Tendera për krimin/ SPAK sekuestron celularët e kreut të prokurimeve dhe njeriut të Ballës

Tendera për krimin/ SPAK sekuestron celularët e kreut të prokurimeve dhe njeriut të Ballës

20:08, 01/02/2023
A+ Aa A-

Nga Klodian Tomorri

Pak ditë më parë, oficerët e Policisë Gjyqësore, me urdhër të SPAK-ut, ndaluan në rrugë dhe i sekuestruan telefonin krahut të djathtë të Taulant Ballës. Në të njëjtën ditë, SPAK sekuestroi edhe telefonin e drejtorit të Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai. Të dy ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Eraldo Xhani, këshilltari historik i Taulant Ballës dhe Endri Mullai, njeri i afërt i Blendi Çuçit, janë nën hetim për korrupsion në tenderat publikë. Por backgroundi i aferës për të cilin po hetohen është edhe më i rëndë se thjesht korrupsion.

Prokurorët e SPAK dyshojnë se njeriu i Taulant Ballës dhe nëpunësi i Bledi Çuçit kanë bashkëpunuar për të favorizuar në tendera kompaninë e një personi të njohur të botës së krimit në Elbasan. Bëhet fjalë për disa tendera ushqimesh për Drejtorinë e Burgjeve, të cilat zhvillohen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Njëri prej tyre ka qenë ai i blerjes së mishit për të burgosurit, me vlerë 2.4 milionë dollarë.

Kompania në fjalë aktualisht është e sekuestruar me urdhër gjykate, pas hetimeve të SPAK-ut. Por prokurorët kanë dyshime të forta se ajo ka qenë e lidhur me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Nuk dihet ende se çfarë është gjendur në telefonat e sekuestruar të Xhanit dhe Mullait. A ka pasur në to porosi shefash për të orientuar tenderat në kompaninë e lidhur me një prej bandave më famëkeqe të Elbasanit? Por ajo që dihet me siguri është se me ardhjen e Rilindjes ne pushtet, përfshirja e krimit të organizuar në tenderat publikë është rritur në mënyrë eksponenciale.

Vetë zoti Balla është një nga zyrtarët më të akuzuar nga opozita për lidhje me krimin e organizuar. Pak muaj më parë, në publik shpërtheu lajmi se telefoni i tij ishte vënë nën përgjim nga prokuroria për shkak të komunikimeve me bandat e Elbasanit. Por edhe pse telefoni u përgjua për mbi 50 euro, materialet u shkatërruan me urdhër gjykate, nën argumentin se zoti Balla ishte vënë gabimisht në përgjim.

Hetimet e SPAK vazhdojnë. A do te ndalen ato vetëm te telefonat e sekuestruar të dy nëpunësve të thjeshtë, apo do të shkojnë më lart deri te shefat e tyre? Kjo mbetet për t’u parë. Por ky hetim është një tjetër rast, që dëshmon se fija që ndan pushtetin me krimin sot është Shqipëri është shumë e hollë. /MCNTV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco