Nga parlamenti, Berisha thirrje shqiptarëve: Ejani! Ata që ushqejnë kotelet me biftek nuk ua dinë

Nga parlamenti, Berisha thirrje shqiptarëve: Ejani! Ata që ushqejnë kotelet me biftek nuk ua dinë

14:07, 23/06/2022
A+ Aa A-

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 7 korrikut.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha lexoi të dhënat e Eurostat që i rendisin çmimet në Shqipëri më lartë se mesatarja e BE dhe shtoi se vetëm protesta është përgjigja e merituar ndaj regjimit.

‘Jam sot këtu në këtë platformë për t’ju bërë thirrje. Të dashur qytetarë dhe qytetare, punonjës të administratës, me ndihmë ekonomike, të bashkohemi në protestën e 7 korrikut pasi bordet shushunja të Edi Ramës po rrisnin në mënyrë  antiligjore çmimet për llogari të qeverisë.

Po ju informoj të dhënat e fundit të Eurostat se në këtë vend ku qytetarët marrin 6 herë më pak se në BE, qumështi, veza, djathi kushton 105% të çmimit të vendeve të BE. Një çmim  më të lartë se në mesataren e BE. Ato që ushqejnë kotelet me biftek, apo konet me mjaltë neozelandez nuk mund t’ua dinë qytetarëve shqiptare.

Unë jam këtu për t’ju bërë thirrje dhjetëra mijëra bizneseve të vogla dhe të mesme, dhjetëra mijëra profesionistëve të lirë ekzistenca e të cilëve rrezikohet nga taksat e reja, që po i shton Rama dhe përgatitet t’i shtojë çdo ditë. Bashkohuni me ne se ky zotëri ka qëllim vetëm falimentimin dhe largimin tuaj nga Shqipëria në zbatim të platformës së spastrimit', tha kreu i PD-se Sali Berisha ne sallen e parlamentit.

Fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha në foltoren e parlamentit:

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë seancë,

Jam këtu sot në këtë platformë për t'ju bërë thirrje, të dashur qytetarë dhe qytetare, punonjës të administratës në ndihmë ekonomike, pa punë, punonjës të sektorit privat dhe kudo që jeni, të bashkoheni me protestën e 7 korrikut pasi bordet shushunja të Edi Ramës po rrisin në mënyrë antiligjore çmimet për llogari të qeverisë. Unë po ju informoj këtu të dhënat e fundit të EUROSTAT ku qytetarët marrin të paktën mesatarisht 6 herë më pak se në mesataren e vendeve të BE, litri i qumështit, kg i djathit, kokrra e vezës kushton më shtrenjtë, apo 105% të çmimit të kushtojnë në mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

Një çmim më të lartë se në mesataren e BE ka vaji i gatimit dhe yndyrat. Natyrisht ato që ushqejnë kotelet me biftekë apo qentë me mjaltë neo-zelandez nuk mund t'ua dinë qytetarëve shqiptarë, e shoh se po rrudhni fytyrat dhe po bëni poza, nuk shkon kjo punë, të paktën të keni mëshirë, ndjenjë dhembshurie kur flas për qytetarët.

Po kështu, nafta ka kapur çmimin e Zvicrës, në vendin ku rrogat janë dhjetë herë më të ulëta se në Zvicër. Megjithatë, Edi Rama ka përfituar 340 milionë euro tepër nga xhepat e qytetarëve.

Shtoj këtu se ndihma ekonomike po sipas INSTAT, është ulur me 2% dhe jo se është rritur në respekt të këtyre çmimeve.

Jam këtu për t’ju bërë thirrje dhjetëra mijëra bizneseve të vogla dhe të mesme, dhjetëra mijëra profesionistëve të lirë, ekzistenca e të cilave kërcënohet në mënyrë serioze nga taksat e reja, që njeriu që u betua se deri në vitin 2029 nuk do të kenë asgjë, po përgatitet t’i shtojë këto ditë.  

Bashkohuni me ne se ky zotëri, ka vetëm një qëllim, falimentimin dhe largimin tuaj nga Shqipëria, në zbatim të platformës së spastrimit etnik të këtij vendi.

Një thirrje vëllazërore dua t’u bëj nga Parlamenti emigrantëve shqiptarë, bashkohuni në protestën e 7 korrikut për të mbrojtur të drejtat tuaja Kushtetuese që një regjim antikushtetues po ua mohon. Çdo emigrant duhet të ketë të drejtë të votojë për deputetin dhe partinë që dëshiron dhe vota e tij të llogaritet nga rrethi që ai është larguar. Unë e kuptoj që është e pamundur një shpërngulje masive e emigrantëve për protestën, por ata kanë në Shqipëri vëllezërit, motrat, familjarët, duhet të jenë ata në protestë në 7 korrik kundër këtij regjimi që kërkon t’u mohojë të drejtat më elementare fëmijëve të tyre.

Sot nga kjo platformë ju drejtohem mësuesve të Shqipërisë, nxënësve, pedagogëve, mjekëve, infermierë, të ngrihen dhe të bashkohen me ne në 7 korrik, sepse rrënimi i sistemeve shëndetësore dhe arsimore, është një nga veprat më të papërgjegjshme të këtij regjimi. Sistemi i shëndetësisë është në ditën më të rëndë që nga vitet ’60 e gjer sot, arsimi gjithashtu po shpërbëhet. Fondet janë qesharake për këto dy sisteme. Vetëm protesta e datës 7 korrik do të ishte përgjigjja më e merituar ndaj këtij regjimi kleptokrat.

Një thirrje të veçantë kam për të përndjekurit politikë. Sot në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë. Pasardhësi i bllokmenëve hoxhistë kontrollon sot çdo pushtet në këtë vend, njëlloj si etërit e tij para vitit 1991. Koha është të ngrihemi me të gjitha fuqitë tona të përmbysim regjimin monist që u restauruar pas zgjedhjes ë presidentit të Republikës në këtë vend.

Një thirrje të veçantë kam për pronarët, për të cilët unë bëj një autokritikë për disa qëndrime jo të drejta të Partisë Demokratike në fillimet e saj. Por, u bëj thirrje të bashkohen me ne, se pronat e tyre sot janë më të kërcënuara se kurrë në historinë e këtij vendi. Vetëm 4 ditë më parë, kreu i hajdutërisë së pronave, Artan Lame do të deklaronte se nga 2300 regjistra të pronave, 2050 janë të manipuluara dhe vetëm 250 janë të paprekura. Ky hajdut që s’ka kufi, do të deklaronte se dhjetëra e mijëra faqe mungojnë në këto regjistra, janë grisur, janë shtuar, janë të bardha, janë manipuluar dhe do të kulmonte në deklaratën e tij, se tapitë tani kontrollohen në rrugën e Kavajës nga bandat.

Qytetarë që keni prona, nëse Partia Demokratike nuk përmbushi dot plotësisht detyrimet ndaj jush, një gjë ju siguroj se në vitin 2007 u digjitalizua çdo dokument që ekzistonte pronësie në Shqipëri dhe ata që kanë vënë dorë nga këta që janë këtu mbrapa, se këta janë kryesorët, këta dhe vartësit e tyre, ai tjetri që s’është këtu, ka marrë gjysmën e bregut e me radhë e me radhë, do të diktohen një ditë dhe do të shkojnë atje ku e kanë vendin.

Së fundmi, unë u bëj thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestë kundër Ballkanit të Hapur, kësaj renditje të Shqipërisë në anën e zezë të historisë, shndërrimin e Tiranës në Beogradin e vogël. Shqiptarët duhet të kenë në dorë fatin e tyre dhe jo Beogradi të përcaktojë të ardhmen e shqiptarëve.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e Edi Ramës ndaj Brukselit. Ai shkoi atje si hokatar, shkoi si njeri pa kredibilitet, shkoi si vasal i Vuçiçit dhe që të gjithë e panë me këtë sy.

I bëj thirrje Samitit, të hapë negociatat me Shqipërinë dhe ta ndajë atë nga Maqedonia e Veriut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco