Berisha shpjegon si kaloi Greqia, nga 6 tek 12 miljet detare: Rama konsumoi veprën e tradhtisë kombëtare!

Berisha shpjegon si kaloi Greqia, nga 6 tek 12 miljet detare: Rama konsumoi veprën e tradhtisë kombëtare!

14:36, 07/10/2022
A+ Aa A-

"Këta që e sollën në këtë situatë, harronin që Greqia po bënte marrëveshje duke ruajtur ligjin e gjashtë miljeve në një kohë kur Greqia, kur të donte mund të kalonte në 12 milje. Po s’po kalonte. Po tregohej serioze në negociata. Dhe marrëveshja u firmos midis dy vendeve në kushtet kur Greqia kishte reklamuar gjashtë milje."

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u shpjegoi sot gazetarëve në një konferencë shtypi se si marrëveshja e debatuar e detit me Greqinë kaloi, nga gjashtë milje detare të negociuara gjatë qeverisjes së tij, në dymbëdhjetë milje nga qeveria e Edi Ramës.

Kreu demokrat theksoi se me rrugën që ndoqi, Rama ka konsumuar veprën e tradhtisë kombëtare. “Edi Rama, jo me këtë, por në të gjitha anët, është konsumatori kryesor i tradhtisë kombëtare gjatë këtyre viteve”, deklaroi Berisha.

Pyetje: Z. Berisha, zgjerimi i Greqisë në det me 12 milje, është i drejtë sipas PD-së apo është një deponim i panevojshëm?

Berisha: Absolutisht. Prapa saj qëndron qëndrimi i papërgjegjshëm i Edi Ramës. Pse?! Në të drejtën ndërkombëtare, Greqi ka të drejtën e 12 miljeve, nuk mund t’ia mohojë kush. Është ligji i detit, është Konventa e Montego Bay, ia njeh të drejtën. Por Greqia deri në vitin 2013, madje deri në vitin 2021, i qëndroi ligjit të saj, se kishte ligj, që reklamonte gjashtë milje.

U negociua marrëveshja e parë. Të them se ishte e përsosur… por në atë marrëveshje, dy gjëra kishte: e para, këta që e kundërshtonin, kërkonin ta shpallnim Sarandën, “gji të thellë” dhe unë, atë që s’është, nuk e shpall kurrë! Saranda nuk është “gji i thellë”. Kjo është e vërteta.

E dyta. Këta që e sollën në këtë situatë, harronin që Greqia po bënte marrëveshje duke ruajtur ligjin e gjashtë miljeve në një kohë kur Greqia, kur të donte mund të kalonte në 12 milje. Po s’po kalonte. Po tregohej serioze në negociata. Dhe marrëveshja u firmos midis dy vendeve në kushte kur Greqia kishte reklamuar gjashtë milje.

Në reklamimin e saj gjashtë milje, të gjitha zonat e mëdha të gazit dhe të naftës binin në territorin tonë. Binin në territorin tonë! Greqia është shtet serioz, nuk pranoi ta ndryshojë gjatë negociatave dhe arritëm në një marrëveshje.  Kjo marrëveshje ka një ekspertizë ndërkombëtare. E ka marrë atë ekspertizë, ose zoti Ilir Meta, ose zoti Haxhinasto. Çfarë thotë?! Thotë këto që po them unë, thotë që vija mund të jetë identike me këtë që është përcaktuar.

E rrëzoi Edi Rama me Gjykatë Kushtetuese! Atëherë unë u them autoriteteve greke: kemi vetëm një rrugë. Negocime s’bëj dot më, se e ndalonte gjykata. Gjykata propozonte rrugë tjetër.

Tani këtë marrëveshje kemi mundësi ta çojmë në Gjykatën e Hagës sepse në Kushtetutën tonë dhe në Kushtetutën tuaj, e drejta ndërkombëtare prevalon mbi të drejtën kombëtare.

Fillimisht, hezituan po pastaj e pranuan, e kuptuan se ky  ishte qëndrim serioz nga ana e  qeverisë shqiptare dhe s’kishte asnjë hile, kishte thjesht dëshirën për ta zgjidhur problemin dhe marrëveshja po shkonte në Hagë.

Antoni Samaras ra dakord për gjashtë milje sigurisht. Marrëveshje e firmosur me gjashtë milje! Për hir të së vërtetës edhe Aleksis Cipras ra dakord.

Çfarë ndodhi tani?! Erdhën në pushtet! “Jo, nuk shkojmë në Hagë!” këta, Edi Rama me Ditmirin. S’kemi punë, e zgjidhim ne! - U ulën, por për ta zgjidhur kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila të diktonte një për një se si do të negociosh. E drejtë apo gabim, ai ishte vendim gjykate. Ti nuk mund të negocioje kurrsesi pa pasqyruar në platformë të gjitha pikat e gjykatës. Këta nuk pasqyruan në platformë asnjë pikë të gjykatës dhe vazhduan tre vite në një takim të vazhdueshëm me Kociasin dhe deklaruan se ne arritëm një marrëveshje shumë më të mirë se e para!!!

Mirë, arritëm marrëveshje më të mirë se e para! Dakord!

Shkuan në Korçë, erdhi ministri i Jashtëm i Greqisë për të sigluar draftin, draftin që ishte negociuar duke shkelmuar pikë për pikë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese,sepse Gjykata Kushtetuese diktonte një praktikë tjetër negociatash e cila përdorej për caktimin e kufirit bazuar në metodën proporcionale dhe jo të barazlargimit.

Zoti Meta, President u nxori kartonin e kuq, u tha: Ju keni negociuar dhe keni bërë gjithçka në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe çdo gjë është nul.

Shkoi në Korçë, zoti Bushati dhe i thotë homologut të tij: Tani ne nuk e siglojmë dot se nuk e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese!!!

Po kishin negociuar katër vite me qeverinë tjetër. I thotë ai: Po ç’punë kam unë me vendimin e Gjykatës suaj Kushtetuese?! Ju keni negociuar me mua katër vite. Katër vite!  

“Jo po ne nuk na lejon”.

“Po tani u kujtuat ju?! Po. Mirë shkoni.” Edhe Greqia kaloi tek 12 milje. Kaloi direkt tek 12 milje.  Dhe përsëri këta tani, shiko çfarë bënë. Edi Rama deklaron që e pranoi, “jo, smë tregonte…” .Kryeministri shqiptar!

Greqia mund ta bënte, s’e pengon dot, por Kryeministri shqiptar, në qoftë se mbronte interesin e Shqipërisë do të thoshte: Po i  ndërron rregullat në mes të lojës!

Por Edi Rama mohoi procesin. Jo, tha, s’kemi proces, s’kemi marrëveshje. Ia dha të gjitha në dorë. Tani rikthehet e thotë s’kemi konsensus.

Nuk mund të tallesh me kërrkënd. Edi Rama ka konsumuar veprën e tradhtisë kombëtare. Edi Rama, jo me këtë, por në të gjitha anët, është konsumatori kryesor i tradhtisë kombëtare gjatë këtyre viteve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco