Media britanike: Si Deripaska rekrutoi McGonigal pasi FBI dështoi ta bënte informator për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet 2016

Media britanike: Si Deripaska rekrutoi McGonigal pasi FBI dështoi ta bënte informator për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet 2016

17:23, 30/01/2023
A+ Aa A-

Oligarku miliarder rus Ole Deripaska, me lidhje të ngushta me Kremlinin, u rekrutua dikur nga FBI – por më pas përdori agjentin Charles McGonigal për të shmangur sanksionet amerikane.

Byroja nisi ta shihte manjatin e aluminit si aset i mundshëm më 2014, me shpresën se mund të ofronte informacion mbi krimin e organizuar rus, e më pas edhe për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane më 2016.

Por vetëm një dekadë më pas ai dyshohet se rekrutoi një nga agjentët kryesorë të FBI-së për ta ndihmuar të shmangte sanksionet amerikane.

McGonigal, 54 — ish-agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën e FBI në New York, i cili punoi edhe me hetimin për lidhjet ruse të Donald Trump — tani përballet me akuza për pastrim parash dhe shkelje të sanksioneve.

Ai dhe përkthyesi gjyqësor Sergei Shestakov, 69 vjeç, akuzohen se kanë marrë pagesa përmes kompanive guaska dhe për falsifikim firmash për të mbajtur të fshehtë që paguheshin nga Deripaska.

Shestakov është akuzuar edhe se ka gënjyer hetuesit e FBI-së për marrëdhënien me oligarkun. Mbetet e paqartë nëse McGonigal ka punuar direkt me Deripaskën gjatë kohës që ishte në FBI.

Nëse dënohen, mund të marrë secili deri në 20 vjet në burg.

Deripaska, 55, ka qenë prej vitesh në radarin e autoriteteve amerikane dhe ende është nën sanksione, teksa zyrtarë të Departamentit të Thesarit thonë se ka lidhje të ngushta si me Vladimir Putin ashtu edhe me krimin e organizuar.

Ai ka punësuar një ushtri të vogël lobuesish, avokatësh, këshilltarësh e ndërmjetësish për të mbrojtur biznesin dhe interesat personale në Perëndim.

Prokurorët federalë në New York kanë ngritur akuza edhe për disa nga këta përfaqësues, duke i paditur për shkelje të sanksioneve amerikane.

Vetë Deripaska u akuzua vjeshtën e kaluar për skemë që mundësoi lindjen e fëmijës së tij në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, autoritetet amerikane thanë se ai ishte i arratisur i drejtësisë.

Edhe kompania e tij e aluminit, Rusal, ka qenë nën sanksione që më 2018 për aktivitet malinj në Krimé e Ukrainë.

Zëdhënësja e manjatit të metaleve, Larisa Beljaera, tha për The Times se ai nuk e ka punësuar McGonigal për ndonjë synim dhe as nuk ka qenë ndonjëherë i afërt me Putin, të cilin e ka kritikuar për luftën në Ukrainë.

Deripaska është një nga grupi i biznesmenëve të njohur si oligarkë që kontrollojnë pjesë të mëdha të ekonomisë ruse, sidomos në energji e komoditete, dhe që kanë qenë në gjendje të ruajnë pasuritë me kushtin që të qëndrojnë jashtë politikës.

Ai u pasurua në vitet ’90 kur ai dhe rusë të tjerë me lidhjet e duhura konkurruan për kontrollin e burimeve shtetërore pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Manjati më pas krijoi lidhje me figura të fuqishme, sidomos në Britani, dhe kaloi vite duke u përpjekur të blinte respekt e kredibilitet në SHBA e Londor duke organizuar pritje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, duke punësuar ish-zyrtarë amerikanë si lobues dhe duke iu kushtuar vëmendje figurave të fuqishme politike britanike.

Në të kaluarën ai bashkëpunoi edhe me qeverinë amerikane, përfshirë operacionin e dështuar për të shpëtuar një agjent të FBI-së të kapur në Iran, për të cilin Deripaska shpenzoi 25 milion dollarë.

Deripaska kishte një pasuri që llogaritej në 7 miliard dollarë më 2018 kur u sanksionua nga qeveria amerikane.

Por me kalimin e viteve, autoritetet amerikane patën përherë e më tepër dyshime për të dhe kërkuan t’i kufizonin mundësinë e udhëtimit në Shtete e Bashkuara, pavarësisht kundërvënies nga Putin.

Deripaska tërhoqi edhe më tepër vëmendje rreth zgjedhjeve presidenciale më 2016, sepse kishte punësuar si këshilltar ish-kryetarin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort.

Deri në atë moment, FBI ishte përpjekur që prej dy vitesh ta rekrutonte si informues, duke kërkuar të dhëna mbi krimin e organizuar rus dhe ndihmën e mundshme nga Rusia për kandidaturën e Trumpit më 2016.

Dy vjet më pas duket se ishin dorëzuar, duke e futur në listën e oligarkëve me lidhje të ngushta me Kremlinin e që po konsideroheshin për sanksione.

Lista u shqyrtua nga McGonigal.

‘Të paktën që më 2016, Rusia ka qenë pikë qendrore në fokusin e kundërzbulimit për FBI dhe qeverinë ameriken’, thotë Brandon L. Van Grack, ish-prokuror në hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

‘Ky ish-agjent ishte krejtësisht i vetëdijshëm për shqetësimet, si çdokush tjetër në FBI ‘

Në prill 2018, administrata Trump njoftoi sanksionet mbi shtatë oligarkë dhe kompanitë e tyre si ndëshkim për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet 2016 dhe aneksimin e Krimesë më 2014.

Midis tyre ishin edhe Deripaska e kompania e tij, Rusal.

Departamenti i Thesarit citoi lidhjet e tij me zyrtarë të lartë rusë dhe punën në sektorin e energjisë. Zyrtarët thanë se ai ishte hetuar për pastrim parash dhe akuzohej për kërcënim të rivalëve në biznes, përgjim të paligjshëm të zyrave qeveritare, dhe pjesëmarrje në zhvatje e mashtrim.

Ata cituan edhe pretendime se Deripaska kishte paguar zyrtarë qeveritarë, kishte urdhëruar vrasjen e një biznesmeni dhe kishte lidhje me krimin e organizuar rus.

Ai i mohoi të gjitha akuzat, për të cilat aleatët e tij thanë se ishin ndëshkim për refuzimin për të bashkëpunuar me zyrtarët amerikanë.

Prandaj Deripaska kërkoi të hiqej nga sanksionet dhe në fund të 2018 përpjekjet e fshehta lobuese të ekipit të tij me avokatë, këshilltarë, bankierë e aleatë arritën një sukses të rëndësishëm, duke qenë në gjendje t’i shtynin sanksionet.

Më pas ai dyshohet se u lidh me McGonigal për herë të parë, falë Sergei Shestakov — ish-diplomat sovjetik e rus, tashmë përkthyes – që e prezantoi McGonigal me një nga punonjësit e tij.

Punonjësi identifikohet në aktakuzë si Agjenti 1 dhe përshkruhet si një ish-diplomat sovjetik e i Federatës Ruse.

Në emaile, Shestakov pretendohet se i ka kërkuar McGonigalit të ndihmojë vajzën e Agjentit 1 të sigurojë një stazh në njësinë e antiterrorizmit dhe grumbullimit të inteligjencës apo të marrëdhënieve ndërkombëtare në Departamentin e Policisë së New Yorkut.

Më pas, McGonigal i tha një vartësi në FBI se donte të rekrutonte Agjentin 1, të cilin e përshkroi si oficer të inteligjencës ruse. Ai ra dakord t’ia ndihmonte vajzën dhe me ndihmën e një kontakti në departamentin e policisë i siguroi takim me një rreshter policie.

Mbetet e paqartë nëse punonte direkt me Deripaska gjatë kohës në FBI.

McGonigal u tërhoq nga FBI më 2019, e më pas pretendohet se e prezantoi Deripaskën me një firmë ligjore ndërkombëtare në Manhattan për ta ndihmuar në heqjen e sanksioneve.

Gjatë bisedimeve, thonë prokurorët, McGonigal e Deripaska u takuan në Londër e Vienë.

Kur Deripaska ra dakord të përdorte firmën ligjore, ajo mori McGonigal si këshilltar e investigues. Ai u pagua 51,000 dollarë dhe 41,790 dollarë për disa muaj për punën direkt me rusët.

Thuhet se McGonigal iu tregoi miqve të tij se po punonte me një ‘rus të pasur’, duke theksuar se ishte punë e ligjshme.

Në pranverën 2021, Agjenti 1 nisi bisedimet me McGonigal për të punuar direkt me Deripaskën, pa firmën ligjore. Pretendohet se ai donte që McGonigal të investigonte një rival në biznes.

Nga gushti deri në nëntor 2021, thonë tani autoritetet, Deripasksa kreu pagesa për Shestakov e McGonigal nga një bankë ruse përmes llogarive në Qipro e New Jersey.

FBI kreu kontrolle në shtëpinë e Deripaskës në Washington, me vlerë 15 milion dollarë, dhe në pronat e tij në New York.

Po ashtu sekuestruan pajisjet elektronike të Shestakov e McGonigal.

Ndihmësdrejtori i FBI-së i ngarkuar me hetimet, Michael Driscoll, tha në një deklaratë: ‘FBI është e angazhuar me zbatimin e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë, sidomos kundër aktiviteteve armiqësore të një qeverie të huaj dhe aktorëve të saj. Oligarkë rusë si Oleg Deripaska ushtrojnë influencë malinje globale në emër të Kremlinit dhe janë të lidhur me akte ryshfetesh, zhvatjeje e dhune. Pretendohet se zoti McGonigal e zoti Shestakov, të dy qytetarë të SHBA, kanë vepruar në emër të Deripaskës dhe kanë mashtruar duke përdorur një ent amerikan për të errsuar aktivitetin e tyre në shkelje të sanksioneve amerikane. Pas vendosjes së sanksioneve, ato duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj gjithë qytetarëve amerikanë, në mënyrë që të jenë të suksesshme. Nuk ka përjashtime për asnjë, as për një ish-zyrtar të FBI si zoti McGonigal’.

Marrë nga Daily Mail-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco