Berisha thirrje Diasporës: Jeni ndihmë shumë e madhe për suksesin e kësaj lëvizje! Mos mungoni në 7 korrik!

22:11, 02/07/2022
A+ Aa A-

Kreu i PD Sali Berisha ka zhvilluar këtë të shtunë një bashkëbisedim online me shqiptarët e diasporës ku iu bëri thirrje atyre të bashkohen në protestën e 7 korrikut kundër regjimit të Edi Ramës, ndërsa shtoi se diaspora është ndihmë shumë e madhe për suksesin e kësaj lëvizje.

Kreu i selisë blu garantoi shqiptarët e diasporës se s’do lejojë zgjedhje në Shqipëri pa votën e tyre. Ai u zotua se sot janë në opozitë, por kur nesër të vijnë në pushtet do përdorin potencialet e jashtëzakonshme të shqiptarëve të diasporës.

Ai theksoi se ka marrë fund koha e opozitës së kontrolluar ndërsa shtoi se PD sot është avokate e interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve.

"Tani jemi opozitë e vërtetë. Përpjekjet e jashtëzakonshme që u bënë gjatë 10 muajve të fundit për një opozitë fiktive dhe të kontrolluar kanë marrë fund.

Sot PD është dhe mbetet avokate e interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve. Në kompleksitetin e detyrimeve të saj ne do bëjmë gjithçka për mobilizimin e të gjitha potencialeve tona në Shqipëri dhe jashtë saj, në emigracion, diasporë e kudo.

Beteja jonë s'është e lehtë. Beteja jonë është në një shoqëri në të cilën ky regjim në mënyrë sistematike mbolli frikë.

Në 1 vit 38 mijë shqiptarë u arrestuan për çështje civile që nuk ndodh kund në botë. U arrestuan me qëllim mbjelljen e frikës. Do përmbushim misionin tonë.

Ne llogarisim mbështetjen tuaj që kemi shumë nevojë. Ju sigurojmë se tani në opozitë dhe nesër në pushtet, do bëjmë gjithçka që potencialet tuaja të mund të përdoren nëpërmjet programeve, nëpërmjet bashkëpunimit, në të gjitha fushat e këtij vendi.

Shqipëria ka nevojë jetike për shtetin ligjor. Kemi nevojë për diasporën në protestën e 7 korrikut. Ju jeni një ndihmë shumë e madhe për suksesin e kësaj lëvizje.”-tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco