Rindërtimi, një 'odise' që nuk ka të sosur - kalvari dhe premtimet për një strehë të re

19:33, 02/01/2023
A+ Aa A-

Procesi i rindërtimit, të banesave individuale, apartamenteve, shkollave dhe gjithë infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti, prej tre vjetësh është zvarritet, ndërsa gllabëron miliona euro pafund…

Në tre vitet e këtij procesi, nga buxheti i shtetit kanë dalë së paku 130 milionë euro, ose diçka më shumë se gjysma e parashikuar për t`u shpenzuar për projektet e rindërtimit nga buxheti i shtetit, i cili në total kapte shifrën e rreth 200 milionë euro.

Megjithatë, këto para kanë qenë objekt kontestimesh dhe debatesh publike, për shkak të dyshimeve të forta, se procesi i Rindërtimit jo vetëm që ka ecur me ritme të ngadalta, por gjithashtu, është përdorur politikisht.

Rasti ishte ai vitit 2021, kur në prag të zgjedhjeve parlamentare, me disa vendime qeverie dhe më pas të këshillave bashkiake në zonat e prekura nga tërmeti, qeveria kaloi miliona euro në llogaritë e qytetarëve. Kjo u cilësua nga opozita si skemë e re e blerjes së votës duke përdorur fatkeqësinë e tërmetit.

Por, kjo skemë e përdorur në fillim të vitit 2021, duket se do të ripërdoret për të njëjtin qëllim, atë të blerjes së votës në zgjedhjet lokale të vitit 2023. Kjo, pasi në fillim të muajit dhjetor, qeveria shqiptare bëri rishikime në buxhetin e shtetit, duke shtuar rreth 106 milionë euro shtesë për procesin e rindërtimit.

Akti normativ i buxhetit u miratua në qeveri në datën 1 dhjetor, dhe fill pas kësaj, pak ditë më pas, në një mbledhje tjetër, këshilli i ministrave, bëri shpërndarjen e parave të rindërtimit në llogari të bashkive. Nga Tirana, Durrësi, Kruja, Kurbini, Lezha, Shijaku, Kamza etj, qeveria alokoi miliona euro të tjerë, të cilët do të përdoren kryesisht për rindërtimin e banesave individuale.

Në total, me rishikimin e buxhetit me akt normativ, taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë rreth 320 milionë euro për rindërtimin, i cili duket se nuk do të ketë mbarim…

Kjo, e shpërdorimit të fondeve publike pa transparencë dhe pa llogaridhënie, është njëra anë e medaljes, pasi pjesa tjetër është kjo.

Këto janë vetëm disa nga protestat, që qytetarët e Durrësit kanë zhvilluar gjatë këtij viti për vonesat me procesin e rindërtimit. Dhjetëra, në mos qindra pallate, janë ende objekte pa fat të shkruar, për shkak të zvarritjeve apo përdorimit që po i bëhet procesit të rindërtimit.

Situata të ngjashme janë krijuar edhe në Tiranë, ku vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve, bashkia nxori forcërisht nga banesat e tyre, dhjetra familje që kishin apartamentetet në një kompleks pallatesh në rrugën Myslym Keta.

Banorët kanë protestuar shpesh për pallate që ende nuk janë shembur, ndonëse janë kategorizuar më shkallë dëmtimi DS4 apo DS5. Kanë protestuar për vonesa apo probleme me riparimin e pallateve të dëmtuar, apo protesta edhe për zhvendosje nga njëra zonë në tjetrën.

I tillë është rasti apo thënë ndryshe fati i rreth 1 mijë familjeve, pallatetet e të cilave ndodhen në qytetin e Durrësit, por pasi ato të shemben, do të duhet të transferohen në zonën e ish-kënetës, te objektet që po ndërtohen nga qeveria arabe.

Pikërisht kjo dhuratë e qeverisë Arabe, lidhet edhe me aferën e portit të Durrësit, pasi ndërtuesi i apartamenteve në ish-kënetë, Muhamed Alabbar, është njeriu që ka marrë koncesionin e dyshimtë të portit.

Por përtej këtyre problematikave, zvarritja e procesit të rindërtimit ka sjellë jo pak probleme për qytetarët, që ende e kësaj dite presin për banesa të reja. në Durrës janë ende 2900 familje që trajtohen me bonus qiraje, ose thënë ndryshe, familje të pastreha.

Në këtë qytet, procesi vijon të zvarritet edhe në infrastrukturën arsimore, pasi nga 24 shkolla që do të duhet të ishin ndërtuar, kanë përfunduar vetëm 12 prej tyre.

E ngjashme është situata edhe në zonën e Krujës, Kurbini apo Lezhës, ku sot e gjithë ditën, veçse premtimeve dhe dyshimeve për shpërdorim të fondeve, ka me dhjetra familje të pastreha.

Ato presin pa marrë shpjegim se kur do të jetë gati shtëpia e re, teksa vitet ikin njëri pas tjetrit, e shpresa e familjeve zvenitet nën premtimin e dhënë nga qeveria, se kush u prek nga tërmeti, do të marrë shtëpi të re…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco