Porti i Durrësit, rruga e kthimit të shqiptarëve!

Porti i Durrësit, rruga e kthimit të shqiptarëve!

20:49, 10/12/2022
A+ Aa A-

Nga Brikena Bogdo

Çfarë lidhje ka midis mirëqenies, shpopullimit të shqiptareve dhe portit të Durrësit? Pse porti i Durrësit do t’i kthente shqiptarët në vendin dhe mirëqenien e tyre?

Në vitin 1994 presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, u deklarua në mbrojtje të Korridorit Tetë dhe pikërisht portit të Durrësit, si “zonë e së ardhmes”. Një nga argumentet e fortë për ta realizuar këtë korridor, megjithë disa kundërshti në Bruksel, ishte pikërisht, frika e një bllokimi të mundshëm të ngushticës së Bosforit. Në ato kushte, Korridori Tetë dhe porti tregtar i Durrësit, do të merrnin një rëndësi të veçantë strategjike dhe do të ishte rruga e kalimit të tregtisë dhe mallrave midis Lindjes dhe Perëndimit. Korridori Tetë do të lidhte vendet përtej Detit Kaspik, që kanë lëndë të parë, që e çojnë në Europë, dhe që janë burime për industrinë europiane.

Ky argument e poziciononte portin e Durrësit, thuajse barabar me ngushticën e Bosforit, si pikë strategjike të lidhjes Lindje-Perëndim. Mbas thuaj 30 vitesh ndodhemi përpara faktit të pakontestueshëm, të bllokimit të gazit rus, dhe të një trafiku tejet të ngarkuar në Bosfor, ku kalojnë krahas anijeve të tjera, edhe anijet që mbajnë miellin ukrainas. Kjo vonesë, sigurisht, rrit kostot e mallrave, pasi një nga faktorët kyç të tregtisë, është qarkullimi i shpejtë i mallrave në kohë. Pra është bërë realitet profecia e mbrojtësve fanatikë, për të cilët  realizimi i Korridorit Tetë, dhe porti i Durrësit do të ishin valvula e  zhbllokimit, në rast bllokimesh të ngushticës së Bosforit. Pika kyçe do ishte, pikërisht porti i Durrësit, por si port tregtar, kurrsesi si port jahtesh, apo turizmi. Porti tregtar i Durrësit do të ishte jetik, për bukën e gojës, jo vetëm të shqiptarëve, por për shumë më gjerë. “Bukën e përditshme jepna sot” – lusim zotin, pasi buka e gojës është e rrezikuar.

Presidenti turk Erdogan e ka kuptuar shumë mirë, se çfarë pozicioni strategjik i është dhuruar nga natyra, për ta maksimalizuar përfitimin. Për këtë arsye hodhi idenë,  për të hapur, nga fillimi, një kanal të ri në Bosfor, që lidh Detin e Zi, me Detin Marmara, paralel me kanalin ekzistues. Midis dy kanaleve qëndron aeroporti i Stambollit. Sigurisht, pjesë e këtij kanali të ri do të jetë edhe hekurudha. Në këtë mënyrë, Erdogan dyfishon kalimin e anijeve dhe mallrave. Me këtë projekt gjigand, Turqia kërkon të konkurojë me kanalin e Suezit dhe atë të Panamasë dhe të afirmohet si brand botëror.

Pika strategjike në këtë krizë energjetike dhe ekonomike, është Turqia, kur shumë mirë mund të ishte Shqipëria. Ne, duke mos kuptuar çfarë dhurate natyrore kemi, jo vetëm që nuk jemi vizionar por jemi barbar, nëse vërtet shkatërrojmë një pikë strategjike tregtare, për një port luksoz jahtesh. Qeveria shqiptare kërkon të përmbysë prioritetet strategjike kombëtare dhe ndërkombëtare, drejt një porti jahtesh dhe pallatesh “luksi”, që do t’i shërbejë, me shumë gjasa, një kaste pasanikësh, por jo durrsakësh të varfër. Pasanikët në Shqipëri, dhe në të gjithë botën, janë në përqindje të ulët, në krahasim me shtresën e mesme dhe sidomos atë të varfër. Shtresa e varfër në Shqipëri, është në përqindje shumë të lartë dhe nuk e kap, as minimumin jetik. Dy argumenta janë të padiskutueshëm, porti i Durrësit, është potencial, po aq sa ngushtica e Bosforit dhe me këtë shumë parash, prej 2 deri 3 miliardë eurosh, që qeveria shqiptare kërkon të hedhë për portin e jahteve, mund ta shndërronte portin e Durrësit në pikë kalimi të tregtisë mes Lindjes dhe Perëndimit. Nëse Korridori Tetë, deri tani, është sabotuar, me këtë projekt jahtesh dhe kullash i jepet goditja përfundimtare, ajo  vdekjeprurëse.

Në Korridorin Tetë, përfshihej edhe hekurudha. Realizimi i kësaj hekurudhe, nga Durrësi, deri në Varna, do të kushtonte 1 miliardë euro, sipas Dr. Kujtim Hashorvës, i cili ka ndjekur procesin në Bruksel, për miratimin e projektit. Ky tip transporti, nëpërmjet hekurudhës, është më i lirë dhe do të ishte ideal, në këto momente krizash ekonomike. Mjerisht, jo vetëm që nuk e patëm këtë vizion, por e sabotuam këtë korridor. Së bashku me të, aktualisht në Shqipëri, është shkatërruar krejt rrjeti hekurudhor.

Mbas gjithë kësaj panorame të fuqisë së portit të Durrësit, si pikë themelore e komunikimit multimodal europian, të diskutohet turizmi, Monaco, qoftë edhe Dubai, gjithçka kalon, nga qesharakja, deri tek sarkastikja. As Monaco, as Dubai nuk e arrijnë fuqinë e Durrësit, nëse do i ishte dhënë rëndësia e duhur, investimi i duhur dhe pozicionimi i duhur, si pikë strategjike  lidhjeje Lindje-Perëndim.

Nuk janë investuar pak në portin e Durrësit, por gati 250 milionë euro. Ndërkohë që, vetëm për spostimin e portit të Durrësit, në Porto Romano, do të duhet të derdhen rreth 500 milionë euro, sipas disa përllogaritjeve paraprake. Në këtë spostim ndërhyn edhe faktori kohë (pra, sa kohë do të duhet, që të spostohet porti). Ndërkohë, Porto Romano është vend i cekët, pra do të duhen shuma të tjera parashë për ta thelluar. Porti i Durresit është i lidhur fort me hekurudhën, ku janë rreth 10 km të saj. Spostimi i hekurudhës, kërkon gjithashtu kohë, për të bërë një segment të ri hekurudhe, por edhe prishje ndërtimesh, hapje rrugësh që kanë kosto ekonomike e sociale.

Durrsakët flasin ndën zë, se po u merret toka. Por, fatkeqësisht, nuk ka më durrsakë në atë qytet, që të reagojnë, apo t’u dhembi për tokën e tyre. Ky është efekti i drejtpërdrejt i shpopullimit. Me tokën e durrsakëve mund të bësh gjithçka dhe askush të mos reagojë, apo t’a mbrojë atë. Jahtet e çnatyralizojnë portin e Durresit. Turizmi ecën me trende, që ndryshojnë çdo vit. Ta kthesh portin tregtar të Durrësit, në një turizëm pallatesh, do të thotë, ta shkatërrosh atë me themel. Nëse ka diçka që ka shkatërruar turizmin e Durrësit, kanë qenë pikërisht pallatet në rërë, duke shkatërruar një aset shumë të veçantë të Durrësit, që është një rërë e bardhë dhe e butë, në një gjerësi, që e ka vetëm qyteti turistik i Riminit, në Itali (i cili laget, po ashtu nga Adriatiku). Turizmi i pallateve ka qenë një turizëm që ka dështuar, si p.sh. në Spanjë, e cila është konsideruar një shembull i keq, si nuk duhet ecur me turizmin mesdhetar. Nëse, ende qeveria mendon si trend turizmi, ngritjen e pallateve, pra modele të dështuara, këtu me të drejtë themi, që ka keqdashësi, ose interesa të larta përfitimi, të jashtëligjshëm.

Duke i dhënë portit tregtar të Durrësit, një vlerë të përmasave të jashtëzakonshme, duke e bërë pikë strategjike kalimi mallrash dhe tonazhesh të mëdha, në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të shpejtë ke rritur punësimin. Rritja e punësimit, jo vetëm që nuk do të largonte shqiptarët, por në të kundërt, do të dyfishonte popullsinë. Fatkeqësisht, jo vetëm nuk vlerësohet kjo si një dhuratë natyrore, por tentohen të ndiqen politika që ta degjenerojnë përfundimisht atë. Për piktorin-kryeministër, rrugët janë piktoreske, pasi në show-n e tij propagandistik flet për korridore të gjelbër dhe blu, koncepte të panjohur nga ekspertët  e fushës.

Me rënien e Murit të Berlinit u rivendosën urat midis Lindjes dhe Perëndimit. Sigurisht, lidhjet që do sillnin edhe zhvillim ishin pikërisht korridoret inteligjente, multimodale (rrugore, hekurudhore, detare, ajrore) midis vendeve europiane. Ishin pikërisht 10 korridore që do të krijonin rrjetën e plotë rrugore lidhëse midis këtyre vendeve. Të gjitha po mbarojnë, duke përfshirë edhe korridorin e dhjetë, që ishte më i pasigurti, nëse do të realizohej (korridori, që lidh Beogradin me Selanikun). I vetmi që është sabotuar është pikërisht Korridori Tetë. Të vjen keq, kur shikon hartën e Europës dhe të githë rrjetin komunikativ që lidhin korridoret, shtetet e Europës Lindore dhe asaj Perëndimore. Vetëm Shqipëria është e përjashtuar. Një pamje e trishtë. Është vetëizolimi i dytë me Europën dhe Botën, mbas izolimit hoxhian 50 vjeçar. Nëse ke mbyllur rrugët e komunikimit multimodal, je vetëizoluar. Europa i besoi Shqipërisë atë, që vetë shqiptarët nuk ia besuan vetvetes, duke u vetëtradhëtuar.

Me sabotimin e Korridorit Tetë, nuk kanë humbur vetëm shqiptarët, por edhe vetë europianët. Shoferët italianë deklarojnë se, vetëm nga kalimi i trajlerave të tyre nëpërmjet Selanikut, jo nëpërmjet Durrësit, humbasin 1 miliardë euro, në vit. Nëse do të ishte punuar me projekte afatgjata,  për ta ngritur në nivelin e pikës strategjike, portin e Durrësit, ashtu siç e meriton, ato trajlera italianë do  të kalonin përmes tij, dhe të dy palët do të ishin të fituara, si italianët, ashtu edhe shqiptarët.

Me Korridorin Tetë, sidomos në këto momente të krizës globale,  Europa do ishte, po aq e interesuar, të na fuste në gjirin e saj, po aq sa jemi ne të interesuar, të jemi pjesë e kësaj europe, që na mbyll derën në fytyrë, me shumë të drejtë. I kemi humbur shancet vetë.

Image

Durrsakët, natyralisht dhe historikisht, janë tregtarë, kjo falë këtij porti. T’i heqësh vlerën tregtare portit të Durrësit do të thotë t’i heqësh durrsakëve zemrën, shpirtin, por dhe psikën e tyre shekullore tregtare, do të thotë të deformosh tendencat natyrale të një qyteti dhe komuniteti mijravjeçar.

Korridori Tetë, është edhe e ashtuquajtura Rruga Egnatia, që prej shekullit të dytë, pas erës së re, që kalonte, në Iliri, Maqedoni, Traki, përgjatë Shkumbinit, 860 km. Ishte konsulli romak i Maqedonisë me mbiemër Egnatius, që urdhëroi realizimin e kësaj rruge. Në fakt Rruga Egnatia u ndërtua mbi një rrugë të vjetër ushtarake, nga Iliria, në Bizant, e përshkruar nga Ciceroni dhe Polibiusi. Rruga u përdor nga Apostulli Pal, në misionin e tij të dytë për të përhapur krishtërimin.

Ushtria romake, ndoqi këtë rrugë, gjatë luftës civile të Cezarit, në kohën e Mark Antonit dhe Oktavianit, kundër Kasit dhe Brutit, që u finalizua me betejën e Filipit. Në kohën antike kjo rrugë, ka qenë vlerë ushtarake. Ajo është shkatërruar në shekullin e pestë, si pasojë e luftrave të shumta. Rruga u bë shumë e famshme, në kohën e Justinianit të Parë dhe u bë si pikë kyçe e kalimit të tregtisë dhe mallrave, mes Lindjes dhe Perëndimit. 

Kjo histori shekullore, tenton sot të zhbëhet, për disa jahte dhe pallate, që sado të larta nëpër qiej, nuk e arrijnë dot thellësinë e shekujve dhe vlerën e padiskutueshme të kësaj pike, natyralisht qendër e botës. Durrësi është në rrezik, që të çnatyralizohet dhe çformatohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco