitter, kryeministri Rama njoftoi nisjen një misioni shpëtimi  për në Turqi. Mesazhe solidarizuese shprehën edhe kreu i PD-së, Sali Berisha; kreu i PL-së, Ilir Meta dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Nga SYRI TV

Tërmeti  7.8 ballë që goditi Turqinë ka sjellë edhe reagimin e politikës shqiptare, e cila i ka dalë në krah shtetit turk në këto momente të vështira për vendin. Në një reagim në Twitter, kryeministri Rama njoftoi se drejt Turqisë do të niset një mision shpëtimi, për ndihmë pas tërmetit shkatërrues.

Rama: “I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediet,   shprehu solidarizim lidhur me tërmetin me pasoja të rënda  në Turqit, teksa ndau mesazhe ngushëllimi për familjarët e viktimave. 

Berisha: "Të dashur miq, një tërmet i rëndë 7,8 shkallësh ka goditur Turqinë qendrore dhe ne Sirine verilindore duke shkaktuar qindra viktima dhe mijëra të plagosur. Me këtë rast duke shprehur ngushellimet më të ndjera familjeve të viktimave, autoriteteve të vendit, lutemi për shërimin e shpejtë të të plagosurve.

Në një linjë u shpreh edhe kreu i PL-së, Ilir Meta, i cili theksoi se lutjet e shqiptarëve shkojnë për viktimat,.

Meta: “Në këto momente shumë të vështira të përballjes me tërmetin shkatërrimtar, lutjet tona shkojnë për viktimat e shumtë që humbën jetën tragjikisht, duke shpresuar për sa më pak viktima të tjera në njerëz dhe një shërim të shpejtë të të plagosurve.’

Mesazh ngushëllimi për viktimat nga tërmeti në Turqi dhe Siri, shpërndau edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.  

Begaj: “Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme”.

Reagime dhe mesazhe ngushëlluese shpërndanë edhe  deputetët, kryeparlamentarja si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco