Presidenti Ilir Meta ka uruar sot, deputetin shqiptar të zgjedhur në Kuvendin e Serbisë si përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
"Urime Shaip Kamberit për fitoren e mandatit të deputetit në Kuvendin e Serbisë. Besimplotë se do të jetë një zë i fuqishëm dhe përfaqësues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës", shkroi Meta në Fb.
Kamberi ka qenë edhe në dy mandate të tjera deputet në Kuvendin e Serbisë.
Kujtojmë se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kërkoi mbështetje nga shqiptarët në Serbi për Shaip Kamberin. Një ditë para votimit, Meta shkroi në Fb:
“Nesër, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë.
Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit.
Ftoj të gjithë votuesit shqiptarë në këtë qendër votimi, që nesër masivisht t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaip Kamberin dhe “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë.”
© SYRI.net