Ramagate si fundi i iluzionit për normalitet

Ramagate si fundi i iluzionit për normalitet

16:26, 05/02/2023
A+ Aa A-

Nga  Luçiano Boçi/

Rama hyri ne politikën shqiptare me alibinë e atij që di dhe do të ndërtojë institucione.
Në fakt duke bërë fasadat e tyre, duke lyer shkallët dhe duke krijuar një mjedis paksa më miqësor për syrin, Rama ndërtoi iluzionin se ai po i rijepte Shqipërisë atë që socialistët e 1997-tës ia kishin marrë me armë në dorë: normalitetin!

Ramagate është një ngjarje, e cila i jep fund 25 viteve të dyfytyrësisë së Edi Ramës: në themel ai ka shkallmuar çdo grimcë normaliteti në këtë vend. Njëlloj si Luigji i 14-të (Pas meje, qameti u bëftë! – Apres moi le deluge!), Kryemjeshtri i Kaosit i hoqi në këtë rast stolin vetes.

Nuk është hera e parë që qeveria Rama guxon të tallet me administratën amerikane dhe titullarë të saj.
Firma e një guvernatori amerikan u falsifikua vetëm që njeriu politik i kabinetit të Ramës të fuste në xhep dy tendera, më i vogli i të cilëve ishte EUR 40m. Askush nuk u arrestua për këtë akuzë – edhe pse dosja është gati në sirtar prej mëse dy vitesh.

Përdorimi prej Ramës i Alex Soros-it si lobist në BE dhe USA është bërë tashmë i rëndomtë si fenomen. Kjo ndodh sa herë që dueli i interesave ja kërkon z.Rama të shkelë politikat pro-perëndimore për hatër të xhepit dhe partisë (vendimi i tij për heqjen e vizave me kinezët, ligji për pasaportat e arta kundrejt zarfit, ligji për amnistinë financiare etj).

Përdorimi i një zyrtari të lartë të FBI-së përmes korruptimit të tij (një skemë e pastër mafioze veprimi) është një kulminacion në përpjekjet për të hedhur në erë normalitetin nga Rama.

Rama ka shantazhuar sipërmarrës dhe politikanë, ka nxitur grumbullimin e tyre në një grup kriminal interesi, ka ndërtuar një skemë kriminale të gjobvënies dhe një skemë mashtruese të shitjes së shërbimeve të një qeverie me të cilën nuk ka asnjë lidhje, ka prodhuar një dëm material të drejtpërdrejtë përmes shantazhit dhe ka dëmtuar imazhin e vendit në tërësi.

Mendoni vetëm faktin se tashmë ka prova se Rama ka investuar para cash, për të blerë një zyrtar të huaj për të njollosur vendin e tij (opozita është gjithashtu pjesë e vendit) si të lidhur me krimin ndërkombëtar dhe në shërbim të interesave anti-perëndimore ruse! Kaq mjafton që Rama të ishte në Shqipëri menjëherë një i pandehur i shkëlqyer.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të duhej të ishte mbledhur ndërkohë dhe një raport i Shërbimit Shqiptar të Inteligjencës duhej t’u ishte vënë në dispozicion Prokurorëve – shqiptarë dhe amerikanë.

Sepse kjo ngjarje është konsumuar e plotë!
Ajo ka ndodhur pasi Rama ka vrarë liritë ekonomike, ka shfarosur lirinë e fjalës, ka masakruar mediat dhe ka gjymtuar vullnetin publik për të reaguar ndaj asaj që po ndodh tash një dekadë në zemër të shtetit shqiptar.

Është e qartë se Shqipëria me Edi Ramën nuk mund të ketë stabilitet, nuk mund të jetë një vend normal, as të shpresojë se do të bëhet një i tillë. Shqipëria është në rënie të lirë dhe çdo vlerë zhvillimore dhe demokratike e arritur rrezikon të zhbëhet prej humbjes tërësore të shpresës.

Menaxhimi absurd i këtij vendi nga qeveria, ka natyralizuar në psikikën kolektive non-sensin logjik “ç’më duhet mua ç’bëj unë!” dhe ka relativizuar çdo ndjeshmëri publike ndaj ligjshmërisë, duke favorizuar veprimin kriminal, presionin korruptiv dhe antiligjor – në ballë të të cilit, në pozitat më antikushtetuese të imagjinueshme – qëndron vetë Kryeministri.

Kjo situatë do t’i mbajë shqiptarët më shumë jashtë se brenda vendit – siç kanë bërë intensivisht që prej vitit 2015 kur eksodi masiv rinisi. Kjo gjendje psikologjike i bën të varfërit edhe më të varfër duke thelluar hendekun e padrejtësive shoqërore. Ndërsa vetë Rama është investuar të ndërtojë një pikturë që synon të gjunjëzojë çdo guxim për t’i qëndruar dhe për t’i bërë ballë të keqes.

RamaGate është premisa më e mirë që shqiptarët të mund ta besojnë reformën në drejtësi dhe seriozitetin e selive diplomatike ndërkombëtare që e kanë mbështetur atë. Fundi i Pandëshkueshmërisë duhet të nisë në këtë çast, me këtë ngjarje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco