'Kthesa e fortë e Home Office se shqiptarët vijnë nga vend i pasigurt, sinjal që bota i jep Edi Ramës'

'Kthesa e fortë e Home Office se shqiptarët vijnë nga vend i pasigurt, sinjal që bota i jep Edi Ramës'

14:28, 29/09/2022
A+ Aa A-

Çlirim Gjata, anëtari i  Këshillit Kombëtar të PD, komentoi sot vendimin e fundit të Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe për të mos i dëbuar emigrantët e paligjshëm shqiptarë, ndryshe nga ç’ishte lidhur marrëveshja muaj më parë me qeverinë shqiptare.

Sipas Gjatës, “Home Office” doli në përfundimin se për shumë shqiptarë, vendi i tyre nuk është i sigurt për të jetuar, një sinjal alarmi ky që bota i jep Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Në një deklaratë për shtyp, Gjata tha:

“Për shumë shqiptarë, vendi i tyre nuk është i sigurt për të jetuar”: Mbi këtë përfundim Ministria e Brendshme britanike ka vendosur të rrëzojë një vendim të mëparshëm, sipas të cilit emigrantët shqiptarë që zbarkonin në ishujt britanikë do të deportoheshin.

Media britanike e quan një kthesë të fortë, vendimin e "Home Office", i cili merrej në kundërshtim me një marrëveshje të para disa muajve të Ministrit të Brendshëm shqiptar Çuçi dhe asaj britanike Priti Patel. Sipas atij pakti, emigrantët ilegalë shqiptarë do të deportoheshin fillimisht në Ruanda dhe më pas të ktheheshin në Shqipëri.

Shtypi britanik i ka bërë jehonë para disa javësh, një studimi të "Home Office" sipas të cilit 6 në 10 emigrantë që kalonin kanalin e La Manshit me varka dhe gomone ishin shqiptarë.

Këto shifra alarmante, që janë pjesë e shpopullimit dramatik të vendit, si edhe vendimi i "Home Office" për t’i konsideruar si të ardhur nga një vend i pasigurt, emigrantët shqiptarë, është një tjetër sinjal që bota i jep Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Partia Demokratike e ka përsëritur dhe e rithekson vazhdimisht alarmin e shpopullimit, i cili nuk vjen për arsyen që thotë Rama, sipas të cilit njerëzit ikin se u pëlqen, por sepse jetesa në vendin e tyre u bëhet e pamundur!

Partia Demokratike e sheh me keqardhje teatrin absurd të Ramës dhe të sejmenëve të tij, që këndojnë për një Shqipëri “që hedh valle të lumtur në gojën e ujkut dashakeq”, ndërkohë që shifrat, raportet, studimet, artikujt e shumtë dëshmojnë për një Shqipëri që braktiset, shpopullohet, lihet pas, sepse kushtet, siguria, ekonomia, nuk premtojnë për sot dhe as për nesër. 

Nën qeverinë e Edi Ramës shqiptarët marrin detrat e trazuar të veriut të Europës, kamionët e pasigurt të rrugëve të Francës, kampet e azilantëve në Gjermani, sepse duan t’i largohen një Shqipërie që është rrezikshme për shumicën dhe Eldorado e shfrenuar për një grusht grabitësish", theksoi Gjata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco