Grupet e punës së PD në terren me qytetarët: Protestoni më 7 korrik! Të rrëzojmë qeverinë e korruptuar të Ramës

Grupet e punës së PD në terren me qytetarët: Protestoni më 7 korrik! Të rrëzojmë qeverinë e korruptuar të Ramës

16:21, 02/07/2022
A+ Aa A-

Temperaturat e larta nuk kanë penguar Grupet e punës së Partisë Demokratike për të zhvilluar takime në terren me qytetarë, tregtarë, burra e gra, në lidhje me protestën e 7 korrikut. Takimet e mbajtura në zona të ndryshme të Shqipërisë, kanë shërbyer për informimin e qëllimit të kësaj proteste.

Në broshurat e shpërndara në rrugët e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të vendit, theksohet rritja e çmimit të naftës, ushqimeve bazë, taksave dhe korrupsionit.

Deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar, anëtarë të Kryesisë dhe Sekretariateve në takimet sy më sy me qytetarët, kanë zhvilluar edhe bashkëbisedim me strukturat në bazë.

Apeli drejtuar të gjithë shqiptarëve është pjesëmarrja në protestën e 7 korrikut.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë Albana Vokshi nga Njësia  në Tiranë, u bëri thirrje grave dhe vajzave të jenë në terren për të ftuar çdo qytetar të ngrejë zërin kundër qeverisë e cila nuk mendon për njerëzit, por vetëm për pasurimin e saj.

"Protestat nuk do të ndalojnë deri në rrëzimin e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës", tha Vokshi.

Ndërsa anëtarja e grupit të punës Iliriana Kuçana në takimin me zonjat e Njësisë 4 në Tiranë shprehu shqetësimin e largimit të të rinjve.

"Të dalim në protestë që Shqipëria të mos shpopullohet. Të rinjtë duan të ikin, por ne duhet ta ndalim", tha pedagogia Kuçana.

Sekretari i Pergjithshëm i PD Flamur Noka gjatë takimeve në Kamëz theksoi se “7 korriku është një mundësi për vendin, për të rinjtë, për të gjithë shqiptarët që nuk i dorëzohen realitetit, krimit e mjerimit!”

 “Kudo varfëri, papunësi, revolte. Të gjithë duan të protestojnë për veten, familjet dhe fëmijët e tyre. Ndihet që tashmë vendi ka opozitë të vërtetë, e njerëzit na shohin me besim e shpresë”, thotë në një reagim të saj kryetarja e degës 9 në Tiranë, Eda Grimci, pas takimeve përreth “Bulevardit të Ri”, Rrugës “Jordan Misja” dhe tregut “Ish Uzina Dinamo”.

Sekretari Organizativ Ervin Minarolli, së bashku me kryetarin e degës 8 Gazment Sallaku dhe anëtaren e Këshillit Kombëtar Fioralba Dizdari takuan banorët e njësisë 8 në Tiranë duke u bërë thirrje për pjesmarrje masive në protestën e 7 korrikut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco