Kryemadhi dërgon prova të reja në SPAK: Të ndalen pagesat për inceneratorin e Tiranës

Kryemadhi dërgon prova të reja në SPAK: Të ndalen pagesat për inceneratorin e Tiranës

12:48, 31/01/2023
A+ Aa A-

Monika Kryemadhi, deputetja e LSI, ka kërkuar në SPAK të ndalen pagesat nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Tiranës, pas takimit që ka pasur sot me prokurorët.

Kryemadhi u thirr paraditen e së martës në SPAK, ku qëndroi për mbi dy orë, për të dhënë sqarime, prova, dëshmi, argumente lidhur me kallëzimin penal që ka bërë Partia e Lirisë muajt e fundit për inceneratorët, që i konsideron si vjedhjen më të madhe të shekullit.

Kryemadhi tha për mediat: “

“Sot isha pranë Prokurorisë së Posaçme për sa i përket çështjes së inceneratorit të Tiranës, për të paraqitur të gjitha provat e reja në lidhje me të por edhe për të përsëritur edhe njëherë padinë, kallëzimin penal që unë kam dorëzuar më 4 mars 2021.

Gjërat tashmë po zbardhen çdo ditë e më shumë dhe shpresoj që më e pakta që duhet bërë është ndalimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës, duke pasur parasysh që çdo ditë paguhen 29 euro për ton.

Ajo që dua të theksoj është se edhe pse është vendosur dhe është thënë për marrjen e bonusit të 8-pikëshit për kompaninë offshore “Integrated” që nuk do të kishte mbështetje buxhetore, por që ne fakt e ka mbështetjen financiare, atë që e quajmë pagesa të disponibilitetit, kur kemi pagesa që kanë të bëjnë me mbështetje buxhetore, nuk kemi pse të fillojmë që ditën e parë të nënshkrimit të kontratës, pagesën me 29 euro për ton, ndërkohë që kompania në kontratë  ka marrë përsipër investimin e saj 120 milionë euro.

Nga ana tjetër shtova dhe do të vazhdoj të dorëzoj dhe dokumentet e tjera për rihapjen e vend depozitimit të vjetër të Sharrës – duke pasur parasysh që në bazë të kontratës, vend depozitimi i vjetër i Sharrës, pra skena e krimit që të gjithë shqiptarët e njohin si vendi ku ka vdekur Ardit Gjoklaj – duhet të ishte mbyllur brenda 22 muajve duke u mbështetur në standardet e BE-së,ndërkohë që  në fillim të nëntorit ai është rihapur përsëri duke depozituar mbetjet.

Për të vazhduar pastaj me mashtrimin dhe gënjeshtrën që është bërë në Komisionin Hetimor, duke u gënjyer qoftë nga kryeministri Rama, qoftë nga kryetari i bashkisë Veliaj që mbetjet aty diferencohen, përpunohen, riciklohen edhe digjen.

Por, në rastin tim, unë kam kërkuar vetëm diferencim e riciklim, që nuk ndodh, po vetëm groposen, duke pasur parasysh këtu faktin se landfilli i ri që është ndërtuar në tetor 2021,  që në korrik 2022 - kjo gropë që duhej të mbushej për 30 vjet - është mbushur për 9 muaj.

Ajo çka ne shikojmë dhe kemi parë e ka bërë “droni i së vërtetës”, që tashmë ka filluar të vendosë në lëvizje. E di që është një punë e gjatë dhe e vështirë, e di që kërkon angazhim, seriozitet, e di që edhe ndërhyrje të mëdha bëhen nga qeveria po dhe nga institucione të caktuara, sepse janë pagesa shumë të mëdha për një kompani offshore që asnjë nga ne nuk e di ku është e çfarë bën.

E di që është e vështirë, por mendoj dhe me besim të plotë besoj se gjërat do të realizohen. Të mos harrojmë se momentet e fundit janë duke ardhur dhe shpresoj që drejtësia të triumfojë jo për politikën, as për mediet, por  për qytetarët shqiptarët, që paguajnë çdo ditë me paratë e tyre për një kompani inekzistente që grabit çdo moment, 29 euro për ton për mbetje që ju i keni parë se çfarë ndodh me to.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco