Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

SYRI TV/ Tenderat për Gentian Sharrën, SPAK heton njeriun e Ballës

09:09, 02/02/2023
A+ Aa A-

SPAK ka sekuestruar telefonat e Eraldo Xhanit, këshilltarit historik të Taulant Ballës dhe Endri Mullait, drejtor i lartë në ministrinë e drejtuar nga Blendi Çuçi. Eraldo Xhani dhe Endri Mullai, dyshohet se i kanë dhënë një tender me vlerë 2.5 milionë euro kompanisë së Olta Sharrës, bashkëshorte e Gentian Sharrës, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga SPAK. Gentian Sharra është nën hetim dhe në kërkim nga SPAK pasi dyshohet se është i përfshirë në grabitjen e disa viteve më parë në Rinas

SYRI TV

Drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme Endri Mullai, është duke u verifikuar nga SPAK pasi dyshohet se ka kryer korrupsion me disa tendera.

Një prej tenderave që po hetohet është ai me vlerë 2.5 milionë euro për ushqimet e burgjeve, i cili u fitua nga kompania që zotërohet nga bashkëshortja e Gentian Sharrës. Këtij të fundit SPAK i ka sekuestruar pasuritë, ndërsa akuzohet si një ndër organizatorët e grabitjes së Rinasit me Talo Çelën.

Kompania e Olta Sharrës u shpall fituese e tenderit me vlerë 2.5 milionë euro, dy muaj pasi bashkëshorti i saj Gentian Sharra u shpall në kërkim nga SPAK për grabitjen e Rinasit.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka përmendur shpesh herë Gentian Sharrën si person të lidhur me kryetarin e grupit socialist, Taulant Balla. Dhe në fakt, duket se deklaratat e zotit Berisha kanë marrë përgjigje nga SPAK që së bashku me Endri Mullain, ka vënë nën hetim Eraldo Xhanin, këshilltarin historik të Taulant Ballës.

Gazetari Klodian Tomorri ka publikuar një shkrim ku mësohet se SPAK ka sekuestruar telefonin e Eraldo Xhanit, i cili dyshohet se ka ndikuar që bashkëshortja e Gentian Sharrës të përfitojë tenderin me vlerë 2.5 milionë euro, kryer pikërisht nga institucioni që drejtohet nga njeri i besuar i Blendi Çuçit, Endri Mullai.

Kompania në fjalë aktualisht është e sekuestruar me urdhër gjykate, pas hetimeve të SPAK-ut. Por prokurorët kanë dyshime të forta se ajo ka qenë e lidhur me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste. Nuk dihet ende se çfarë është gjendur në telefonat e sekuestruar të Xhanit dhe Mullait. A ka pasur në to porosi shefash për të orientuar tenderat në kompaninë e lidhur me një prej bandave më famëkeqe të Elbasanit?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco