'Sulme e provokime nga Beogradi'/ Analisti Pula: S'do ketë luftë në Kosovë por incidentet nuk shmangen

16:36, 09/12/2022
A+ Aa A-

Analisti Shqiprim Pula, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës dhe kërcënimet e Serbisë me luftë. Shqiprim Pula tha se deklaratat e ditëve të fundit janë të njohura për shqiptarët e Kosovës ndërsa shtoi se pretendimet territoriale Serbia nuk i ka fshehur asnjëherë.

"Provokime të cilat janë vijimësi e ngjarjeve të planifikuara nga grupet parashtetërore serbe. Këto organizime nuk mund t'i bëjnë qytetarët e rëndomtë, por janë grupe të mirëorganizuara që kanë edhe logjistikë dhe objektiva të caktuara për të arritur dhe janë dorë e zgjatur e Beogradit zyrtar.

Qëllimi i fshehur është që veriu i vendit, duke filluar nga ura e lumit Ibër në Mitrovicë dhe tri komuna të tjera të shndërrohen në temë bisedash në Bruksel. Veriu i vendit është shumë i rëndësishëm për Beogradin zyrtar dhe nëpërmjet incidenteve duan që veriun e vendit ta sjellin në tavolinën e bisedimeve.”-tha Pula.

Analisti u shpreh më tej se prezenca e NATO-s në Kosovë, garanton sigurinë e Kosovës dhe territorit të saj. Sa i takon Luftës, analisti tha se është e pamundur ndërsa shtoi se incidente mund të ketë.

"Veriu i vendit të Kosovës përbën 17 për qind të territorit të Republikës së Kosovës. Me 17 për qind territor hapësirë mund të ketë mundësi për incidente dhe mund të jenë të pakontrolluara. Policia mund të jetë por se sa mund të jenë gjasat që ai numër policësh të mbajnë gjithë atë territor, më mirë do ta vlerësojnë ekspertët e sigurisë. Luftë nuk do ketë por incidentet mund të jenë të përsëritura."-tha Pula.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco