Nxënësja i ankohet se nuk ka shkollë, Rama e injoron dhe e censuron

09:44, 21/12/2022
A+ Aa A-

Kartolina e urimit të Kryeministrit Edi Rama me më të vegjlit e Shqipërisë u prish nga një vajzë e vogël që i solli në vëmendje procesin e rindërtimit, prej tre vitesh i ngelur pezull.

E vogla, talent në pikturë, pjesë e ceremonisë për ndarjen e certifikatave të konkursit “Shqipëria ime”, pikturoi botën e saj të trishtë mu në sytë e Ramës, teksa i tha hapur se ka tre vite që nuk mëson në shkollën e saj. E më e shëmtuar sesa moslëvizja për t’u rikthyer fëmijëve atë që u takon ishte injorimi i vajzës nga ana e Kryeministrit. Nuk vonoi shumë që kjo e fundit të zhdukej nga sfondi propagandues i një realiteti shqiptar inekzistent.

Një vajzë e vogël nga Berati ka shprehur dëshirën të ketë një shkollë në fshatin Goriçan, ku dhe ajo jeton. Në mes të ceremonisë ku kreu i qeverisë po propagandonte me ndarjen e certifikatave për fituesit e konkursit të pikturës “Shqipëria ime”, vajza gjeti guximin dhe u afrua pranë Ramës e ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Vajza e veshur me një bluzë ngjyrë jeshile dhe me flokë kapur afrohet drejt të parit të qeverisë, duke hamendësuar se "halli” i saj do të mund të zgjidhej nga ai. Por e vetmja përgjigje që merr është refuzimi dhe një dorë që “i tregon udhën”.

Në përpjekje për ta zbehur incidentin e krijuar, vihet ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila përpiqet më tepër t’i shpjegojë kreut të saj atë që po ndodh se sa t’i japë zgjidhje problemit të vajzës. Ajo që vihet re në pamje është mënyra se si Kryeministri e ‘delegon’ vajzën te vartësja. Në momentin që prezanton disa fëmijë të tjerë, Rama prek Kushin në sup dhe vetëm me një shikim bën që ministrja të kthehet pas e të flasë me vajzën.

“Kam tre vjet që nuk kam shkollë, kam shumë dëshirë që shkolla jonë të bëhet. Nga Berati, Goriçani”, thotë vajza, zërin e së cilës nuk e censurojnë dot në lidhje live duke qenë se mikrofonat ishin të hapur. Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri del huq, kryesisht me të rinj. Sjellim në kujtesë rastet kur është qëlluar me vezë nga disa të rinj, çështja e të cilëve shkoi deri në rrugë gjyqësore, pasi u identifikuan e dënuan shumë shpejt./PANORAMA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco