‘Pasaportat e arta’ të Ramës rrezikojnë të kthejnë vizat për shqiptarët

‘Pasaportat e arta’ të Ramës rrezikojnë të kthejnë vizat për shqiptarët

14:25, 09/12/2022
A+ Aa A-

Komisioni Evropian i kërkoi Shqipërisë në mënyrë eksplicite të anulojë planet për pasaporta shqiptare për investitorët ose përndryshe për shqiptarët mund të rikthehen vizat që u hoqën një dekadë më parë.

Nga Gjergj Erebara/

Komisioni Evropian dha paralajmërimin më të prerë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama së fundmi, kur kërkoi në mënyrë eksplicite ndryshimin në ligjin e shtetësisë të miratuar së fundmi, me synimin e anulimit të skemës së pasaportave “për investitorët”, duke kërcënuar se dështimi për ta anuluar këtë skemë mund të sjellë rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Shqiptarët udhëtojnë pa viza për qëllime turistike në vendet e zonës Shengen që nga viti 2010, gjë që e bëri pasjen e një pasaporte shqiptare një lehtësi të madhe udhëtimi.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka miratuar një ligj dhe ka ofruar pasaporta shqiptare për personat që kanë para për të paguar. P.sh., marrëveshja kontroverse për privatizimin e tokës së portit të Durrësit, parashikon që blerësit e apartamenteve të pallatet që një investitor anonim ka në plan të ndërtojë atje, do të përfitojnë automatikisht të drejtën për të aplikuar për një pasaportë shqiptare.

“Pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga Komisioni në vitin 2019, që nga korriku i vitit 2020 Shqipëria ka ligj në fuqi që lejon “shtetësinë përmes skemës së investimeve” të njohur si “pasaporta të arta”,” vëren Komisioni Evropian në raportin e pestë mbi skemën e pezullimit të vizave, një raport që komisioni e përgatit periodikisht për Parlamentin Evropian.

Sipas raportit, Shqipëria duhet të “mos e zbatojë skemën e shtetësisë për investitorët dhe të shfuqizojë bazën ligjore që lejon një skemë të tillë përmes amendimit të Ligjit për Shtetësinë”.

“Komisioni ka opinionin që nëse skema të tilla konsiderohen se përbëjnë një rrezik të shtuar për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Vendeve Anëtare, regjimi i lirë i vizave mund të pezullohet,” nënvijëzon raporti. /reporter.al/ /Linku/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco