Rama 'zhduk' Ahmetajn/ Gazetari: SPAK konfirmoi se nuk është hetuar

Rama 'zhduk' Ahmetajn/ Gazetari: SPAK konfirmoi se nuk është hetuar

10:39, 22/12/2022
A+ Aa A-

Shfaqja e fundit në publik e ish-ministrit Arben Ahmetaj, ishte kur shkoi në seancën e Kuvendit ndërsa ndaj tij sapo ishte bërë një akuzë penale për çështjen e inceneratorëve. Gjatë gjithë kësaj kohe ai është përpjekur të mbajë profil të ulët, deri sa dy ditë më parë ra në sy mungesa e tij. Grupi Parlamentar socialist së bashku me qeverinë u mblodhën në një takim informal në një nga restorantet e Elbasanit.

Ky takim zhvillohet çdo vit para festave të fundvitit dhe në të marrin pjesë të gjithë deputetët socialistë dhe anëtarët e qeverisë. Që të gjithë kanë marrë ftesa nominale për të qenë pjesë e kësaj darke festive. Por në tavolinat e socialistëve u vu re mungesa e deputetit Arben Ahmetaj. Shumë prej deputetëve e komentuan mes tyre mungesën dhe të gjithë kishin variante të ndryshme të arsyes së mungesës, që nga gjendja jo e mirë shëndetësore deri tek angazhimi në një projekt ndërkombëtar në Marok.

Në darkën e socialistëve mungonin edhe emra të tjerë anëtarë të grupit, dy prej të cilëve, Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë në burg për çështjen e inceneratorëve. Ndërkohë që edhe pse ka prova për Arben Ahmetajn ndaj tij nuk ka ende një padi, dhe provat janë anashkaluar nga dy prokurorët e çështjes.

Kurse gazetari Adriatik Doçi, deklaroi se SPAK ka konfirmuar se Ahmetaj nuk ishte nën hetim.

"Në mars 2022, prokurorët e SPAK kanë gjetur e-mailet e Klodian Zotos në kompjuterat e këtij të fundit. Nga rikuperimi i të dhënave, janë zbuluar pagesat që bënte Klodian Zoto për zyrtarë publikë, për udhëtime dhe akomodimin e tyre në hotele me 5 yje të Evropës, në këmbim të kopistjes së letrave dhe firmosjes së tyre për finalizimin e koncensionit të inceneratorëve, ku përfitues ishte kompania e Zotos.

Klodian Zoto u ka paguar akomodimin në hotele Arben Ahmetajt, si ish ministër i Ekonomisë dhe më pas i Financave, si dhe Etleva Kondit, ish drejtoreshë e Damian Gjiknurit për PPP-të në Ministrinë e Energjitikës dhe anëtare e Komisiomit të Vlersimit të Ofertave për inceneratorët. Por, në dosjen hetimore të SPAK, çuditërisht figurojnë vetëm pagesat e Klodian Zotos për llogari të Etleva Kondit, të cilën dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi e kanë veshur me përgjegjësi panale. Në dosje mungojnë pagesat e Klodian Zotos për Arben Ahmetajn. SPAK mbylli hetimet disa ditë më parë, duke çuar në gjykatë për gjykim dosjen për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit.

Mua më ranë në dorë provat e fshehura që implikonin në korrupsion Arben Ahmetajn si dhe dy prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, të cilët dyshohen se kanë devijuar hetimet. Provat i referova po në SPAK, ku kam kërkuar konstatimin e përgjegjësisë penale për ish ministrin për korrupsion dhe dy prokurorët për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Pas këtij referimi penal me elemente që kompromentojnë rëndë të gjithë hetimet për çështjen e inceneratorëve, SPAK doli me një njoftim, duke deklaruar se vijojnë hetimet për rolin e personave të tjerë. Njoftimi i SPAK u lexua si një alibi, sikur Arben Ahmetaj po hetohet. Por, në 27 korrik 2022, SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se emri i Arben Ahmetajt nuk është shënuar në regjistër si person i dyshuar për ndonjë vepër penale.

Konfirmimi i SPAK, siç e konfirmon ky shkëmbim e-mailesh, ka ardhur pas interesimit dhe pyetjeve specifike të bëra nga kolegu gazetar Arsen Rusta. Pra, sipas SPAK deri në 27 korrik 2022, Ahmetaj nuk ishte nën hetim si bashkëpunëtor me Klodian Zoton. SPAK pretendon se ish-ministri po hetohet vetëm pasi u zbuluan provat që ishin fshehur nga hetuesit.

Disa pyetje të rëndësishme meritojnë përgjigje, me qëllim për të stabilizuar besimin që po lëkundet ndaj SPAK:

-Pse prokurorët panë provat kundër Etleva Kondit dhe nuk panë provat kundër Arben Ahmetajt?
-Pse u fshehën provat për ish zyrtarin më të lartë?
-A po hetohet Arben Ahmetaj, kur ka nisur hetimi dhe mbi cilat prova?
-A janë ndarë hetimet për dosjen e inceneratorëve në mënyrë fiktive dhe të panevojshme, me qëllim për të krijuar hapsira për të shpëtuar nga përgjegjësia penale kokat e inceneratorëve?"
shkruan gazetari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco