Paraqitje skandaloze në parlamentin britanik/ Ambasadori shqiptar: Nuk e di pse po ikin kaq shumë shqiptarë

Paraqitje skandaloze në parlamentin britanik/ Ambasadori shqiptar: Nuk e di pse po ikin kaq shumë shqiptarë

19:19, 07/12/2022
A+ Aa A-

Komisioni për Punët e Brendshme në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dëgjoi disa ekspertë si dhe ambasadorin shqiptar në Londër në kërkim të përgjigjeve se pse kaq shumë shqiptarë kanë kapërcyer La Manshin me gomone këtë vit. Ambasadori Qirjako Qirko tha se ai nuk dispononte informacion mbi këtë problem

BIRN

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar u shfaqën të befasuar disi gjatë një seance dëgjimore të mërkurën më 7 dhjetor, në të cilën, ambasadori shqiptar në Londër Qirjako Qirko ishte ftuar bashkë me disa ekspertë, për të ndihmuar për t’i shpjeguar deputetëve se cilat janë shkaqet e rritjes dramatike të numrit të shqiptarhëve që kapërcejnë La Manshin me gomone dhe pastaj aplikojnë për mbrojtje në Britani për arsye të ndryshme, kryesisht nën pretendimin se janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore apo u rrezikohet jeta në Shqipëri.

Pyetur nëse kishte ndonjë shpjegim se pse 35% e 44 mijë njerëzve që janë kapur duke kaluar kanalin detar që ndan Francën nga Mbretëria e Bashkuar me gomone, ambasadori Qirko deklaroi se ai nuk disponon informacion mbi numrin e azilkërkuesve shqiptarë për shkak se nuk ka marrë informacion përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Sipas Qirkos, problemi me emigrimin e paligjshëm konsiston në faktin që shqiptarët nuk kanë mundësi për emigrim të ligjshëm. Ai mohoi që vendi të ketë një problem me fenomenin e “humbjes së trurit” apo largimit të forcës punëtore.

Komisioni parlamentar për punë të brendshme ftoi një numër ekspertësh dhe zyrtarësh në një seancë dëgjimore të mërkurën, në përpjekje për të kuptuar se cilat janë shkaqet që shtyjnë kaq shumë shqiptarë të kalojnë La Manshin në këtë mënyrë të rrezikshme dhe se çfarë mund të bëhet për të frenuar fenomenin.

Një nga ekspertet vuri në dukje krimin e organizuar shqiptar, i cili është në gjendje të vendosë shqiptarët e varfër në kushtet e skllavërisë së borxhit, ndërsa theksoi se disa nga të rinjtë që ajo ka ndihmuar kanë punuar të mbyllur për shumë muaj me radhë nëpër shtëpitë e barit për të shlyer borxhet ndaj trafikantëve ndërsa një tjetër vuri në dukje se autoritetet që trajtojnë kërkesat për azil në Britani kërkojnë mesatarisht 16.7 muaj për të dhënë një përgjigje për kërkesën për azil, ndërsa një profesor shqiptar në Londër theksoi atë që e përshkroi si dështim sistematik të autoriteteve shqiptare në trajtimin e problemit të dhunës në familje.

Problemi u bë debat politik në Mbretërinë e Bashkuar gjatë muajve të fundit kur autoritetet vërejtën se mbi 15 mijë vetë, ose 35% e të gjithë emigrantëve që tentojnë të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar janë shqiptarë.

Një nga hipotezat është nëse shqiptarët me vetëdije po shfrytëzojnë një ligj britanik të vitit 2015, të quajtur Ligji Kundër Skllavërisë Moderne, për të aplikuar për azil duke pretenduar se janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore, konkretisht, të trafikuar nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar pa pagesë. Me pak fjalë, sugjerimi është që emigrantët janë në fakt emigrantë ekonomikë që kërkojnë të përfitojnë dokumente britanike në bazë të pretendimeve të rreme se janë viktima të krimit të organizuar.

Ekspertët e ftuar nuk dhanë një përgjigje të prerë për këtë ndërsa Esme Madill, një avokate që ka trajtuar rastet e shumë të rinjve shqiptarë, vuri në dukje se në fakt, një emigrim për shkaqe ekonomike nga Shqipëria mund të përfundojë në formën e skllavërisë së borxheve për arsye shumë konkrete. Ajo shpjegoi se si një familje shqiptare, në rastet kur has vështirësi për të paguar një shërbim mjekësor, detyrohen të marrin para borxh te krimi i organizuar dhe të dërgojnë një fëmijë emigrant për të shlyer borxhin duke përfunduar në “skllavëri borxhi”.

“Shumica dërrmuese e klientëve të mi janë të rinj, zakonisht të trafikuar për punë apo për shfrytëzim kriminal,” tha Madill.

“Ka të rinj që janë mbajtur tetë apo dhjetë muaj nëpër shtëpi bari të mbyllur dhe kanë shenja,” vërejti ajo.

“Në disa raste, në fakt jo në pak raste, familjet kanë marrë para hua për trajtim mjekësor, për shembull, për një operacion në sy, ose për të trajtuar një fëmijë me disabilitet, për një operacion. Ata ka raste që marrin hua nga trafikantë qeniesh njerëzore. Dhe në raste të tilla, trafikantët kërkojnë një fëmijë për të punuar këtu,” shpjegoi ajo.

“Trafikantët janë jashtëzakonisht të pasur. Ata mund t’i gjejnë njerëzit në Britani pasi i kanë trafikuar nga Shqipëria. Ata mund të jenë nisur për arsye ekonomike, por hyjnë në skllavëri borxhesh me trafikantët,” shtoi Madill, e cila punon si avokate në një qendër të ndihmës ligjore falas në Londër.

Nuk është i panjohur fakti që në Shqipëri, kujdesi shëndetësor kushton, se mbi gjysma e parave të shpenzuara nga familjet për këtë qëllim janë drejtpërsëdrejti nga xhepi, ndërsa një studim i disa viteve më parë ka vërejtur se janë familjet e varfra ata që vuajnë disproporcionalisht shumë nga mungesa e kujdesit shëndetësor falas.

Mandill hodhi poshtë sugjerimin se shqiptarët po shfrytëzojnë mirësinë e autoriteteve britanike duke dorëzuar aplikime të pabaza për azil duke vënë në dukje se në pesë rastet e saj të fundit, autoritetet kishin bërë mesatarisht 126 pyetje për aplikantët.

“Sistemi i azilit është goxha i rreptë për t’u abuzuar,” vërejti ajo.

Dr Andi Hoxhaj, pedagog në University College të Londrës vuri në dukje dështimin sistematik të autoriteteve shqiptare për të trajtuar rastet e dhunës në familje si një nga treguesit e mungesës së sundimit të ligjit si dhe kohët shumë të gjata të pritjes në proceset gjyqësore si tregues i mungesës së aksesit në drejtësi, por edhe te problemet e rënda ekonomike të vendit.

“Në lidhje me shtetin e së drejtës, vitin e kaluar, kur ne përgatitëm raportin e Freedom House për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, zbuluam se 31% ose 32% ishin gra. Në shumicën e këtyre rasteve ka pasur paralajmërim kundrejt bashkëshortëve. Ne mundëm të shohim se kishte një dështim sistematik të institucioneve shqiptare për të parandaluar vrasjet,” tha Hoxha.

Hoxha vërejti gjithashtu se reforma në drejtësi ka sjellë zvarritje të mëtejshme të proceseve gjyqësore, ndërsa e cilësoi reformën e shkurtimit të gjykatave si një rrugë të shkurtër. Ai vuri në dukje se koha e gjatë e pritjes së drejtësisë në Shqipëri përbën mungesë aksesi në drejtësi.

Ndryshe nga ekspertët, ambasadori shqiptar në Londër refuzoi të diskutojë problemin si problem, duke mohuar madje të ketë njohuri mbi shifrat.

Pyetur nga drejtuesja e seancës, Dame Diana Johnson nëse ishte ndonjë ide se pse ka një rritje të numrit të shqiptarëve që kalojnë kanalin, Qirko tha: “Ne nuk e kemi këtë informacion.” Të zënë në befasi, deputetët i vunë në dukje se shifrat janë gjerësisht të disponueshme publikisht ndërsa Qirko shtoi se ai nuk e kishte informacionin në kanale zyrtare para se të përpiqej të argumentonte se shqiptarët që kalojnë kanalin mund të mos jenë të ardhur nga Shqipëria. “Ne nuk e dimë nëse ata janë shqiptarë nga shqipëria apo nga vende të tjera apo nëse janë shqiptarë që jetojnë në vende të tjera të BE-së,” shtoi ai.

Tim Loughton, një deputet konservator, pyeti Qirkon nëse kryeministrit Edi Rama ia ndjente për të gjithë këtë. “Këta janë njerëz që mund të punojnë dhe paguajnë taksa në Shqipëri,” tha ai. “A nuk shqetësoheni për largimin e personave të kualifikuar?”

Qirko tha se ai nuk shihte se një problem i tillë ekziston ndërsa deklaroi se zgjidhja për emigrimin e paligjshëm është që shqiptarët të mund të emigrojnë në mënyrë të ligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në dukje se Britania e Madhe ka vende pune të paplotësuara dhe ka nevojë për emigrantë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco