SYRI TV/ Dokumenti: Ortaku i Olsi Ramës, Amant Josifi është koka e mashtrimit me 2.4 miliardë euro

12:45, 28/12/2022
A+ Aa A-

Amant Josifi, ortak i hershëm i Olsi Ramës, rezulton të jetë koka e organizatës kriminale të mashtrimit 2.4 miliardë euro me call-centerat. Edhe pse autoritetet shqiptare refuzojnë ta pranojnë, Syri TV ka siguruar dokumentin ku provohet se Josifi jo vetëm është në kërkim, por ka ngritur një skemë gjigante mashtrimi ndaj qytetarëve europianë

SYRI TV

Autoritetet shqiptare kanë refuzuar deri më tani që të konfirmojnë zyrtarisht që Amant Josifi, një ortak i hershëm i Olsi Ramës, është në kërkim si pjesë e një organizate kriminale që ka mashtruar nëpërmjet call-center me mijëra qytetarë europianë për një shumë prej 2.4 miliardë euro.

Syri TV ka arritur të sigurojë një dokument, në të cilin rezulton se Amant Josifi jo vetëm është në kërkim, por ai konsiderohet edhe drejtuesi kryesor i organizatës kriminale, aktiviteti i të cilës u zbulua nga autoritetet spanjolle.

Josifi, një ish-këshilltar i Olta Xhaçkës në Ministrinë e Mbrojtjes, dyshohet se ka ngritur një skemë gjigante mashtrimi, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij shqiptarë.

Amant Josifi konsiderohet drejtues kryesor i organizatës, ndërkohë që në dokumentin e siguruar nga "Syri" lexohen edhe emrat e Erindi Pysqylit dhe Blenard Saraçaj. Dy miqtë e Josifit u arrestuan në një operacion shqiptaro-spanjoll të zhvilluar në vendin tonë në mes të muajit nëntor.

Operacioni besohet se është dekonspiruar. Kur policët shkuan tek zyrat e Amant Josifit në qendër të ish-Bllokut në Tiranë, u konstatua se ambientet ishin zbrazur vetëm pak orë më parë.

Amant Josifi është një personazh me lidhje të forta me eksponentë të qeverisë. Në vitin 2014, Josifi dhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, krijuan një shoqëri private të përbashkët në fushën e telekomunikacionit, në të cilin kanë bashkëpunuar ngushtë për disa vite. Amant Josifi ka qenë për disa kohë edhe këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, në një periudhë që ai drejtonte edhe organizatën kriminale të mashtrimit.

Po ashtu, nëna e tij, Pranvera Strakosha, drejton prej 7 vitesh Zyrës së Mbikëqyrjes të Shërbimit Civil, e emëruar nga maxhoranca socialiste e Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco