Lajçak viziton të hënën Kosovën

Lajçak viziton të hënën Kosovën

16:09, 05/02/2023
A+ Aa A-

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojë Kosovën më 6 shkurt, derisa, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, ai mund të vazhdojë vizitën në Serbi.

As këtë herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.

Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për propozimin e BE-së.

Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco