'Të drejtat e njeriut' në Shqipëri: Pandëshkueshmëri për pushtetarët!'

'Të drejtat e njeriut' në Shqipëri: Pandëshkueshmëri për pushtetarët!'

10:24, 10/12/2022
A+ Aa A-

Nga Petrit Vasili

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ka vetëm një pyetje themelore: A e gëzojnë shqiptarët të drejtën për drejtësi të barabartë dhe të mundshme për ta arritur?

Në Shqipëri po kryhet një reformë e turpshme në drejtësi. Një pseudo-reformë, rezultati i vetëm i së cilës është kapja e saj totale e drejtësisë nga Rama dhe Rilindja.

Ndaj sot, e drejta për drejtësi po përjeton ditët më të errëta për çdo qytetar. Të pambrojtur, të diskriminuar, të zhgënjyer, të vjedhur e të dhunuar, këto janë ndjesitë që provojnë shqiptarët lidhur me të drejtën për drejtësi dhe për sistemin e drejtësisë gjoja të re të krijuar pas reformës.

Lejtmotivi “padrejtësi për qytetarët dhe pandëshkueshmëri për pushtetarët” është fytyra e drejtësisë së re!

Me shumë të drejtë, z. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Europën dhe Azinë, thoshte se “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga korrupsioni i përhapur.

“Vendi po përjeton praktikisht zhbërjen e sistemit të kontrollit dhe balancave, dhe gjyqësori duket i paralizuar.

“Rama është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave”, thotë Biberaj.

Rama dhe Rilindja, reformën në drejtësi e ka trajtuar me moton shkatërrimtare “të kapim drejtësinë me çdo kusht e me çdo çmim!”

Institucionet e reja u ngritën me shkelje skandaloze të ligjit duke filluar nga KLP dhe KLGJ, ku u zgjodhën anëtarë të tyre gjithfarë personash në dhunim të hapur me ligjin:

disa që ONM i rrëzoi si të padenjë; disa që kishin qënë spiunë të Sigurimit; që kishin bërë gjyqe politike në kohë të komunizmit; që kishin bërë evazion fiskal.

Prokurorja e Përgjithshme u zgjodh pa veting dhe me 69 vota nga 84 duke dhunuar rëndë Kushtetutën.

KED u bllokua për një kohë të gjatë në dhunim të Kushtetutës dhe ligjit me qëllimin e vetëm të kapjes së tij nga Rilindja.

Konkurimi për vendet e reja ishte shpesh fiktiv, pa garë dhe pa numrin minimal të konkurentëve për çdo post, duke bërë kontrollin e procesit nga Rilindja, duke realizuar thjesht kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë prej saj.

Gjatë procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese u vërtetua tentativa mafioze për të rrëmbyer anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që ishin kompetencë e Presidentit.

Dhjetëra ligje të reformës në drejtësi janë ndryshuar ende pa filluar akoma funksionimi i tyre, në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me Komisionin e Venecias, me nisma të qeverisë dhe me një parlament jolegjitim.

Asnjë strategji nuk u hartua për të zgjidhur kolapsin total të sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet ku mungesat në personel janë kritike dhe ku dhjetëra mijëra dosje kanë mbetur pa u trajtuar që nga Gjykata e Lartë me 36 mijë dosje e deri tek gjykatat e të gjitha niveleve.

Vetingu me standarte të dyfishta ku edhe vetë anëtarët e tij kishin probleme të rënda që nga nepotizmi politik e deri tek integriteti moral e pasuror është fakt shkatërrimtar.

Kolapsi total i drejtësisë është fakt dhe të vërtetat ulërasin:

Aktualisht mesatarja është 3 mijë çështje për një gjyqtar që do të thotë që realisht qytetarët të mos marrin kurrë drejtësi.

Do të thote ulje e tmerrshme e cilësisë së gjykimit për shkak të një volumi absolutisht të papërballueshëm.

Do të thotë nëpërkëmbje e të drejtave dhe e barazisë përpara ligjit për dhjetëra mijëra qytetarë.

Do të thotë hapësirë pa fund për abuzuesit sepse drejtësia ndaj tyre nuk do të bëhet kurrë.

Do të thotë fushë e hapur për pandëshkueshmërinë në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Do të thotë pasiguri e thellë juridike për bizneset dhe premisë fondamentale për thellim të krizës ekonomike.

Lojërat dhe propaganda me hartën e re gjyqësore ishin thellimi dramatik me pabarazinë përpara ligjit.

Mungesat e gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë janë kritike.

Harta e re gjyqësore thjesht ripërzien çorbën e kolapsit dhe nuk i jep zgjidhje asaj, por vetëm sa u shton mundimet dhe u kufizon në mënyrë drastike aksesin për drejtësi, qytetarëve.

Drejtësia e kapur nga Rilindja prodhoi kaos dhe uli përtokë autoritetin e drejtësisë.

Reforma e kapur e drejtësisë prodhoi zhgënjim dhe betonoi pandëshkueshmërinë.

Asnjë lloj propagande nuk mund të jetë alibi për këtë batërdi organizative dhe ligjore të qëllimshme me drejtësinë.

Kjo është e vërteta e madhe e realitetit të të drejtave të njeriut në Shqipëri si pasojë e pushtetit të Ramës dhe Rilindjes dhe rrëmbimit të drejtësisë prej tyre!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco