Sulmi kibernetik/ Salianji: Znj.Balluku, asnjë shteti tjetër nuk i kanë rënë 'pantallonat' siç i ranë Shqipërisë!

Sulmi kibernetik/ Salianji: Znj.Balluku, asnjë shteti tjetër nuk i kanë rënë 'pantallonat' siç i ranë Shqipërisë!

15:21, 22/09/2022
A+ Aa A-

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ka replikuar sot në Kuvend me Zv.Kryeministren Belinda Balluku për paaftësinë e qeverisë shqiptare për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë nga sulmet kibernetike.

Salianji nuk është ndikuar nga shprehjet ironike, në dukje plot etikë dhe politesë të Ballukut dhe në debatin me të ia ka argumentuar hapur se asnjë shteti tjetër të NATO-s, madje as Kosovës, “nuk i kanë rënë pantallonat” siç i kanë rënë Shqipërisë prej këtij sulmi, sepse, tha ai,  Shqipëria përpiqet ta mbulojë me propagandë e nuk merret me sulmin dhe me agresionin që ka ndodhur”.

Replika erdhi pasi Balluku në foltoren e Kuvendit solli në vëmendje se jemi në një Luftë të Tretë Botërore për të përshkruar fuqinë e sulmit kibernetik ndaj e-Albanias, duke theksuar vazhdimisht se ai shteti i huaj ishte “i paprecedentë” se synoi fshirjen totale të të dhënave të dixhitalizuara të Shqipërisë.

Pikërisht në këtë pikë, Salianji i është kthyer duke lexuar një për një, postimet që kishte bërë gjatë asaj periudhe në Fb vet Rama dhe që nuk dëshmonin absolutisht për sulme aq të rënda sa përshkruante sot Balluku, po në të kundërt, se një vend si Shqipëria po arrinte t’i përballonte me sukses!!!

Dhe këtu, Salianji – për të debatuar me të njëjtën etikë me Zv.Kryeministren, e lidhi “rënien e pantallonave” me rrëzimin e shtetit dixhital të Edi Ramës.

Ndiqni pak nga debati i tyre, që nisi me fjalën e Zv. Kryeministres:

Belinda Balluku: Dua të vlerësoj ofertën e z. Salianji për bashkëpunim  se kur ndodh një sulm i këtyre përmasave, se ka qenë një sulm i organizuar dhe i sponsorizuar nga një shtet tjetër dhe që s’ka krahasim me sulmet hakeruese normale, me ato që bëjnë adoleshentët nga bodrumet e shtëpive të tyre apo që bëjnë profesionistë që kanë arsye të tjera.

Pra,zakonisht ....(i drejtohet z. Edmond Spaho): Pse gjithmonë flet kur unë të dëgjoj me shumë vëmendje?! Se kam dhe respekt, edhe për moshën, edhe për eskperiencën e gjatë në parlament?! Pse e prish kot, gjithë ky burrë?! Sa herë flas unë, flet edhe ti që atje. Mirë, vazhdo flit.

Pra, ky ishte sulm i paprecedentë dhe ka pasur për synim fshirjen e të gjitha të dhënave. Tetë orët e para ka nisur si një sulm për të marrë të dhëna dhe për t’i tregtuar ato, ashtu është shfaqur, mund t’i referoheni edhe raportit të FBI dhe të Microsoft, por më pas është transferuar në sulm që quhet “Zero Clear” dhe “Ëhite Out”.

Kështu që po përballemi me diçka të paprecedentë; jemi në një kohë shumë të vështirë për politikën botërore kur flitet për Luftën e Tretë Botërore dhe “cyber attacks” janë tashmë pjesë e një lufte.

Ju e dini dhe vetë dhe çfarëdo të thoni këtu për narrativë, e kuptoni se me çfarë po përballet ky vend dhe z. Salianji ju falenderoj shumë që më në fund dëgjova një narrativë politike nga ana e opozitës të arsyeshme. Thatë “nëse duhet ndihma jonë, nëse duhet bashkëpunimi ynë, ne jemi këtu” dhe ne ketë e vlerësojmë si qeveri dhe besoj edhe si mazhorancë.

Ervin Salianji replikën: “Së pari, më vjen mirë që Zv.Kryeministrja përgënjeshtron në publik në këtë foltore, Kryeministrin. Në datën 18 , vetëm tre ditë pas sulmit që tha zonja Zv.Kryeministre, Rama ka thënë “Kundër-ofensiva e AKSH në përballjen e agresionit kibernetitk kundër Shqiëprisë po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme. Agresori - thotë Rama - nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes.”

Më datë 23 korrik vazhdon: “Lajm i mirë është që agresori është zmbrapsur me sukses nga skuadra shqiptaro- amerikane, asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë, vazhdon operacioni.”

Më 11 shtator vazhdon Rama... Më 17 shtator vazhdon e  mbron Rama.  Pra, gjatë gjithë kohës, Rama nuk ka pranuar se ky që thoni ju, ky agresioni kaq i madh ndaj Shqipërisë të ketë ndodhur dhe që Shqipëria të ketë dështuar.

Së pari, edhe kur ju afrohet se çfarë kërkoni nga opozita , ju nuk e thoni dot se çfarë. Ja ku jemi, çfarë kërkoni nga opozita?

Së dyti, ne po kërkojmë të mbahen përgjegjës edhe ky zotëria që mashtron se nuk ka ndodhur sulmi, edhe ata që kanë qenë përgjegjës.

Do t’ua them edhe zyrtarisht me shkrim, pyetjet që kam për këtë çështje.

Së katërti, pa diskutim znj. Balluku, që agresioni është ndaj vendeve të NATO-s dhe vendeve të tjera, Kosovës së fundmi, por ata e kanë përballuar.

I vetmi shtet që ka dështuar është Shqipëria dhe kur thoni se sot jemi në sulm dhe janë në sulm të gjitha shtetet, vetëm Estonia në vitin 2007, pra 15 vjet më parë kur nuk jemi në këto nivele, ka pasur një sulm dhe nuk kanë mundur dot t’ia marrin të dhënat.

Ka pasur vetëm dëmtim të të dhënave tek Estonia. Asnjë shteti tjetër nuk i kanë rënë pantallonat siç i kanë rënë Shqipërisë, për shkak se Shqipëria përpiqet ta mbulojë me propagandë e nuk merret me sulmin dhe me agresionin që ka ndodhur”, përforcoi në fund të replikës së tij, deputeti Ervin Salianji./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco