Takimi i tretë i Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, çfarë do të diskutohet?

Takimi i tretë i Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, çfarë do të diskutohet?

07:42, 18/08/2022
A+ Aa A-

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret. Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.

Pse tensione?

Serbët lokalë vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe, shkruan Radio Evropa e Lirë. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.

Kosova e ka zbatuar më 1 gusht - për pak orë - pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.

Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

Çfarë do të diskutohet më 18 gusht?

Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke iu referuar takimit të së enjtes.

Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, kryeministri Kurti, ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar - me datën 1 gusht - se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.

Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.

Pas takimeve me dy zyrtarët, Vuçiq ka thënë se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa presion dhe ultimatume”.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian është bërë e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, do të zhvillojë po ashtu takime të veçanta me secilin lider.

Presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Escobar ka thënë më 17 gusht se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit.

Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Si janë komentuar tensionet në veri?

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur", për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Në këto dy qytete janë zhvilluar takime mes zyrtarëve shtetërorë të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në ditën e barrikadave në veri.

Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se ka informacione për plane të Kosovës që të “likuidojë” serbët në veri.

Vuçiq, skeptik se takimi me Kurtin do të prodhojë ndonjë rezultat

Çfarë pret BE-ja?

Kryediplomati Borrell i ka ftuar liderët e dy shteteve në takim, ndonëse muaj më parë ka thënë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, derisa të vërejë që negociatorët kanë vullnet për ta çuar përpara këtë proces.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku evropian nuk u imponon zgjidhje partnerëve, teksa ka folur për rolin e BE-së në zgjidhjen e mospajtimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, BE-ja ndihmon vetëm në arritjen e një kompromisi.

“Shumë çështje që po shkaktojnë irritim në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë quhet dialog i ndërmjetësuar, jo i detyrueshëm. Ne mund të ndërmjetësojnë për aq sa ekziston gatishmëria nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje kompromisi”.

Edhe pse dialogu i nivelit të lartë është bllokuar tash e një kohë, ekipet negociatore të të dyja vendeve janë takuar disa herë në Bruksel.

Ekipin e Kosovës e udhëheq zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Këto ekipe kanë arritur pajtueshmëri në muajin qershor për zbatim të marrëveshjes për energjinë.

Megjithatë BE-ja e ka pranuar se implementimi është duke u vonuar.

Pesë vjet bllokadë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.

Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco