Përpjekjet e dëshpëruara të Ramës për të relativizuar skandalin McGonigal

Përpjekjet e dëshpëruara të Ramës për të relativizuar skandalin McGonigal

09:02, 02/02/2023
A+ Aa A-

Kushdo që ka lexuar dosjen e akuzave për takimet e Charles McGonigal në Shqipëri dhe Kosovë është habitur kur Edi Rama e prezantoi Agron Nezën si një “shqiptaro-amerikan nga Tropoja”, “shumë i afërt me Azem Hajdarin” dhe “fis me Besnik Mustafajn”, ndërsa Dorian Duçkën si “zv.ministër të koalicionit të vitit 2013”, që punonte pa pagesë për të.

Të dy këta, në dosjen e Washington-it përshkruhen si personat që bënë lidhjen mes agjentit McGonigal dhe kryeministrit Edi Rama.

Personi A, Agron Neza sipas dosjes është një ish-agjent i shërbimeve shqiptare me banim në SHBA.

Personi B, Dorian Duçka përfaqësues i një konglomerati kinez me interesa për naftën në vendin tonë.

Por asociimi që i bën Rama të dyve si njerëz të opozitës nuk është rastësi.

Që kur doli dosja për të cilën agjenti i FBI-së u arrestua, qeveria dhe mediat pranë saj tentuan ta relativizojnë vizitën e McGonigal në Tiranë, duke thënë se ai pati kontakte në të dy anët e politikës. Një teori e tillë i shkon për shtat mazhorancës, sepse kështu as nuk përjashtohet mundësia se goditja që mori Basha nga hetimi i FBI-së mund të jetë iniciuar nga brenda opozitës.

Dhe për të përforcuar këtë alibi u servir edhe një foto e Charles McGonigal me anëtaren e Këshillit Kombëtar të PD-së Fjoralba Dizdari dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Jashtë, Enri Ceno.

“Fotot që qarkullojnë tregojnë se McGonigal kishte lidhje edhe me Partinë Demokratike që aq ashpër akuzon qeverinë,” thotë një kronikë e Top Channel që e quan “befasuese” publikimin e kësaj fotoje.

“Një foto shumë miqësore” e konsideron edhe Shqiptarja.com që kujton akuzat e forta të Berishës ndaj Ramës për kontaktet që ka pasur me McGonigal.

Sekretari i Partisë Demokratike, Enri Ceno ka sqaruar rrethanat në të cilat u krye foto mes tij, Fjoralba Dizdarit dhe Charles McGonigal. “Ishte 16 nëntori i mbi 5 viteve më parë ku unë dhe ish-partnerja po festonim ditëlindjen e saj. Në tavolinën ngjitur ishte një tjetër mik i imi me partneren e tij dhe pak më tutje po darkonin Personi A me Personin B nën shoqërinë e disa të huajve. Në përfundim të darkës “Personi B” si i njohur i joni na ftoi të dy çiftet për një pije. Aty u prezantuam edhe se cilët ishin të huajt. Pas pak tavolinës i shtohet edhe Damian Gjiknuri asokohe ministër, unë vendosa të largohesha pasi me të kam patur një konflikt ligjor në gjykatë. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë jam takuar me zyrtarin e FBI-së”, tregon Ceno.

Nëse besojmë rrëfimin e tij, foto me amerikanin McGonigal duket produkt i rrethanave të momentit, një rastësi që nuk ka të bëjë me misionin e agjentit të FBI-së në Tiranë. Por edhe sikur çifti i demokratëve të kishte pasur më shumë interes për McGonigal, kjo nuk do të thotë asgjë.

E vërteta është që në dosjen kundër Charles McGonigal në Washington, nuk përmendet as Dizdari, as Ceno, madje as Taulant Balla dhe as Damian Gjiknuri që e kanë shoqëruar atë nëpër Shqipëri. Këta mund ta kenë takuar më shumë se një herë agjentin e FBI-së dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.

Problemi është që në dosje përmendet 14 herë kryeministri i Shqipërisë dhe ky nuk ka dhënë asnjë shpjegim shterrues se pse takoi një zyrtar të lartë të FBI në prani të dy sekserëve dhe si e bindi atë të hetojë Nick Muzin, lobistin e Lulzim Bashës.

Përpjekja për ta lënë McGonigal në prehrin e opozitës fut ujë si alibi, edhe pse në dosje thuhet e zeza mbi të bardhë se informacionet që Agron Neza ia dha Charles McGonigal për lobistin amerikan, dolën nga zyra e kryeministrisë. 

Dhe së fundmi, implikimi i PD në çështjen McGonigal është vështirë të besohet, po të kujtosh deklaratat e Edi Ramës, para se agjenti i FBI të arrestohej. Kryeministri e quante McGonigal një mik personal. Ai foli për miqësi edhe kur e pyetën gazetarët amerikanë të Bussines Insider, por edhe kur e pyetën gazetarët shqiptarë në konferencë. Mund të kuptohet se pas arrestimit, miqësia të tingëllojë ndryshe në anglisht, por që t’ia ngecë McGonigalin PD-së duket e tepërt./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco