VIDEO-SYRI TV/ Hije dyshimi për Aeroportin e Vlorës, qeveria ndryshoi kufijtë e zonës së mbrojtur

12:29, 22/06/2022
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare ndryshoi kufijtë e zonës së mbrojtur Vlorë-Nartë, për t`i hapur rrugë aeroportit të Vlorës. Teksa pritet që ndërtimi i kësaj vepre të ketë pasoja të mëdha në ekosistem, qeveria shqiptare dyshohet se favorizoi tri kompani për të fituar tenderin e ndërtimit të aeroportit në Vlorë, duke ndryshuar kriteret teknike. Por sikur të mos mjaftojnë këto, qeveria shqiptare do të paguajë nga buxheti, koncensionarin, nëse nuk do të arrijë fitimet e përcaktuara në kontratë

SYRI TV

Një vit pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, investim me vlerë 104 milionë euro dhe që do të kryhet nga tre kompani, dalin në pah fakte se si qeveria shqiptare ndryshoi hartën e zonës së mbrojtur Vlorë-Nartë, për t`i hapur rrugë këtij projekti. Një investigim i gazetares Lindita Çela, publikuar në projekt ndërkombëtar për korrupsionin dhe krimin e organizuar, hedh dritë mbi dëmet mjedisore që pritet të shkaktojë ndërtimi i kësaj vepre në një zonë të mbrojtur.

Aeroporti do të ndërtohet disa kilometra tutje lagunës Vjosë-Narta, pjesë e një delte bregdetare që është goja e një prej lumenjve më të egër të Europës.

Ligatinat janë shtëpia e 200 lloje shpendësh, përfshirë dhe flamengot dhe specien e rrezikuar të pelikanit kaçurrel dhe janë pjesë kyçe e korridorit migrues për shumë nga shpendët që kanë rrugëtimin e tyre vjetor nga Europa Qendrore në Afrikën e Veriut.

Sipas artikullit, Komisioni Europian në Tiranë u shpreh se aprovimi i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës bie ndesh me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare.

Hartat tregojnë se autoritetet kanë ridizenjuar kufijtë për të përjashtuar zonat e mbrojtura dhe për të përjashtuar pjesë të caktuara në ligatinë, bashkë me këtë përjashtim kanë shkuar më shumë se sa çereku, apo 26.7%, e ekosistemit bregdetar të Shqipërisë.

E gjithë kjo, jo shumë larg çastit kur kryeministri Rama po negocionte me presidentin Turk Erdogan. Ndryshimi i kufijve është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, të cilin e drejton po Rama, dy muaj pasi fituesi i tenderit të aeroportit të Vlorës u shpall.

Por sikur të mos mjaftojnë vetëm dëmet mjedisore, aeroporti do të jetë me kosto të mëdha për ekonominë e vendit. Nëse çdo vit konsorciumi që do të menaxhojë aeroportin e Vlorës, nuk do të arrijë fitimet e parashikuara në kontratë, diferencën e humbjes do ta paguajë qeveria shqiptare.

Gjithashtu, hije dyshimi janë ngritur edhe për ndryshimin e kontratës për ndërtimin e aeroportit. Qeveria shqiptare dyshohet se favorizoi tre kompanitë që fituan tenderin, mes të cilave është dhe një kompani e një shtetasi turk, e afërt me presidentin Recep Erdogan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco