Gjykata Kushtetuese-politikës: Brenda vitit garantoni votën për emigrantët, iu shkel e drejta më 25 prill

Gjykata Kushtetuese-politikës: Brenda vitit garantoni votën për emigrantët, iu shkel e drejta më 25 prill

18:34, 09/12/2022
A+ Aa A-

E drejta e emigrantëve për të votuar u shkel në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ndaj politika duhet të garantojë ndryshimet ligjore për ta bërë këtë gjë të mundur brenda një viti. Urdhri vjen për politikën nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka pranuar pjesërisht kërkesën e Shoqatës ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’.

Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën dhe kërkon që Kuvendi brenda një viti të bëjë gati hapësirën ligjore që të votojnë emigrantët.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, partitë politike duhet të arrijnë dakordësinë, për të mundësuar votën e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme, ato vendore të 14 majit. 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “ Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash ,

VENDOSI:

1.     Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

2.     Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.

3.     Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

4.     Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.

  Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco