'Tradhtari' Albin - Nga Syri.net Kosova

'Tradhtari' Albin - Nga Syri.net Kosova

14:41, 22/06/2022
A+ Aa A-

Nga Syri.net Kosova

Ose KEDS-i inkason faturat në veri, ose i mbledh qeveria: Dikur Albin Kurti kështu zotohej në parlament.

Por, pasi u dakorduan për të zbatuar një marrëveshje të mëhershme për energjinë mes Kosovës e Serbisë, faturat do t’i mbledhë një kompani serbe.

Lajmi i mirë është se më në fund edhe në veri serbët do të paguajnë për energjinë e shpenzuar. Lajmi i keq është se inkasimin e bën kompania e Serbisë. Kurti së paku, mund të bëhet i sinqertë e të mos filozofojë shumë në këtë rast.

Mbështetësit e tij të flaktë, po mundohen kot ta arsyetojnë atë që në zhargonin tonë njihet si :të lëpish, atë që e pështyn. Një nga një, edhe pse me ngadalësi, pushteti i Vetëvendosjes po i zbaton marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit, ndaj të cilave partia e Albin Kurtit ishte kategorikisht kundër.

Nga “jo negociata, vetëvendosje”, përfunduam te “negociata për zbatim marrëveshjesh të negociatave”. E vërteta është kjo dhe nuk ka lidhje me minimumin apo maksimumin e realitetit që e përmend Kurti në deklarimet e tij justifikuese.

Fundja, kjo është më tepër një çështje etike, e moralit politik edhe të Albin Kurtit. Populizmi i tij në opozitë, ishte efikas deri në sigurimin e një shumice solide që e garanton mandatin e plotë qeverisës.

Në përballjen me të kaluarën, qeverisë aktuale i duhet të zbatojë edhe ato “marrëveshjet e këqija”.

Marrëveshja për targat ka qenë e tash i erdhi koha të zbatohet. Njësoj kjo e energjisë. Ngjashëm mund të ndodhë me ato të tjerat. Moszbatimi i marrëveshjeve është për faj të Serbisë, sepse fqinji ynë nuk i ka zbatuar.

Kosova mban përgjegjësi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një sfidë që ende nuk e ka kapërdirë kryeministri kosovar. Në qëndrimet e tij Kurti ka lënë të kuptohet se mund të pranojë një Asociacion multietnik dhe jo njëetnik, si kompromis për njohjen nga Serbia.

Duke parë trendin e zbatimit të marrëveshjeve që dikur i kundërshtonte, askush nuk ka pse të habitet nëse një ditë themelohet edhe Asociacioni apo siç e quan Vetëvendosje-Zajednica.

Pushteti po e kapërcen me lehtësi “nënshtrimin” ndaj pasojave të dialogut me Serbinë, për shkak të një opozite të zbehtë, ku liderët e PDK-së e LDK-së, ngjajnë si spektatorë, ndërsa kur flet ai i AAK-së, VV-së i shtohen pikët.

Në raport me dialogun, vendimet do të jenë gjithnjë të vështira e të dhimbshme, për të ecur drejt një zgjidhjeje finale që i jep fund kontestit ndaj shtetësisë së Kosovës nga Serbia dhe aleatët e saj.

Megjithatë, Kurti nuk mund t’i shesë opinionit kosovar dushk për gogla. Si kryeministër, ai nuk mund të jetë më në rolin e opozitarit. Gjithsesi, një farë ndjese nuk i bën dëm as atij vetë.

Nuk është korrekte t’i anatemosh të tjerët dhe pastaj kur vjen në pushtet, t’i zbatosh pikë për pikë marrëveshjet që të anatemuarit i bënë. T’i quash tradhtarë nënshkruesit e marrëveshjeve e më pas t’i zbatosh ato, është hipokrizi e thellë.

Qeveria duhet t’i japë disa përgjigje për ta bërë transparencën e nevojshme në rastin e energjisë.

E para, a po u mundësohet serbëve, si pakicë e privilegjuar në Republikën e Kosovës, të paguajnë me çmime preferenciale?

E dyta, a do t’u rimbursohen humbjet konsumatorëve kosovarë që në faturat e tyre paguajtën qindra milionë euro për vite me radhë, për të mbuluar borxhin e papaguar nga veriu?

E treta, kjo kompania nga Serbia që do të inkasojë faturat  në pjesën veriore, a përbën cënim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës?

Kurti i ka mëshuar shpesh parimit të reciprocitetit. Pse nuk kërkon që një kompani kosovare të inkasojë faturat në Luginën e Preshevës për shembull?

Zhbllokimi i dialogut, sidoqoftë duhet vlerësuar. Guximi i Kurtit për të gëlltitur dokumentet e padëshirueshme më herët, e ka efektin e vet, por hi syve, nuk mund t’i hidhet askujt.

Kryeministri e di se në mes dy rrugëve, njëra është që mund ta ndjekë. Marrëveshjet ose shfuqizohen, ose zbatohen. Alternativa e parë është e parealizueshme, prandaj dalëngadalë, do të zbatohen këto marrëveshje deri sa të mbërrijmë te Asociacioni.

Edhe pse nuk është zyrtare, është e mundshme që Kosovës i është premtuar më në fund liberalizimi i vizave, por koncesionet në dialog janë të pashmangshme. Pushteti i VV-së, po i bën pazaret politike të radhës. Herët e vonë, kjo merret vesh.

E rëndësishme është që të dalim nga status quoja, sepse vazhdimi i saj, e bën të tashmen të zymtë e të ardhmen të turbullt.

Nëse jo diçka tjetër, Kurti duhet t’ia heqë nga barra Kosovës dialogun me Serbinë, edhe pse kur kërkonte votën e kosovarëve, nuk e fuste fare në prioritete, pastaj e përfshiu në listë e dikur, i doli në vend të parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco