Rama struk kokën nën fustanet e Linditës dhe Elisës

Rama struk kokën nën fustanet e Linditës dhe Elisës

16:50, 02/02/2023
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Në një seancë të turpshme, parlamenti shqiptar ka hedhur poshtë dy nisma të opozitës, njërën për të zhvilluar mocion me debat dhe tjetrën për interpelancë me kryeministrin, që kërkonin të zbardhnin lidhjet e tij me agjentin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal.

Por Rama që u fsheh një javë, me pretendimin se ishte me grip, është shmangur edhe nga kjo seancë. Lindita Nikolla nuk pranoi ta fusë në rendin e ditës kërkesën për mocion me debat të bërë nga grupi i Berishës. Ndërsa për minimin e interpelancës u përdor një truk tjetër.

Rama ngarkoi të përgjigjej në vend të tij, Elisa Spiropalin, e cila nuk kishte as dijeninë më të vogël për takimet personale të shefit të saj me ish agjentin e FBI-së dhe me këshilltarët e tij informalë.

Deputeti Gazmend Bardhi, që u përfshi në debate të ashpra me Lindita Nikollën, e kundërshtoi fshehjen e Skënderbeut pas Mamicës duke thënë:

‘Me të drejtën si i pandehur, ai edhe mund të heshtë, sepse çdo gjë që thotë mund të përdoret kundër tij, por me detyrimin si kryeministër ai nuk mund të fshihet pas Elisës. Zonja Spiropali nuk ka qenë në takimet me Mcgonigal, aty kanë qenë vetëm Rama, Duçka dhe Neza. Vetëm ata mund të dëshmojnë. Prandaj në interpelancë duhet të paraqitet kryeministri’.

Ai ironizoi: ‘Rama nuk mund të fshihet pas fustanit të Elisës’. Kjo e fundit kur mori fjalën nuk dha asnjë shpjegim pse ishte caktuar të fliste në vend të shefit, vetëm shfryu ndaj opozitës së non gratave.

Mes zhurmës, sharjeve, thirrjeve: ‘Pse fshihet Rama’, debati u zhvillua në dy shina kryesore. Lindita Nikolli pretendonte se interpelanca me zëvendësues janë zhvilluar edhe herë të tjera dhe opozita i ka pranuar ato.

Gazmend Bardhi këmbëngulte se kjo ka ndodhur vetëm atëherë kur kjo është pranuar nga kërkuesi i interpelancës, por në këtë rast Spiropali nuk mund të përgjigjej për një aktivitet që shefi i saj e kishte zhvilluar privatisht në gjysmë klandestinitet.

Pas ndërprerjes dy herë të seancës me pushime 10 minutshe, Lindita Nikolla, me një logjikë shvejkiane, konkludoi: ‘Ju tërhiqeni nga interpelanca dhe ne vazhdojmë me rendin e ditës’. Socialistët vazhduan disa votime mes bllokimit të foltores, rrëmujës dhe thirrjeve: ‘nxirrni Ramën’, ‘a u shërua nga virusi McGonigal’, por si përfundim, kryeministri shkaktoi aq kaos sa iu shmang përgjigjeve për skandalin e korruptimit të agjentit të FBI-së, që e pagoi për ta përdorur kundër opozitës.

Kjo e shtyu deputetin Petrit Vasili që të thoshte me ironi duke dalë nga salla: ‘Ai ia doli të fshihej pas fustanit të grave’.

Ndërkohë që parlamenti ishte në rrëmujë, njeriu që e shkaktoi atë duke refuzuar të paraqitet në interpelancë, Edi Rama, pasi përdori Lindita Nikollën dhe Elisa Spiropalin, u shfaq me një qëndrim absurd duke akuzuar opozitën si shpifëse dhe humbëse elektorale:

‘Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim’ cicëroi ai në Twitter.

Po pyetja më normale që lind është: A nuk e mbante dot këtë qëndrim në sallë? A nuk i përgjigjej dot normalisht pyetjes së kundërshtarëve të vet politikë? A nuk do qe më e lehtë, nëse të gjitha këto janë shpifje, të triumfonte në një mocion për debat? A nuk mund ta shmangte këtë gjullurdi duke bërë normalisht detyrën e një shefi qeverie në një republikë parlamentare?

Duke u sjellë në këtë mënyrë, Edi Rama vetëm përforcoi hipotezën që përmendi Gazmend Bardhi se ai po sillet si një i pandehur që ka frikë se ato që thotë mund të përdoren më vonë kundër tij. Prandaj kalon nga flama e virusit, në grip politik dhe nuk pranon të japë shpjegime, sepse ende nuk e di se ç’ka në dosjet e drejtësisë amerikane për të. Dhe për sa kohë të zgjas ky ankth do ta strukë kokën nën fustanet e Linditës dhe Elisës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco