Berisha: 320 mln euro për Lekaj-Fier, meremetimi kushton dy herë më shumë se ndërtimi nga e para

19:58, 01/12/2022
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka organizuar sot një takim me banorët e njësisë numër 11 në Tiranë. Berisha komentoi rrugën Lekaj-Fier për të cilën është parashikuar një investim 320 mln euro. Berisha tha se meremetimi kushton dy herë më shumë se ndërtimi nga e para.

"Ju keni lexuar, se si mediat e huaja, eksponentë të huaj, vend i varfër, qytetarë të varfër. Jo nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur. Se ne jemi ata që në vitin 2013 i kishim rrogat më të larta se Maqedonia, Serbia, Bosnja, i gjithë rajoni. Dhe e nisëm me rrogën e tretë më të ulët në botë, kishim pas vetëm Ugandën dhe Angolën. 

E çfarë ndodhi? Prap kemi rrogat më të ulëta, paguhemi 20-30 % më pak se në Kosovë. Pse  kështu. Sepse kjo qeveri, vetëm vjedh. Kjo qeveri në këto 9 vite ka rritur nga 62.6 % që e dorëzuam në shtator të vitit 2013 në 107%. Ne e rritëm borxhin nga 58.4 në 62.6, e rritëm 4.2 %. Me rritjen e borxhit ne dyfishuam rrogat, pensionet, ndërtuam 11 mijë km rrugë, ndërtuam mijëra shkolla, qindra ujësjellës e kanalizime në të 4 anët e vendit. Subvencionuam mijëra fermerë. Si dhe pse ndodhi, pse kjo. Për faktin e thjeshtë se ne nuk ndërtonim një rrugë me çmim 8 herë se në Europë. Jo, rrugët në Shqipëri ndërtoheshin me një çmim 20-30 % më të ulët se në Europë.

Rrugët e mëdha që të gjitha i kemi ndërtuar me kompani të mëdha evropiane. I kemi ndërtuar me garë të hapur, në përputhje me të gjitha manualet e ndërtimit, të cilat nuk kanë kurrë çmime të tilla përrallore. Sot rruga Lekaj-Fier, të cilën secili prej jush kush e di sa herë e ka bërë, tani ç’bënë.

Morën 320 mln euro për të bërë rrugë anësore dhe rikonstruksion që i bie 7 mln euro kilometri. Ndërkohë, ajo rrugë në segmentin Lushnje-Fier është ndërtuar me 1.2 mln euro kilometri dhe nga Shkëmbi i Kavajës në Lushnje është ndërtuar me 2 mln euro km. Meremetimi 2 herë më shumë se ndërtimi nga e para. Vjedhje, vjedhje e vetëm vjedhje. Nuk mund të ketë asnjë arsye tjetër."-tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco