VIDEO- SYRI TV/ Kulmi i krizës: Rama jep 5 milionë euro për Formula 1

11:32, 27/09/2022
A+ Aa A-

Pesë milionë euro shtesë do të shpenzojë qeveria shqiptare për të ndërtuar argjinaturat e lumit Shkumbin ku do të ndërtohet pista e Formula 1. Tenderi i kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duket i dyshimtë, pasi nga gara janë skualifikuar plot 11 operatorë ekonomikë. Ndërkohë ky shpenzim luksi vjen në një kohë që qytetarët shqiptarë po përballen me krizën e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë

SYRI TV

Teksa çdo ditë shtrenjtimi i çmimeve të shportës dhe karburanteve po varfëron familjet shqiptare, qeveria nuk heq dorë nga shpenzimet për projekte luksi.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur të japë 5 milionë euro për ndërtimin e disa argjinaturave mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin në Elbasan, ku është parashikuar të ndërtohet një pistë për garat e Formula 1.

Fondi limit i këtij tenderi ishte 759 milionë lekë, ose rreth 7,5 milionë euro. Ndërsa fituese është shpallur kompania “Alb Building” me ofertë rreth 525 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro. Pra, plot 5 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, do t`i shtohen shpenzimeve marramendëse për ndërtimin e pistës së garave në Elbasan.

Por sikur të mos mjaftojë fakti se në kohë krize qeveria gjen para për shpenzime luksi, duke dhënë lëmosh për familjet e varfra dhe pensionistët, tenderi miliona euro i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për pistën e garave duket i dyshimtë. Gara për këtë tender u hap në 15 gusht, por FSHZH caktoi vetëm datën 15  shtator si ditë kur operatorët ekonomikë të dorëzonin ofertat.  Gjithashtu, po në datë 15 shtator, po brenda ditës, FSHZH ka mbyllur garën për pranimin e ofertave, ndërsa dhjetë ditë më vonë ka shpallur dhe fituesin.

Sipas faqes së specializuar për tenderat publikë në Shqipëri, tenderi për argjinaturat në lumin Shkumbin është me flamur të kuq, për shkak se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka skualifikuar nga gara të gjithë operatorët e tjerë ekonomik.

Gjithashtu, nuk është vendosur as kushti, që operatori fitues, të jetë me ofertën më të ulët ekonomike nga sa parashikon fondi limit apo ofertat nga operatorët e tjerë ekonomikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco