Lajmi i fundit

LIVE/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Himarë për të zgjedhur kryetarin e komanduar

Ekspozita që liderët e BE duhet të vizitojnë në 6 dhjetor në Tiranë

Ekspozita që liderët e BE duhet të vizitojnë në 6 dhjetor në Tiranë

19:56, 30/11/2022
A+ Aa A-

Nga Elkier Bushkolaj

Mehmet Pashë Dërralla i Tetovës u emërua Ministër i Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, njëherësh ai është edhe themelues i Ushtrisë së Parë Kombëtare. Mosprania e përfaqësuesve politike të shqiptarëve të Maqedonisë Veriut dhe shqiptarëve të Malit të Zi, ishte një njollë turpi për seancën e përbashkët të Kuvendeve Shqipëri-Kosovë në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë. 

Por, tjetër marri e organizatorëve të aktivitetit ishte edhe retushimi i arritjeve të qeverisë së djathtë, kryesisht përgjatë viteve 2005-2010 në ekspozitën dedikuar zhvillimeve me të rëndësishme të Shtetit Shqiptar në 110 vite.  

Më 6 dhjetor në Tiranë do mbahet samiti i BE dhe i Ballkanit Perëndimor, ku të pranishëm do jenë të gjithë liderët e vendeve të Bashkimit Evropian. 

Liderët e BE, të shoqëruar nga diplomatët e vendeve të tyre kur të mbyllen punimet e samitit pasi të vizitojnë ekspozitën e pikturave të Edi Ramës dhe djalit të tij Gregorit në hollin e kryeministrisë, mund të gjejnë kohë vizitojnë edhe ekspozitën e ideuar opozita në Bulevard, ku përmes fotove, pikturave e pankartave mund pasqyrohen dështimet e kësaj mazhorance dekadën e fundit, dështime që ndër të tjera u kthyen në pengesë për stanjacionin në raport me  integrimin. 

Presidenti I Francës Macron mund të vizitojë në ekspozitë stendën me foto kushtuar shqiptarëve që flenë në pyjet franceze, në qiell të hapur, në pritje të gomones për tu nisur përmes La Manshit, drejt Anglisë. 

Në atë stendë mund të jenë edhe fotot e Erindës nga Rrësheni dhe Rexhës nga Hasi, që u dogjën të gjallë së bashku me ëndrrën angleze nga flakët që përfshinë kamionin me të cilin po shkonin drejt Anglisë. 

Fotot e Mentor Rexhës apo Florenc Beqirajt, të cilët në kërkim të azilit ekonomik, humbën jetën në burgjet franceze nga dhuna e gardianëve mund të jenë në atë stendë.  

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, mund të vizitojë  stendën kushtuar begatisë së kanabisit, ku mund të shfaqen foto të gomoneve apo avionëve me tonelata kanabis që niseshin nga bregdeti shqiptar drejt Italisë përgjatë viteve 2014-2018. 

Ajo mund të krenohet se falë autoriteteve italiane në atë ekspozitë mund të shohë fotot e zyrtarëve të lartë shqiptarë të përfshirë në trafiqe,  të prangosur e dënuar pikërisht falë përkushtimit të Antimafias. 

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez Pérez-Castejón, mund të ndalet tek ekspozita dedikuar bunkerëve të kanabisit, për të kuptuar se si shqiptarët kanë nisur të lulëzojnë edhe bunkerët dhe tunelet e Frankos me kanabis. 

Kancelari gjerman Scholz mund të ndalet në stendën dedikuar azilantëve shqiptarë në Gjermani. 

Aty mund të gjejë të zbardhur edhe barsoletat me të cilat Rama gajaste Merkelin, por mund të shohë edhe e përgjimet e zbardhura të “Bild” për dosjet 184 dhe 339. 

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, nëse gjen kohë ti hedhe një sy stendave, do kuptojë se ndryshe nga sa ndodh në Roterdam, kokaina nga Amerika Latinë në Shqipëri, nuk vjen vetëm përmes porteve por edhe përmes pikave kufitare tokësore. 

Kryeministri grek Mitsotakis,  ti hedhë një sy stendës dedikuar bujqësisë, për të parë se si tokat tona kanë mbetur djerrë pasi fermerët shqiptar kanë më m leverdi të punojë argat në Greqi se të jetë zot në tokat e tyre në Shqipëri. 

Liderët e Zvicrës dhe Belgjikës mund të vizitojnë në ekspozitë stendën dedikuar ekonomisë, ku të mësojnë se si mbijeton një popull me të ardhurat personale më të ulëta në Evropë, duke paguar karburantin dhe ushqimet bazë me  çmimet më të kripura në botë. 

Ndërkohë liderët e vendeve skandinave, të cilat marrin çdo vit medalje ari për të standardin e jetesës dhe jetëgjatësinë e qytetarëve të tyre, mund të vizitojnë në ekspozitë stendën kushtuar inceneratorëve. 

Aty mund të mësojnë se të moshuarit shqiptarë që jetojnë në azile, falë këtij biznesi kanë miliona euro llogari bankare, madje falë këtij biznesi jo me pak të pasur janë edhe ata që pas vdekjes kanë zbuluar se janë aksionerë në kompanitë e lidhura me inceneratorët, që veç plehrave po djegin edhe një brez tjetër të rinjsh të këtij vendi, që lëngon nga plaga e shpopullimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco