Amnistia fiskale/ Meta: Qeveria të heqë dorë urgjentisht dhe ti kërkojë falje shqiptarëve të ndershëm

Amnistia fiskale/ Meta: Qeveria të heqë dorë urgjentisht dhe ti kërkojë falje shqiptarëve të ndershëm

15:10, 06/07/2022
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar në lidhje me projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale të iniciuar nga qeveria e Edi Ramës.

Në postimin e tij në Facebook, Meta ka renditur një sërë argumentash të bazuara kundër kësaj nisme të qeverisë, duke i bërë thirrje që të heqi dorë urgjentisht dhe ti kërkojë falje të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e shumta nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe paralajmërimin zyrtar të Bashkimit Europian, mbi projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale.

Ndër argumentet e bazuara kundër kësaj nisme të Qeverisë, paralajmërohet se përmes këtij ligji:

📌 - Do të favorizohej qartësisht bota e krimit, duke ofruar mundësinë që të ardhurat e përftuara ndër vite prej aktivitetit kriminal nga grupe të organizuara apo individë të pushtojnë ekonominë vendase, dhe veçanërisht tregun financiar, në mënyrë të ligjshme;

📌 - Do të goditej drejtpërdrejt dhe dëmtohej biznesi i ndershëm dhe iniciativa e lirë vendase;

📌 - Do të dekurajoheshin edhe më tej investimet e huaja serioze në Shqipëri;

📌 - Do të kriminalizohej e gjithë ekonomia, dhe si pasojë edhe gjithë shoqëria shqiptare, duke ekspozuar vendin si destinacion që favorizon veprimtarinë e organizatave dhe grupeve kriminale mafioze ndërkombëtare;

📌 - Do të minohej edhe më tej besimi i shoqërisë tek shteti i së drejtës, tek institucionet, tek barazia përpara ligjit, dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale;

📌 - Do të inkurajohej perceptimi i gabuar dhe shumë i rrezikshëm se çdo veprimtari kriminale dhe produkt i saj do të amistohet gjithmonë në të ardhmen;

📌 - Do të sillte si pasojë rritjen kriminalitetit të rrugës;

📌 - Do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, që sipas raporteve të agjencive të specializuara, tashmë e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale;

📌 - Do të dobësohej angazhimi dhe efikasiteti i të gjitha strukturave dhe mekanizmave shtetërorë që luftojnë pastrimin e parave dhe produkteve të veprave penale;

📌 - Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian;

📌 - Do të kompromentohej rëndë imazhi i Shqipërisë si anëtare e NATO, dhe do të cënohej imazhi i panjollë i të gjithë shqiptarëve të ndershëm;

I mbështes plotësisht të gjitha këto shqetësime të argumentuara që ngrenë alarmin mbi nismën e fundit të Qeverisë, dhe që janë shprehur edhe më herët përmes Rezolutës së Parlamentit Europian së datës 19 maj 2022.

Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Kushdo që mendon se do të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim.

Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar.

Qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco