VIDEO/ Miku i Taulant Ballës ndryshon projektin e Unazës së Tiranës

19:37, 28/05/2022
A+ Aa A-

Pjesëtarët e familjes Doçi kanë adresuar në Syri TV një problematikë që lidhet me pronën e tyre. Një sipërfaqe toke prej 2500 metrash u është marrë padrejtësisht nga miku i ngushtë i Taulant Ballës, Edmond Bego, për të ndërtuar një kompleks pallatesh, ndërsa leja është dhënë nga Bashkia e Tiranës. 

SYRI TV

Vijon zaptimi i pronës së familjes Doçi në kryeqytet, për interesa personale. Pjesëtarët e familjes dhe vëllezërit bashkëpronarë, Aleksandër e Zef Doçi, kanë denoncuar në Syri Tv, se një sipërfaqe prej 2500 metër truall, po u grabitetdrejtësisht nga Edmond Bego, miku i ngushtë i Taulant Ballës, i cili synon të ndërtojë një kompleks pallatesh në pronën e tyre, pa arritur marrëveshje me pronarët.

"Kam vendimet e gjykatës së shkallës së parë, të shkallës së dytë dhe të Gjykatës së Lartë që vërtetoi historikun dhe origjinën e kësaj prone. Administratori i kësaj firme është Edmond Bego. Ai pa asnjë dokumentacion vjen dhe kërkon ta bëjë të tijën këtë sipërfaqe toke dhe ne të rrimë dhe të shikojmë se si e grabit", thonë vëllezërit Aleksandër dhe Zef Doçi.

Bashkia e Tiranës ka aprovuar ndërtimin e pallateve, duke i dhënë lejen kompanisë së mikut të Taulant Ballës, Edmond Bego, për të ndërtuar në këtë zonë. Për më tepër, ata thonë se kushëriri i Taulant Ballës, Mariglen Disha, u ka penguar legalizimin, në kohën kur ishte në detyrë tek ASHK. 

"Bashkia thotë nuk ka leje. Më bie në dorë projekti që aty po miratohej një leje. Kam bërë pagesat dhe për godinën e re 365 milionë lekë, prita për të marrë certifikatën e pronës, nuk mu dha nga institucioni. I drejtohem drejtorit të ASHK, Mariglen Disha, me sa di është djali i tezes së Taulant Ballës dhe më thotë nuk të legalizohet prona. Pengesa ka ardhur nga Taulanti me kompani, pasi kam paguar lekët", thotë Aleksandër Doçi.

Një ditë më parë, pronarët e tokës, vëllezërit Aleksandër dhe Zef Doçi, janë larguar me dhunë nga policia, pasi kanë kundërshtuar punimet, dhe janë lënë të lirë pas disa orësh.

Familja Doçi ka fituar disa gjyqe në lidhje me këtë çështje dhe ende janë në proces gjyqësor, por duket se ky fakt nuk i bën aspak përshtypje ndërtuesit, pasi mjetet e kompanisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë normalisht punën.

"Këta lloj banditësh injorojnë vendimet e gjykatave, nuk duan t'ia dinë as për Gjykatën, as për shtetin, as për njerëzit. Nuk e di se kur do ta gjejmë të drejtën. Na marrin, na arrestojnë dhe na e marrin pronën forcërisht. Ndjehemi totalisht të pambrojtur. Sa herë kërkojmë që të ndërhyjmë për të pezulluar punimet, aq herë shoqërohemi në komisariat", thekson Aleksandër Doçi.  

Problemi thellohet edhe më tej, pasi për të shpëtuar kompleksin e pallateve të mikut të Ballës, është devijuar edhe projekti i Unazës së Madhe që sposton Lumin Lana, duke rrezikuar shembjen e qindra banesave e duke lënë pa strehë shumë familje të tjera.

Edmond Bego, pavarësisht se rezulton i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali, në Shqipëri më së shumti njihet si biznesmen i suksesshëm dhe me mbështetje të madhe politike.

Një skemë jo e panjohur në vendin tonë, ku persona të përfshirë në aktivitet kriminal, i ‘legjitimojnë’ paratë duke hapur biznese dhe duke investuar kryesisht në fushën e ndërtimit.

I njohur për miqësinë e ngushtë me Taulant Ballën, Bego, pasi ka mbyllur hesapet me drejtësinë, ka futur duart edhe në fondet publike, ku sipas disa dokumenteve të publikuara nga opozita ka marrë të paktën 14 milionë euro nga tenderat e shtetit, pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge të marrë pjesë në tendera publikë.

Përveç kësaj Taulant Balla Balla ka udhetuar mbi 25 herë me trafikantin Bego, me të njëjtën makinë e po ashtu me të njëjtin avion, ku destinacion ka qenë Vjena, Parisi apo Athina.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e ka pranuar me krenari miqësinë me trafikantin, madje miqësia mes tyre është familjare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco